BOTA, 30 Gusht 2022, 15:36

Hetimet ndaj Trump/ Departamenti i Drejtësisë i përgjigjet sot kërkesës së ish-Presidentit për ekspert të pavarur, më pas…

Hetimet ndaj Trump/ Departamenti i Drejtësisë i përgjigjet sot

Departamenti i Drejtësisë do të paraqesë të martën publikisht në gjykatë përgjigjen e tij ndaj kërkesës së ish-presidentit Donald Trump për një ekspert të pavarur për të mbikëqyrur shqyrtimin e FBI-së të materialeve të sekuestruara në kërkimet që janë bërë në shtëpinë e ish-presidentit, në Mar-a-Lago.

Institucionit iu dha leja nga gjyqtari Aileen Cannon i rajonit Jugor të Floridës për të paraqitur deri në 40 faqe argumentim, pasi u tha se kufiri prej 20 faqesh i vendosur nga rregullat lokale të gjykatës nuk ishte i mjaftueshëm për të “adresuar në mënyrë adekuate çështjet ligjore dhe faktike, ngritur nga deklarimet e Trump.

Gjykatësi urdhëroi gjithashtu agjencinë të depozitojë më shumë detaje rreth asaj që ka sekuestruar nga resorti i Trump dhe një njoftim që përcakton statusin e shqyrtimit të materialeve.

Trump duhet të dorëzojë përgjigjen e tij në Departamentin e Drejtësisë deri në orën 20:00 të së mërkurës mbrëma, sipas urdhrit të Cannon, dhe gjykatësi ka caktuar një seancë dëgjimore për të enjten për të shqyrtuar kërkesën e Trump për ekspert të pavarur, që është praktikisht një avokat i palës së tretë i caktuar nga një gjykatë për të mbikëqyrur një pjesë të një çështjeje të caktuar. Cannon ka sinjalizuar tashmë një “qëllim paraprak” për të plotësuar kërkesën e Trump, e cila mund të sjellë komplikime të reja në hetimin e ndjekur nga afër të Departamentit të Drejtësisë.

Ekipi ligjor i Trump po argumenton gjerësisht se një ekspert i pavarur është i nevojshëm për të siguruar që Departamenti i Drejtësisë të kthejë çdo dokument të tij privat të sekuestruar gjatë kontrollit në Mar-a-Lago.

Avokatët e ish-presidentit thonë se Trumpit i janë shkelur të drejtat kushtetuese dhe se mund të jenë sekuestruar materiale të privilegjuara. Por në dosjet gjyqësore, Trump nuk ka thënë saktësisht se çfarë shpresonte që një ekspert i pavarur do të shikonte, përveç aludimeve të përgjithshme që ai ka bërë për “materiale të privilegjuara dhe potencialisht të privilegjuara”.

Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë ka sinjalizuar tashmë “se po përdor një ekip të brendshëm për të shqyrtuar sendet e sekuestruara dhe materiale të veçanta që mund të jenë objekt i pretendimeve për privilegje”.

Në një paraqitje gjyqësore të hënën, DD tha se ka identifikuar “një grup të kufizuar materialesh” nga kërkimi i dokumenteve të marra nga Mar-a-Lago.

Ish-Presidenti Trump thotë se i ka çklasifikuar dokumentet në fjalë gjatë kohës kur ishte ende në detyrë në Shtëpinë e Bardhë. Ky pretendim është hedhur poshtë nga pasardhësi i tij, presidenti Joe Biden.

Presidenti Biden tha se as nuk dëshiron t’i dijë detajet e hetimit dhe se gjithçka është në dorë të Departamentit të Drejtësisë. Bernie Sanders po ashtu deklaroi se kur bëhet fjalë për Trump, “tek ai ka shumë gjëra që janë të pakuptueshme”.

“Ka diçka paksa absurde kur duket se kemi një ish-president që ka marrë dokumente shumë të klasifikuara në rezidencën e tij. Është e pakuptimtë për mua. Por sërish, kur flasim për Presidentin Trump, ka shumë gjëra të pakuptueshme”, tha Senatori Bernie Sanders.