TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-portieri i njohur italian, Francesco Toldo, është bërë protagonist i një ngjarjeje jashtë fushës së futbollit, pasi ndërhyri për të ndaluar një vjedhje biçiklete në qendër të Milanos.
Sipas mediave italiane, Toldo po parkonte skuterin e tij në Via Agnello kur vuri re një skenë të dyshimtë: një i ri po ndiqte një tjetër që po largohej me biçikletë. Pasi u informua se bëhej fjalë për një biçikletë të sapovjedhur, ish-portieri reagoi menjëherë.
“E kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte. Sapo djali më tha se tjetri i kishte vjedhur biçikletën, ndërhyra me shpejtësi dhe e rrëzova përtokë”, deklaroi Toldo për ANSA.
Sipas raportimeve, ish-gardiani i Fiorentinës dhe Interit e ndoqi të dyshuarin deri pranë Corso Vittorio Emanuele II, ku arriti ta ndalonte dhe ta rrëzonte nga biçikleta, duke bërë të mundur kthimin e saj te pronari.
Megjithëse shumë kalimtarë e përshëndetën dhe e vlerësuan për veprimin e tij, Toldo refuzoi të quhej hero.
“Është e vërtetë që njerëzit më njohën dhe donin të më përqafonin, por unë nuk jam hero. Thjesht bëra atë që ishte e drejtë”, u shpreh ai.
Pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist, Francesco Toldo është angazhuar me ekipin Inter Legends, ndërsa shërben edhe si vullnetar në Departamentin e Mbrojtjes Civile të Milanos.