BOTA, 4 Shtator 2025, 13:41

Ish presidenti Medvedev kërcënon: Rusia mund të pushtojë më shumë territore ukrainase, do sekuestrojë dhe asetet britanike

Ish presidenti Medvedev kërcënon: Rusia mund të pushtojë

Në një deklaratë që pritet të shkaktojë reagime të forta ndërkombëtare, ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë pushtime të reja të territoreve ukrainase.

Gjithashtu, ai ka kërcënuar se Moska do të konfiskojë pasuritë britanike që ndodhen në Rusi, në kundërpërgjigje ndaj vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të përdorur asetet ruse të ngrira për të financuar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.

Konkretisht, Britania e Madhe ka bërë të ditur se ka shpenzuar rreth 1.3 miliardë dollarë nga fondet e ngrira ruse për blerjen e armatimeve dhe forcimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, konfirmoi se këto fonde janë përdorur për furnizimin me pajisje ushtarake për Kievin.

Përmes një deklarate në Telegram, Medvedev u shpreh se Rusia nuk do të pranojë sekuestrimin e pasurive të saj.

Ai theksoi: “Duke qenë se paratë nuk mund të rikuperohen nëpërmjet gjykatës për arsye të qarta, vendi ynë ka vetëm një mënyrë për t’i marrë mbrapsht ato vlera: t’i marrë në natyrë. Kjo do të thotë në formën e ‘tokës ukrainase’, si edhe të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme që ndodhen atje.”

Gjithashtu, ish-presidenti rus paralajmëroi se çdo konfiskim i paligjshëm i fondeve apo fitimeve ruse do të pasohet me sekuestrim të “pasurive të Kurorës Britanike”, përfshirë edhe pronat britanike që gjenden brenda territorit të Rusisë.