TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ankaraja do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare më 7 dhe 8 korrik, kur liderët e vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen në një nga samitet më të rëndësishme të Aleancës në vitet e fundit.
Samiti i NATO-s për vitin 2026 do të mbahet në Kompleksin Presidencial Beştepe, ndërsa Telegrafi do ta përcjellë nga afër këtë ngjarje të rëndësishme, ku pritet të diskutohen çështje kyçe për sigurinë evropiane dhe globale.
Në fokus të takimit do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i industrisë ushtarake, ndarja e barrës mes aleatëve dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, në një kohë kur lufta ruse kundër Kievit vazhdon të mbetet sfidë qendrore për sigurinë e kontinentit.
Sipas NATO-s, samiti do të shërbejë për të vlerësuar progresin e bërë pas Samitit të vitit 2025 në Hagë dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në zbatimin e objektivave të Aleancës. Një nga çështjet kryesore pritet të jetë zotimi i vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se sfida kryesore tashmë është që zotimet politike të kthehen në rezultate konkrete, përmes investimeve më të mëdha, prodhimit më të lartë industrial dhe mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.
Pjesë e rëndësishme e samitit do të jetë edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili do të mbahet më 7 korrik në Ankara. Në këtë forum pritet të marrin pjesë zyrtarë të NATO-s, përfaqësues të qeverive aleate dhe partnerëve, si dhe drejtues të kompanive të industrisë së mbrojtjes dhe inovacionit.
Qëllimi i forumit është të diskutohet se si investimet e shtuara në mbrojtje mund të përkthehen në prodhim më të madh ushtarak, zinxhirë më të fortë furnizimi, bashkëpunim më të ngushtë dhe prokurim të përbashkët mes vendeve aleate. Mesazhi kryesor i NATO-s në këtë drejtim është se nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes.
Mbështetja për Ukrainën pritet të mbetet një nga temat më të ndjeshme të samitit. NATO e konsideron sigurinë e Ukrainës të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Aleancës, ndërsa aleatët pritet të diskutojnë për mënyrat se si ndihma ushtarake për Kievin të mbetet e qëndrueshme edhe në periudhën afatgjatë.
Ndryshe NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.
Në një përgjigje për Telegrafin javën e kaluar, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.
“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.
Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.
Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.
“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për Telegrafin.
Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.
Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizoi se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.
Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.
Samiti i Ankarasë ka edhe rëndësi simbolike për Turqinë, pasi kjo është hera e dytë që vendi pret një takim të tillë të NATO-s. Herën e parë, Turqia ishte nikoqire e Samitit të Stambollit në vitin 2004, pak muaj pas zgjerimit më të madh të Aleancës deri atëherë.
Përveç vendimeve të mundshme politike dhe ushtarake, samiti pritet të jetë edhe një test i unitetit të aleatëve përballë sfidave të reja gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë e deri te nevoja që Evropa të marrë rol më të madh në sigurinë e saj.
Telegrafi do të përcjellë nga afër zhvillimet nga Samiti i NATO-s në Ankara, me raportime për temat kryesore, deklaratat e liderëve dhe vendimet që pritet të ndikojnë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.