TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ishte “i zemëruar” me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant kur mësoi në momentin e fundit se Izraeli ishte gati të vriste liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka raportuar Jerusalem Post.
Nasrallah u vra në një sulm ajror masiv izraelit në bunkerin e tij nëntokësor në Bejrut të premten. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se 20 oficerë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Nasrallah, ndërsa numri i viktimave civile mbetet i paqartë.
SHBA menjëherë mohoi çdo rol në sulm. Presidenti Joe Biden tha se ai “nuk kishte njohuri” se Izraeli po planifikonte sulmin, ndërsa Austin u tha gazetarëve se ai nuk kishte “asnjë paralajmërim paraprak” dhe foli vetëm me Gallant “ndërsa operacioni ishte duke u zhvilluar”.
Duke cituar burime anonime, Jerusalem Post pohoi të dielën se Austin ishte “i zemëruar” nga mungesa e njoftimit që i ishte dhënë nga Gallant. Austin dhe Gallant kanë folur me telefon më shumë se 125 herë që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas vitin e kaluar, tha gazeta, duke shtuar se shefi i mbrojtjes amerikane “në thelb e “humbi toruan” me Gallant për vrasjen e Nasrallah dhe njoftimin e dhënë shumë vonë”.
“Nasrallah ishte një njeri i keq, por është zhgënjyese që izraelitët po e bëjnë këtë pa u konsultuar me ne dhe më pas kërkojnë që ne të pastrojmë kur vjen puna për të penguar Iranin”, tha një zyrtar anonim amerikan për faqen e lajmeve Axios të shtunën. Sipas burimeve të Axios, Gallant i kërkoi Austin të lëshonte deklarata publike për të penguar Iranin nga fillimi i një sulmi hakmarrës kundër Izraelit pas vdekjes së Nasrallah.
Çfarëdo që Austin t’i thoshte Gallantit privatisht, ai e përmbushi me përkushtim këtë kërkesë. Në një zbardhje të një tjetër telefonate me Gallant të shtunën, Pentagoni tha se Austin “theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të parandaluar Iranin dhe partnerët dhe përfaqësuesit e mbështetur nga Irani që të shfrytëzojnë situatën ose të zgjerojnë konfliktin”.
Nasrallah u vra vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë një propozim të autorizuar nga amerikanët dhe francezët për armëpushim, i cili i bëri thirrje Izraelit të ndalonte sulmet e tij në Liban për 21 ditë për të lejuar bisedimet midis Jerusalemit Perëndimor dhe Hezbollahut. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe të tjerë perëndimorë, Netanyahu kishte rënë dakord me propozimin disa ditë më parë, përpara se të tërhiqej papritur dhe të zotohej se do të vazhdonte të godiste Libanin “me forcë të plotë”.