BOTA, 5 Korrik 2022, 19:45

Mbretëri e Bashkuar/ Boris Johnson në telashe serioze, dy ministra japin dorëheqjen nga kabineti

Mbretëri e Bashkuar/ Boris Johnson në telashe serioze, dy ministra

Dy ministra të qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë dhënë dorëheqjen. 

Bëhet fjalë për Kancelarin Rishi Sunak dhe për Sekretarin e Shëndetësisë Sajid Javid. 

Dy ministrat janë dorëhequr pas një skandali me deputetin Chris Pincher, gjithashtu zyrtar i lartë i partisë, i cili dyshohet për ngacmim seksual ndaj dy burrave. Boris Johnson ka qenë nën presion për të treguar se a ka patur dijeni për të shkuarën e Pincher, përpara se ta emëronte. Njerëz pranë Johnson sugjeruan fillimisht se kryeministri nuk ka patur dijeni, por më pas versioni i Johnson ndryshoi. 

Ministri Javid ka deklaruar se e ka humbur besimin te kryeministri.

"Ne mund të mos kemi qenë gjithmonë popullorë, por kemi qenë kompetentë në shërbimin tonë ndaj interesit kombëtar. Fatkeqësisht, në situatën aktuale, publiku po del në konkluzionin se ne nuk jemi tashmë asnjëra prej këtyre. Është e qartë për mua se situata nuk do të ndryshojë nën lidershipin aktual dhe për rrjedhojë ka humbur edhe besimin tim", shkruan ndër të tjera në letrën e tij Javid. 

Ndërsa kolegu i tij Sunak, thotë se publiku pret që qeverisja të ekzekutohet në mënyrë të drejtë, me kompetencë dhe seriozitet.  "Unë besoj se ja vlen të luftosh për këto standarte dhe kjo është arsyeja përse po dorëhiqem", deklaroi ai. 

Kreu i opozitës ka bërë thirrje që kabineti të largojë kryeministrin. 

Kujtojmë se Johnson pak kohë më parë i mbijetoi një mocioni mosbesimi nga partia e tij. 

Dy dorëheqjet e sotme, nga ministrat kyç të kabinetit të tij, pritet të trondisin rëndë pozitat e Johnson dhe të vënë në pikëpyetje qëndrimin si kryeministër. 

Johnson ka emëruar dy ministra të rinj në vendet vakante. Kancelari i ri do të jetë Nadhim Zahawi, ndërsa Sekretari i Shëndetësisë do të jetë Steve Barclay.