TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sistemi amerikan i drejtësisë ka bllokuar sërish, pa afat të caktuar, vendimin për dërgimin e Gardës Kombëtare në qytetin e Portlandit, duke i shkaktuar një tjetër humbje politike presidentit Donald Trump, në përplasjen e tij me shtetet dhe bashkitë e drejtuara nga Demokratët.
Më 20 tetor, një Gjykatë Federale Apeli kishte lejuar administratën Trump të dërgonte rreth 200 trupa të Gardës Kombëtare në Portland, pas protestave kundër policisë së emigracionit (ICE)–agjencisë përgjegjëse për zbatimin e politikave të dëbimeve masive. Por e njëjta gjykatë ndryshoi qëndrim mbrëmjen e së martës, duke vendosur ta rishqyrtojë çështjen në një datë të pacaktuar dhe të pezullojë menjëherë dislokimin e forcave ushtarake.
“Gjykata dërgoi një mesazh të qartë: presidenti nuk mund të dërgojë ushtrinë në qytete pa arsye ligjore,” deklaroi prokurori i përgjithshëm i Oregonit, Dan Rayfield. Ai shtoi se të mërkurën “do të paraqesim argumentet tona në Gjykatën e Shkallës së Parë për ta ndalur këtë vendim njëherë e përgjithmonë.”
Fillimisht, gjykatësja federale që kishte ndaluar vendosjen e Gardës Kombëtare në fillim të tetorit, kishte planifikuar një seancë tre-ditore dëgjimore, nga e mërkura deri të premten, për të shqyrtuar çështjen në themel.
Ngjashëm, gjykatat amerikane kanë pezulluar dërgimin e Gardës Kombëtare edhe në Çikago, pas kërkesave të kryebashkiakut dhe guvernatorit demokrat të Illinois. Për këtë arsye, Trump i është drejtuar Gjykatës së Lartë më 17 tetor, duke kërkuar miratimin për të vijuar me politikën e tij të ndërhyrjes federale në qytete demokratike.
Që nga qershori, presidenti Trump ka dërguar trupa të Gardës Kombëtare në Los Angeles, Uashington dhe Memphis, në disa raste pa miratimin e autoriteteve vendore demokrate, duke shkaktuar debate të ashpra për tejkalimin e kompetencave presidenciale.