TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një person ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar nga task forca federale në Memphis, duke shënuar vdekjen e dytë brenda katër ditëve dhe të katërtën që lidhet me këtë njësi që nga krijimi i saj në shtator 2025.
Sipas raportimit të NBC News, në operacion ishte i përfshirë Shërbimi i Marshallëve të Shteteve të Bashkuara, ndërsa aksioni u zhvillua të mërkurën gjatë ekzekutimit të një urdhri kontrolli në një dhomë hoteli, në kuadër të një hetimi për trafik droge.
Zëdhënësi i Shërbimit të Marshallëve, Brady McCarron, tha se agjentët u detyruan të thyenin derën pasi i dyshuari refuzoi ta hapte.
Në deklaratën fillestare, autoritetet federale thanë se personi u qëllua pasi kishte drejtuar armën ndaj agjentëve të task forcës. Megjithatë, Byroja e Hetimit e Tennessee (TBI), e cila po zhvillon hetimin, dha një version më të rezervuar, duke theksuar se “për arsye që ende po hetohen, situata u përshkallëzua”, çka çoi në të shtënat nga një agjent i Administratës për Zbatimin e Ligjit për Drogën (DEA), të cilat rezultuan fatale për të dyshuarin.
Task Forca e Sigurisë në Memphis u krijua nga administrata e presidentit Donald Trump si pjesë e një nisme për të rritur praninë e forcave federale dhe të Gardës Kombëtare në disa qytete amerikane me nivele të larta kriminaliteti. Në Memphis, Garda Kombëtare ka mbështetur operacionet e kësaj njësie që nga vjeshta e vitit të kaluar.