TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ish-asistent i një deputeti të partisë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është dënuar me gati pesë vite burg për spiunazh në shërbim të Kinës.
Bëhet fjalë për Jian Guo, i cili u dënua të martën për veprimtari si agjent i shërbimeve sekrete kineze, gjatë kohës kur punonte për deputetin Maximilian Krah, ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe aktualisht përfaqësues i AfD në Bundestag.
Sipas një raportimi të The Guardian, Jian Guo, shtetas gjerman, kishte mbledhur informacione, përfshirë dokumente konfidenciale, gjatë punës së tij në zyrën e Krah në Parlamentin Europian midis viteve 2019 dhe 2024. Ai i kishte kaluar këto të dhëna autoriteteve kineze.
Gjatë gjykimit në një gjykatë në Dresden, u bë e ditur se Guo kishte mbledhur informacione personale për figura të larta të AfD-së, përfshirë bashkëkryetarët e partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Përveç kësaj, ai kishte monitoruar disidentë kinezë që jetonin në Europë. Megjithëse ai mohoi akuzat, gjykata e dënoi me katër vite e nëntë muaj burg.
Ndërkohë, edhe bashkëpunëtorja e tij kineze, Yaqi H., u dënua me burg pasi pranoi se i kishte dhënë Guo informacione në lidhje me fluturime, ngarkesa dhe pasagjerë nga aeroporti i Leipzig-ut, ku ajo punonte. Informacionet kishin të bënin me transportimin e automjeteve ushtarake, trupave dhe dronëve ushtarakë. Maximilian Krah ka deklaruar se e kishte punësuar Jian Guo për shkak të aftësive të tij gjuhësore dhe përvojës në menaxhimin e një kompanie eksport-importi. Pas arrestimit të Guo, ai tha se kishte marrë “masat e nevojshme dhe kishte rritur ndjeshëm sigurinë në zyrën e tij”.
Ndërkohë, në një çështje të veçuar, prokuroria e Dresdenit ka nisur një hetim ndaj Krah për ryshfet dhe pastrim parash, në lidhje me pagesa që dyshohet se i ka marrë nga Kina gjatë kohës kur ishte eurodeputet. Më herët këtë muaj, Bundestagu i hoqi imunitetin, duke i hapur rrugë hetimeve dhe kontrolleve në zyrat e tij në Berlin, Bruksel dhe Dresden, si dhe në banesën e tij. Krah ka mohuar çdo akuzë dhe e ka cilësuar hetimin si një “përpjekje për frikësim politik”.