BOTA, 26 Nëntor 2024, 21:09

'Llogaritë' e Netanyahut/ Kryeministri izraelit rendit 3 arsyet kryesore për vendosjen e armëpushimit në Liban

'Llogaritë' e Netanyahut/  Kryeministri izraelit rendit 3 arsyet

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në deklaratën e tij pas mbledhjes së kabinetit izraelit për të shqyrtuar armëpushimin në Liban tha se ka tre “arsye kryesore”, për të cilat ai dëshiron një armëpushim me Hezbollahun në Liban aktualisht.

Sipas kryeministrit Izraeli 3 arsyet për armëpushim në Liban janë:

• “Fokusi i Izraelit në kërcënimin iranian”: Kryeministri përmendi këtë arsye si të parë dhe shtoi se nuk do ta zgjerojë. Hezbollahu është një grup militant i mbështetur nga Irani në Liban.

• Për ushtrinë izraelite: Një arsye e dytë, tha ai, ishte që “forcave izraelite t’i jepet frymë për të rimbushur rezervat”.

• “Shpërndarje të fronteve”: Së treti, ai përmendi luftën e Izraelit në Gaza. “Hamasi po planifikonte që Hezbollahu të luftonte në krah të tij. Me Hezbollahun jashtë skene, Hamasi ka mbetur vetëm. Ne do të rrisim presionin tonë mbi Hamasin dhe kjo do të ndihmojë lirimin e pengjeve në enklavë”, tha ai.

Lexo edhe: Netanyahu i vendosur për t’i sjellë fitoren Izraelit: Lufta në Gaza nuk do të përfundojë deri sa…

Fjalimi u publikua pasi një zyrtar izraelit i tha CNN se kabineti i sigurisë izraelite miratoinjë marrëveshjen e armëpushimit në Liban.

Netanyahu tha gjithashtu se kohëzgjatja e një armëpushimi do të “varet nga ajo që ndodh në Liban”.

Ai tha se Izraeli do të rifillojë sulmet nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen duke riarmatosur, gërmuar tunele, lëshuar raketa ose rindërtuar infrastrukturën e tij pranë kufirit izraelit.

“Me mirëkuptimin e plotë të Shteteve të Bashkuara, ne ruajmë lirinë e plotë të veprimit ushtarak,” tha kryeministri izraelit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do ta sulmojë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.

Lexo edhe: Konflikti në Lindjen e Mesme! Netanyahu: I kërkova kabinetit të miratojë marrëveshjen për armëpushim në Liban

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.

Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.

Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite.