TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Situata në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më absurde. Ndërkohë që izolacionistët amerikanë dhe media e trajtojnë përdorimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi nga Ukraina kundër Rusisë si një përshkallëzim të rrezikshëm, vala e re e sulmeve të Rusisë ndaj infrastrukturës civile trajtohet si një pasojë normale.
Nga Slavoj Zizek
Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA, Alexandria Ocasio-Cortez, një kongresmene demokrate nga Nju-Jorku, u bëri thirrje publikisht atyre që kishin votuar si për të ashtu edhe për Trump-in. Ajo donte të dinte se çfarë e motivoi një zgjedhje të tillë në dukje jokonsistente dhe përgjigjja mbizotëruese që dëgjoi ishte se ajo dhe Trump dukeshin më të sinqertë, ndërsa zv/presidentja Kamala Harris u duk si shumë përllogaritëse.
Ishte një ushtrim i frytshëm dhe ne mund të pyesim për të njëjtën gjë të majtët që mbështesin si palestinezët ashtu edhe Rusinë. Në fund të fundit, kjo e fundit ka bombarduar qytetet ukrainase derisa ato të ngjajnë me Gazën dhe ashtu si partitë e djathta në qeverinë e Izraelit duan të krijojnë një Izrael të Madh, Kremlini shpreson të krijojë një Rusi të Madhe. Kështu, projekti eliminues i Rusisë duhet të mbetet në krye të mendjes sa herë që vlerësojmë zhvillimet në terren.
Menjëherë pas vendimit të fundit të administratës së presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa ATACMS të pajisura nga SHBA-ja (me një rreze veprimi deri në 190 milje) në Rusi, Kremlini paralajmëroi se çdo përdorim i armëve perëndimore kundër Federatës Ruse mund të shkaktojë një reagimi bërthamor sipas doktrinës së re bërthamore. Megjithatë, ukrainasit u kundërpërgjigjën duke lëshuar gjashtë raketa ATACMS në një objekt ushtarak në rajonin Bryansk (në afërsi të kufirit me Ukrainën) të nesërmen.
Megjithëse Rusia pretendon se dëmi ishte i papërfillshëm – pesë nga raketat u rrëzuan dhe nuk pati viktima – ndjekja e doktrinës së saj të re bërthamore do të nënkuptonte se ajo tani është në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe ka të drejtë të përdorë bërthamë armë kundër Ukrainës. Me disa nga ata rreth Trump që tashmë akuzojnë Joe Biden për një hap të rrezikshëm drejt një lufte të re botërore, a është e drejtë të thuhet se Ukraina e teproi shumë? A e ka prishur ajo ekuilibrin e brishtë që e mbajti të kufizuar konfliktin?
Përpara se të dalim në këtë përfundim, duhet të kujtojmë se SHBA-ja e ka lejuar Ukrainën të shënjestrojë vendndodhje kryesisht në Kursk, rajoni kufitar nga i cili Rusia ka nisur shumë nga sulmet e saj kundër pozicioneve ukrainase. Siç tha Josep Borrell, shefi (në largim) i politikës së jashtme të BE-së: “Ukraina duhet të jetë në gjendje të përdorë armët që i kemi dhënë jo vetëm për të ndaluar shigjetën, por edhe për të qenë në gjendje të godasë harkëtarët.”
Madje, kini parasysh se Rusia e kishte përshkallëzuar fushatën e saj kundër Ukrainës pak ditë më parë, duke mbuluar të gjithë vendin me sulme me dron dhe raketa kundër infrastrukturës civile të energjisë pak para fillimit të dimrit. Ndërsa gjashtë raketa ukrainase shkaktuan panik në të gjithë botën, shkatërrimi sistematik i infrastrukturës ukrainase nga Rusia është normalizuar – njësoj si rrafshimi i Gazës veriore nga Izraeli.
Situata është sa e turpshme aq edhe absurde. Rusia, pasi ka nisur një luftë pushtuese kundër fqinjit të saj paqësor, tani dëshiron të mbajë territorin e saj jashtë luftës dhe akuzon Ukrainën, viktimën, për “zgjerim” të konfliktit. Nëse Rusia e ka seriozishr në lidhje me doktrinën e saj të re bërthamore, le të ofrojmë një kundër-doktrinë po aq serioze: Nëse një vend i pavarur sulmohet me forca jobërthamore nga një superfuqi bërthamore, aleatët e atij vendi kanë të drejtën – madje edhe detyrën – t’i sigurojnë atij armë bërthamore në mënyrë që të ketë një shans për të penguar një sulm.
Thuhet shpesh se Putin dëshiron një rikthim në Bashkimin Sovjetik dhe stalinizëm; por kjo nuk është e drejtë. Përkundrazi, regjimi i tij mbështetet nga një vizion i epokës perandorake të para vitit 1917, kur zona e ndikimit të Rusisë cariste përfshinte jo vetëm Poloninë, por edhe Finlandën. Koha do të tregojë nëse neo-Carizmi i Putinit është më shumë se një ëndërr. Në botën multipolare në zhvillim, ngritja e perandorive të forta, secila me zonën e vet të ndikimit, është mjaft e imagjinueshme.
Siç tha Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut në qershor 2022, “sovraniteti nuk mund të segmentohet ose të fragmentohet në shekullin e njëzet e një”. Mbajtja e sovranitetit politik dhe identitetit kombëtar është thelbësore, tha ai, por po ashtu është edhe forcimi i gjithçkaje që “përcakton pavarësinë ekonomike, financiare, profesionale dhe teknologjike të vendit tonë”. Është e qartë se vetëm një Rusi e re perandorake, jo Ukraina, Bjellorusia apo Finlanda, do të jetë në gjendje të gëzojnë përfitimet e plota të sovranitetit.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, në të njëjtën ditë kur presidenti Vladimir Putin shpalli doktrinën e re bërthamore ruse, BBC raportoi se, “ndotja e ajrit në kryeqytetin e Indisë, Delhi, është rritur në nivele jashtëzakonisht të rënda, duke mbytur banorët dhe duke përfshirë qytetin në smog të dendur”, duke ndërprerë transportin ajror, duke detyruar shkollat të mbyllen dhe duke ndaluar ndërtimin. “Dhe ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në Delhi në ditët në vijim.”
Ndërsa Rusia kënaqet me agresionin perandorak dhe vërtit në ajër “shpatën” e saj bërthamore, qindra miliona njerëz po e kanë më të vështirë të marrin frymë. Mediat tona trumbetojnë përdorimin e armëve perëndimore kundër Rusisë si “lajmin e fundit” të faqes së parë, dhe të majtët tanë e shohin mbrojtjen “e tepruar” të Ukrainës si një përshkallëzim të rrezikshëm. Një kërcënim për vetë mbijetesën tonë, megjithatë, zor se meriton të përmendet.
Should Ukraine Have Nuclear Weapons?