TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një gjykatë në veri të Rusisë do të shqyrtojë më 4 mars ankesën e bërë nga nëna e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, e cila prej disa ditësh po përpiqet të marrë trupin e djalit të saj, i cili vdiq në rrethana ende të panjohura në burg.
Agjencia zyrtare ruse e lajmeve TASS raportoi sot se Lyudmila Navalnaya ngriti një padi për “veprimtari të paligjshme” në një gjykatë në Salekhard, kryeqyteti i Oblastit Autonom Yamal-Nenets të Federatës Ruse, një rajon i largët i Arktikut ku djali i saj u burgos.
Ankesa do të shqyrtohet me dyer të mbyllura, sqaroi agjencia.
Grupi i armikut numër një të presidentit Vladimir Putin po akuzon Kremlinin se ka vrarë Alexei Navalny dhe nuk ua kthen trupin e tij të afërmve të tij sepse po kërkon të fshehë provat. Presidenca i mohoi këto akuza
Sipas administratës së burgut rus, Navalny vdiq më 16 shkurt në koloninë penale Nr. 3 të vendbanimit Harp, një burg i sigurisë së lartë ku ai mbahej që nga fundi i vitit 2023 dhe po vuante një dënim 19-vjeçar për “ekstremizëm”
Në një video të publikuar dje, të martën, nëna e Alexei Navalny, i cili ndodhet në vendngjarje që nga e shtuna, i bëri thirrje Vladimir Putinit që t’ia dorëzojë trupin e djalit të saj “pa vonesë”.
Sipas ekipit të të ndjerit, hetuesit rusë thanë të hënën se nuk do ta kthenin trupin e Navalny derisa të kalonin të paktën 14 ditë, në mënyrë që të mund të “ekzaminohej nga ekspertët”.