BOTA, 19 Maj 2025, 18:35

Netanyahu: Izraeli do të kontrollojë të gjithë Rripin e Gazës! Asnjë ndihmë nuk do të arrijë në duart e Hamasit

Netanyahu: Izraeli do të kontrollojë të gjithë Rripin e

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se qëllimi i zgjerimit të operacionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës është marrja nën kontroll e të gjithë territorit, për të parandaluar Hamasin që të përvetësojë ndihmën humanitare.

Sipas tij, vendimi për të lejuar ndihmën humanitare ishte i domosdoshëm, pasi në të kundërt Izraeli do të rrezikonte mbështetjen e aleatëve të ngushtë, përfshirë senatorët amerikanë që “e mbështesin Izraelin pa kushte”.

“Nuk mund të lejojmë një situatë urie – as profesionalisht, as diplomatikisht”, tha Netanyahu.

Ai shpjegoi se ndihma do të shpërndahet përmes pikave të kontrolluara nga Ushtria izraelite, ndërsa vetë ndihma do të vijë nga një organizatë amerikane. Pika e parë e tillë do të jetë gati brenda disa ditësh.

Netanyahu pranoi se, ndërkohë që ndihma lejohet të hyjë në Gazë, nuk mund të garantohet se nuk do të bjerë në duart e Hamasit deri në ngritjen e pikave të shpërndarjes. Ai shtoi gjithashtu se kthimi i pengjeve mbetet prioritet për një “fitore të kombinuar” ndaj Hamasit.

“Asnjë ndihmë nuk do të arrijë te Hamasi”

Në një video-mesazh, Netanyahu iu përgjigj kritikëve të djathtë dhe ministrave të tij që kundërshtojnë hyrjen e ndihmës, duke e cilësuar kritikën “të arsyeshme”, por theksoi se vendimi i tij tregon udhëheqje, edhe pse është “i papëlqyer”.

Deklarata e tij u publikua pak pasi ministri i Financave dhe lideri i Partisë Sioniste Fetare, Bezalel Smotrich, bëri thirrje që Netanyahu të “dalë publikisht” dhe të tregojë “udhëheqje”.

“Asnjë ndihmë nuk do të arrijë te Hamasi. Pikë. Kush thotë të kundërtën, po gënjen”, deklaroi Smotrich në një konferencë për shtyp të hënën.

Ai shtoi se kjo ndihmë do t’i lejojë civilët të ushqehen, do të forcojë mbrojtjen ndërkombëtare të Izraelit në OKB dhe në Gjykatën e Hagës, dhe do të mundësojë vazhdimin e luftës deri në fitore.

“Për 2 muaj e gjysmë nuk lejuam ndihmë në Gazë, për të ushtruar presion ndaj Hamasit – me të drejtë. Por duhet të jemi të kujdesshëm që presioni të mos kthehet kundër nesh,” tha ai.

“Kur Forcat e Mbrojtjes të Izraelit rifilluan operacionet në Gaza, duke zhvendosur civilët nga zona ku kishte ende pak ushqim, aleatët tanë ndërkombëtarë – që e dinë se nuk mund të ndalemi para shkatërrimit të Hamasit – na kërkuan të ndihmojmë në shpërbërjen e akuzave për uri. Pa këtë, nuk mund të luftojmë dhe të fitojmë,” shtoi ai.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kritikoi vendimin për lejimin e ndihmës dhe kundërshtoi pretendimin e Smotrich se ndihma nuk do të përfundojë te Hamasi. Ai akuzoi Netanyahu-n se bllokoi një votim në kabinet të hënën në mbrëmje, nga frika se masa do të refuzohej.

“Vendimi i marrë me nxitim mbrëmë për të rinisur ndihmën për të gjithë Rripin e Gazës është një gabim i rëndë”, tha Ben-Gvir në një deklaratë.

“Duhet t’i themi të vërtetën publikut izraelit: Kjo ndihmë, që po hyn në të gjitha pjesët e Rripit, do të përfundojë gjithashtu në duart e Hamasit. Prandaj refuzuan kërkesën time për votim, sepse e dinin që unë kisha shumicën për të rrëzuar vendimin.”