BOTA, 6 Korrik 2026, 09:25

Mbi 3.300 persona humbin jetën nga tërmetet në Venezuelë, viktimat varrosen me numra në vend të emrave

Mbi 3.300 persona humbin jetën nga tërmetet në Venezuelë,

Bilanci i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor ka vijuar të rëndohet. Autoritetet njoftuan të dielën se deri më 5 korrik janë konfirmuar 3,342 viktima dhe 16,740 të plagosur, ndërsa mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas deklaratës së bërë publike nga Jorge Rodríguez, autoritetet nuk kanë dhënë ende një shifër zyrtare për të zhdukurit. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se numri i tyre mund të arrijë deri në 50 mijë persona, ndërsa vlerësime të tjera flasin për rreth 10 mijë të zhdukur.

Me kalimin e ditëve, shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja janë zbehur ndjeshëm. Ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit, me mbi 4,000 efektivë të ardhur nga vende të ndryshme, kanë nisur të tërhiqen nga zonat e goditura.

Ndërkohë, në varrezat La Esperanza, në zonën e Catia la Mar, gazetarët konstatuan se kanë nisur varrimet e viktimave të paidentifikuara. Më shumë se 150 trupa janë varrosur në varre individuale të shënuara vetëm me numra identifikimi dhe datën e vdekjes, 24 qershor 2026.