BOTA, 25 Shkurt 2023, 21:47

“Kam një vit këtu”, Zelensky prezanton për herë të parë pamje nga brenda shtëpisë ku po jeton që prej nisjes së luftës në Ukrainë: Ky kostum pret fitoren! (VIDEO)

“Kam një vit këtu”, Zelensky prezanton për herë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka treguar pamje nga brenda shtëpisë së tij ku po jeton që prej nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Zelensky zbuloi detaje nga brenda banesës së tij duke folur me gazetarin ukrainas Dmytro Komarov.

“Unë jetoj këtu prej një viti,” thotë Zelensky, teksa tregon veshjet e tij, nga uniformat ushtarake e deri te kostumet e tij.

“Nuk vesh më kostume”, shpjegon presidenti ukrainas, duke lënë të nënkuptuar se që nga nisja e luftës vishet vetëm me uniforma ushtarake.

Ai tregoi gjithashtu edhe një kostum që e përshkroi si “simbol i fitores” së Ukrainës, duke thënë se ai “po pret fitoren e Ukrainës”.

“Ky është një simbol që lufta do të përfundojë së shpejti, ne do të fitojmë. Është simbol i fitores, pret fitoren”, tha Zelensky.

Zelensky nuk e fshehu se gjatë sulmeve me raketa ruse, ai dhe familja e tij u dërguan disa herë në strehimore speciale për të mos rrezikuar jetën e tyre.

“Unë e dua familjen time, por për mua, si president, të qenit këtu ishte prioritet”, tha ai.

Kujtojmë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka drejtuar dje një mesazh rezistence banorëve të vendit të tij, me rastin e përvjetorit të parë të pushtimit rus, duke theksuar se së bashku do ta arrijnë fitoren mbi agresorin rus.

Në videon e publikuar me titullin “viti i pamposhtur”, 45-vjeçari Zelensky shihet i ulur në tavolinën e tij. Ai kujton se si iu drejtua ukrainasve një vit më parë, në një njoftim të nxituar kur filloi pushtimi i vendit nga Rusia.

“Një vit më parë, në këtë ditë, nga i njëjti vend, rreth orës 7 të mëngjesit ju drejtova popullit me një njoftim të shkurtër që zgjati vetëm 67 sekonda”, thotë Zelensky në videon 15-minutëshe të tij.

“… ne jemi te forte. Ne jemi gati për çdo gjë. Do t’i mundim të gjithë. Kështu filloi fjala ime më 24 shkurt 2022, dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë në historinë moderne. U zgjuam herët dhe që atëherë nuk kemi fjetur”, thekson ai.

“Pothuajse të gjithë ne kemi të paktën një kontakt në telefonin tonë i cili nuk do ta marrë më kurrë telefonatën”, shton Zelensky.