BOTA, 13 Maj 2024, 17:56

Ish-ministri i Financave dënohet me 24 vjet burg për vrasjen e gruas

Ish-ministri i Financave dënohet me 24 vjet burg për vrasjen e gruas

Një ish-ministër i Financave në Kazakistani u dënua me 24 vjet burg për vrasjen e gruas së tij. Quandik Bisibaev, 44 vjeç, u shpall fajtor për torturimin dhe vrasjen e gruas së tij. Gjyqi i tij, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në televizion gjatë shtatë javëve të fundit, u pa gjerësisht si një përpjekje nga autoritetet për të dërguar një mesazh se elita e vendit nuk është më mbi ligjin.

Pamjet CCTV të shfaqura në gjyq tregojnë se Bishibaev e godet vazhdimisht 31-vjeçaren Saltanat Nukenova dhe e tërheq zvarrë për flokë, gjysmë të zhveshur, në dhomën ku ajo vdiq më vonë. Gjithashtu në celularin e tij u gjetën video të tij duke e sharë dhe poshtëruar të mavijosur dhe të gjakosur, disa orë para se ajo të ndërronte jetë në mëngjesin e 9 nëntorit 2023.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev, i cili mori postin e udhëheqësit të vendit pesë vjet më parë, duke zëvendësuar liderin veteran kazak Nursultan Nazarbayev, ka thënë se dëshiron të ndërtojë një shoqëri më të drejtë dhe të përmirësojë të drejtat e grave. Rasti ndihmoi në marrjen e mbështetjes popullore për ligjin për kriminalizimin e dhunës në familje, i cili u miratua nga parlamenti muajin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, një në gjashtë gra në Kazakistan ka pësuar dhunë nga partneri i tyre. Gjatë gjyqit, Bishibaev pranoi se kishte rrahur gruan e tij, por pretendoi se disa nga lëndimet e saj ishin vetëshkaktuar. Ai gjithashtu mohoi se e kishte torturuar ose kishte planifikuar ta vriste. Bishibaev ishte ministër i financave nga maji deri në dhjetor 2016. Ai u dënua me 10 vjet burg në vitin 2018 për ryshfet, por u lirua pasi kreu më pak se tre vjet pasi iu dha amnisti.