BOTA, 26 Shtator 2023, 11:30

Koreja e Jugut shfaq në rrugë raketa, dronë e avionë luftarakë – “Nëse Veriu përdor armë bërthamore, regjimit të saj do t’i jepet fund”

Koreja e Jugut shfaq në rrugë raketa, dronë e avionë

Koreja e Jugut zbrazi një arsenal armatimi në një paradë të zhvilluar të martën e 26 Shtatorit, duke qarkulluar nëpër rrugët e kryeqytetit tanke dhe raketa gjatë ngjarjes së parë të këtij lloji në një dekadë të tërë.

Parada, e mbajtur për të shënuar Ditën e 75-të të Forcave të Armatosura që përkujton themelimin e forcave të armatosura të vendit, vjen në sfondin e rritjes së tensioneve në gadishullin Korean, ndërsa Koreja e Jugut po afrohet më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë kundër kërcënimit nga Veriu, i cili po shpejton në lidhje me armatimin.

Parada nisi në orët e para të mëngjesit me shfaqje në bazën ajrore të Seulit, prej ku presidenti Yoon Suk Yeol mbajti një fjalim duke paralajmëruar Phenianin kundër përdorimit të armëve bërthamore.

“Nëse Koreja e Veriut përdor armë bërthamore, regjimit të saj do t’i jepet fund nga një përgjigje dërrmuese nga aleanca Seul-Washington”, tha Yoon ndërsa iu drejtua trupave, shkruan CNN.

Ndërkohë, rrugët ishin të mbushura me spektatorë. Rreth 4,600 ushtarë, duke përfshirë rreth 330 ushtarë dhe kadetë amerikanë, marshuan gjatë ngjarjes, sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Të ekspozuara ishin një sërë pajisjesh të prodhimit vendas, duke përfshirë avionë luftarakë, dronë, tanke dhe transportues të blinduar të personelit.

Peter Layton, një bashkëpunëtor në Institutin Griffith Asia tha se parada shërbeu për të dërguar “një mesazh për një audiencë të jashtme”, duke përfshirë partnerë si Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë rajonale si Koreja e Veriut dhe Kina, ngjarja ” ka të bëjë me faktorët e brendshëm.”