BOTA, 10 Korrik 2026, 09:26

Hyri në histori pasi realizoi ëndrrën e saj për të udhëtuar në hapësirë në moshën 82-vjeçare, ndërron jetë pionierja amerikane e aviacionit

Hyri në histori pasi realizoi ëndrrën e saj për të

Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare pionierja amerikane e aviacionit, Wally Funk, gruaja që hyri në histori pasi realizoi ëndrrën e saj për të udhëtuar në hapësirë në moshën 82-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga autoritetet e qytetit Grapevine në Teksas.

Mary Wallace “Wally” Funk vdiq të mërkurën në shtëpinë e saj, e rrethuar nga familjarët. Sipas njoftimit zyrtar, ajo ndërroi jetë për shkaqe natyrore. Kompania private hapësinore Blue Origin, në pronësi të Jeff Bezos, shprehu ngushëllimet për humbjen e saj. Në vitin 2021, Wally Funk u bë gruaja më e moshuar që ka udhëtuar ndonjëherë në hapësirë, kur mori pjesë në fluturimin suborbital të anijes New Shepard të Blue Origin.

Karriera e saj në aviacion ishte e mbushur me arritje. Ajo ishte gruaja e parë që shërbeu si inspektore e sigurisë së avionëve në Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), si edhe instruktorja e parë femër për Administratën Federale të Aviacionit (FAA).

Në vitet 1960, Funk përfundoi me sukses programin e trajnimit për astronautet femra, por, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera, nuk iu dha kurrë mundësia të fluturonte në një mision të NASA-s.

Mikja e saj dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Grapevine, Duff O’Dell, e kujtoi Wally Funk si një grua me “vendosmëri të palëkundur”, duke theksuar se jeta e saj dëshmoi se “ëndrrat nuk kanë datë skadimi”. Me udhëtimin e saj historik në hapësirë, Wally Funk u bë simbol i këmbënguljes dhe frymëzim për breza të tërë grash që ëndërrojnë të ndjekin karrierë në aviacion dhe eksplorimin e hapësirës.