BOTA, 27 Shkurt 2023, 15:54

Tërmeti tragjik me mbi 44 mijë viktima në Turqi, Erdogan kërkon falje për vonesën në operacionet e shpëtimit

Tërmeti tragjik me mbi 44 mijë viktima në Turqi, Erdogan

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka kërkuar falje për vonesën në operacionet e shpëtimit dhe dhënien e ndihmave për banorët e provincës Antijaman, një nga provincat më të prekura turke nga tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit.

“Për shkak të destruktivitetit të lëkundjeve dhe kushteve të këqija të motit, për shumë ditë nuk mundëm të punonim siç donim në Antijaman. Kërkoj falje për këtë”, tha presidenti turk gjatë vizitës së tij në provincë, tre javë pas tërmetit që vrau më shumë se 44,000 njerëz në Turqi dhe goditi gjithashtu edhe Sirinë fqinje.

Sipas mediave të huaja, një tjetër tërmet me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter goditi sot Turqinë, ku zipas burimeve nga mediat vendase, të paktën një person ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Siç njoftoi agjencia e menaxhimit të fatkeqësive (Afad), epiqendra e tërmetit ishte në provincën turke të Malatya, duke shkaktuar shembjen e disa ndërtesave.

“Fatkeqësisht, një bashkëqytetar yni humbi jetën, 69 të lënduar u dërguan në spitale”, tha në një konferencë për media shefi i shërbimit, Yunus Sezer.

Rreth tridhjetë ndërtesa u shembën nga pasgoditja e sotme.

Kryetari i qytetit të Gezilyurt, i cili është afër epiqendrës, tha për televizionin Habertürk se një baba dhe vajza e tij që po përpiqeshin të mblidhnin sendet personale në shtëpinë e tyre, u varrosën nën rrënojat e një prej ndërtesave të shembura.

“Ndërtesat janë shembur dhe ekipet e kërkim-shpëtimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje”, njoftoi Afad në Tëitter.

Tërmeti goditi në orën 12:04 me orën lokale, sipas Afad.

Kujtojmë se provinca Malatya u godit edhe nga tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit, i cili vrau 44,374 persona në total në Turqi. Tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter shkatërroi 170,000 ndërtesa në 11 provinca turke dhe preku gjithashtu Sirinë fqinje. Që nga 6 shkurti, rreth 10,000 pasgoditje janë regjistruar në Turqi, sipas AFAD.