BOTA, 24 Prill 2025, 16:04

Sulmi rus në Kiev, Trump i drejtohet Putin: Ndalo tani! Le të mbyllim marrëveshjen e paqes për Ukrainën

Sulmi rus në Kiev, Trump i drejtohet Putin: Ndalo tani! Le të mbyllim

Me një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish për luftën në Ukrainë, duke kritikuar drejtpërdrejt Vladimir Putinin dhe sulmet ruse ndaj Kievit.

“Unë nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në Kiev. Nuk janë të nevojshme dhe koha është shumë e keqe. Vladimir, ndalo! Pesë mijë ushtarë po vdesin çdo javë. Le të mbyllim marrëveshjen e paqes!” shkroi ai në llogarinë e tij personale në Truth Social.

Ky postim vjen në një periudhë tensioni në frontin ukrainas, me sulmet ruse që po shtohen dhe humbjet e jetëve njerëzore që po rriten në mënyrë dramatike.

Moska: Të arritura të gjithë objektivat

Më herët, Rusia deklaroi se kishte përfunduar me sukses një seri sulmesh gjatë natës në disa zona të Ukrainës, duke theksuar se objektivi i sulmeve ishte shkatërrimi i infrastrukturave ushtarake kyçe.

Në një njoftim nëpërmjet Telegram, Ministria e Mbrojtjes ruse foli për një “sulm masiv” nga toka, ajri dhe deti, i cili synonte industri të prodhimit të paisjeve ajrore, raketore dhe hapësinore, si dhe njësitë që prodhojnë sisteme mekanike dhe blinduese. Po ashtu, sipas njoftimit, u goditën instalacione që prodhojnë karburantë për shtytës dhe barut.

“Objektivat e operacionit u arritën. Të gjithë objektivat e parashikuar u shkatërruan,” shkruhej në mesazhin e Moskës.