TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti rus Vladimir Putin, të enjten, u shprehu ngushëllime familjeve të udhëtarëve të avionit të rrëzuar në dalje të Moskës, ku besohet se ka humbur jetën edhe udhëheqësi i grupit mercenar rus “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, gjashtë udhëtarë të tjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Në avion ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të zotit Prigozhin.
Autoritetet kanë gjetur 10 kufoma, ndërkohë që mediat ruse cituan burime anonime pranë grupi “Wagner”, që konfirmuan vdekjen e zotit Prigozhin.
Në një deklaratë, zoti Putin tha se udhëtarët në avionin e rrëzuar “kanë dhënë kontribut të rëndësishëm” gjatë luftës në Ukrainë.
“Do ta kujtojmë këtë, e dimë, dhe nuk do ta harrojmë,” tha Presidenti Putin gjatë një paraqitjeje televizive me udhëheqësin e emëruar nga Rusia të një territori nën kontrollin e Moskës në Ukrainë, Denis Pushilin.
Zoti Putin tha se kishte njohur zotin Prigozhin që nga vitet 90 dhe e përshkroi atë si “njeri me fat të vështirë”, që kishte “bërë gabime serioze në jetë, dhe që arriti rezultatet që i deshi – për veten dhe, kur ia kam kërkuar, për të mirën e përbashkët, si në këta muajt e fundit. Ishte njeri i talentuar, sipërmarrës i talentuar.”
Përkrahësit e zotit Prigozhin thanë të enjten se avioni ishte rrëzuar qëllimisht. Ndërkohë, udhëheqësi i partisë së afërt me Kremlinin, Sergei Mironov, tha se zoti Prigozhin ishte vrarë qëllimisht.
“(Zoti) Prigozhin u ngatërrua me shumë njerëz në Rusi, në Ukrainë dhe në Perëndim. Duket se u shtua shumë numri i armiqve të tij,” shkroi ai në rrjete sociale.
Zyrtarët perëndimorë kishin pritur prej kohësh një përfundim të tillë, të ngjashëm me atë të shumë kundërshtarëve të zotit Putin.
Zoti Prigozhin udhëhoqi kryengritjen kundër ushtrisë ruse më 23 dhe 24 qershor, për të cilën Presidenti rus, Vladimir Putin tha se mund ta kishte çuar Rusinë drejt luftës civile.
Kundërshtarë të tjerë të presidentit Putin janë përballur me incidente misterioze
Kundërshtarë të tjerë të presidentit rus apo që kanë dalë kundër interesave të tij, kanë vdekur në rrethana të paqarta ose kanë vuajtur pasoja të tjera.
Një historik i shkurtër i këtyre incidenteve të mistershme:
Alexei Navalny
Udhëheqësi kryesor opozitar rus, Alexei Navalny, u dërgua në Gjermani në gushtin e vitit 2020 për trajtim mjekësor pasi ishte helmuar në Siberi, me atë që ekspertët perëndimorë thanë se ishte helm ushtarak nervor “Novichok”. Rusia mohon të ketë qenë e përfshirë në këtë rast.
Navalny u vlerësua gjithandej nëpër botë për vendimin që të kthehej vullnetarisht në Rusi, në vitin 2021. Ai u arrestua menjëherë dhe tani po vuan një dënim prej 11 vjet e gjysmë burg për akuzat që ai i quan të sajuara. Lëvizja e tij politike është shpallur e jashtëligjshme dhe “ekstremiste”. Së fundi, zotit Navalny i janë shtuar edhe 19 vite vuajtje në një burg sigurie të lartë.
Sergei Skripal
Ish-agjenti i dyfishtë rus, i cili i dha sekrete shërbimit britanik të zbulimit, Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia, u gjetën pa ndjenja në një stol para një qendre tregëtare në qytetin anglez Salisbury, në mars të vitit 2018. Ata u dërguan në spital në gjendje kritike, dhe zyrtarët britanikë thanë se ata ishin helmuar me Noviçok, një helm nervor i zhvilluar nga ushtria sovjetike në vitet 70 dhe 80. Të dy kanë mbijetuar.
Rusia ka mohuar se qëndron prapa helmimit dhe ka akuzuar Britaninë për nxitjen e histerisë anti-ruse.
Vladimir Kara-Murza
Aktivisti opozitar rus, Vladimir Kara-Murza thotë se beson që janë bërë përpjekje për ta helmuar në vitin 2015 dhe 2017. Një laborator në Gjermani kishte gjetur nivel të rritur të merkurit, bakrit, magnezit dhe zinkut në gjakun e tij, sipas raporteve mjekësore, që i kishte parë agjencia e lajmeve Reuters. Moska zyrtare ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me këtë çështje.
Alexnader Litvinenko
Ish-agjenti rus i KGB-së dhe kritiku i zëshëm i zotit Putin, vdiq në vitin 2006, në moshën 43 vjeçare, pasi piu një çaj jeshil, të spërkatur me agjentin e rrallë radioaktiv “polonium 210”, në një hotel, në Londër, sipas zyrtarëve britanikë.
Një hetim britanik i vitit 2016, arriti në përfundimin se zoti Putin me gjasë e kishte miratuar vrasjen. Kremlini ka mohuar të ketë qenë i përfshirë.
Një hetim i një gjykatësi të lartë britanik arriti në përfundimin që ish truprojat e KGB-së, Andrei Lugovoy dhe Dmitry Kovtun, kishin ekzekutuar vrasjen si pjesë të një operacioni që me gjasë ishte udhëhequr nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, agjencia kryesore që trashëgoi KGB-në e periudhës sovjetike.
Zoti Litvinenko ishte helmuar gjashtë vjet pas kishte ikur nga Rusia për në Britani.
Alexander Perepilichny
44 vjeçari rus u gjet i vdekur pranë shtëpisë së tij luksoze, në një lagje të pasur në dalje të Londrës, në nëntor të vitit 2012. Perepilichny kishte kërkuar strehim në Britani, në vitin 2009, pasi kishte ndihmuar hetimin zvicran mbi një skemë pastrimi parash. Vdekja e tij e papritur zgjoi dyshime se ai ishte vrarë. Policia britanike përjashtoi veprimin keqadashës megjithë dyshimet se ai mund të ishte helmuar me një helm të rrallë. Në një seancë dëgjimore para hetimit ishte thënë se gjurmë të një bime të rrallë dhe shumë helmuese ishin gjetur brenda trupit të tij. Perepilichny kishte ngrënë paraprakisht një pjatë supë. Rusia ka mohuar të jetë e përfshirë.
Viktor Yushchenko
Udhëheqësi i atëhershëm opozitar i Ukrainës, u helmua gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Në ato zgjedhje, zoti Yushchenko kandidoi si kandidat pro-perëndimor kundër kryeministri pro-rus Viktor Yanukovich. Ai ishte helmuar ndërsa po hante darkë në periferi të kryeqytetit ukrainas Kiev, me zyrtarët e shërbimeve të sigurisë ukrainase. Rusia mohoi përfshirjen. Në trupin e tij u gjetën sasi 1,000 herë më të larta të dioksinit se zakonisht. Fytyra dhe trupi i tij u shtrembëruan nga helmimi dhe më pas ai iu nënshtrua dhjetëra operacioneve. Ai u zgjodh president me përsëritjen e zgjedhjeve, pasi Gjykata e Lartë e Ukrainës rrëzoi rezultatin që e nxori Yanukovichin si fitues dhe protestave të njohura si “Revolucioni Portokalli”.
Anna Politkovskaya
Gazetarja, që kishte raportuar për shkeljen e të drejtave të njeriut, u vra para shtëpisë së saj në Moskë, më 7 tetor të vitit 2006. Vrasja e 48 vjeçares, nënë e dy fëmijëve, u dënua nga Perëndimi dhe nxorri në pah shqetësimet rreth rreziqeve me të cilat përballen gazetarët që punojnë në Rusi./Zëri i Amerikës