BOTA, 11 Qershor 2025, 20:17

Parlamenti danez ratifikon paktin e mbrojtjes me SHBA-në pavarësisht tensioneve për Groenlandën, çfarë pritet

Parlamenti danez ratifikon paktin e mbrojtjes me SHBA-në pavarësisht

Parlamenti i Danimarkës ratifikoi sot një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, duke i lejuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të krijojnë baza në tokën daneze, të stacionojnë trupa dhe të ruajnë pajisje ushtarake, sipas agjencisë daneze të lajmeve “Ritzau”.

Marrëveshja, e nënshkruar në dhjetor 2023 – para rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së – është bërë gjithnjë e më e diskutueshme ndërsa marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Kopenhagës janë ftohur.

Tensionet shpërthyen kur Trump hodhi sërish idenë e mandatit të tij të parë – për të marrë kontrollin e Groenlandës – një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës që presidenti i SHBA-së beson se ka vlerë strategjike ushtarake.

Duke nënvizuar këto ambicie, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance vizitoi bazën ushtarake amerikane në Pitufik në Groenlandën veriore në mars, ku ai kritikoi aleatin e NATO-s, Danimarkën, për investim të pamjaftueshëm në popullin dhe sigurinë e territorit.

Pakti i Mbrojtjes ka tërhequr kritika në Danimarkë, veçanërisht nga partitë e krahut të majtë dhe organizatat e të drejtave të njeriut.

Kundërshtarët thanë se marrëveshja mund t’u japë forcave amerikane autonomi të tepruar në tokën daneze duke kufizuar mbikëqyrjen nga autoritetet daneze.

Kryeministrja Mette Frederiksen e mbrojti marrëveshjen, duke i quajtur lidhjet e ngushta me SHBA-në jetësore – në klimën aktuale gjeopolitike.

“Problemi nuk është përfshirja e tepërt e SHBA-së në Evropë,” tha ajo.

“Përkundrazi, rreziku është që SHBA-ja të tërheq trupat e saj dhe të ndërpresë mbështetjen për Ukrainën”, theksoi Mette.