BOTA, 23 Prill 2025, 21:08

Zjarre masive në Jerusalem, shkak temperat e larta

Zjarre masive në Jerusalem, shkak temperat e larta

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi sot se po shqyrton mundësinë për të kërkuar ndihmë nga Greqia dhe vende të tjera për të luftuar zjarret që kanë përfshirë zonën përreth Jerusalemit.

Zjarret shpërthyen sot në mëngjes në zona pyjore si pasojë e temperaturave të larta dhe më pas u përhapën me shpejtësi.

Policia evakuoi banorët nga disa fshatra rreth 20 kilometra në perëndim të Jerusalemit, ndërsa zjarrfikësit janë vendosur në terren për të përpjekur të vënë nën kontroll flakët.

Duke folur nga shtabi i shërbimeve zjarrfikëse, Netanjahu urdhëroi ekipin e tij të mbajë kontakte me Greqinë dhe vende të tjera fqinje, në rast se është e nevojshme të kërkohet ndihmë për përballimin e situatës.

“Ende nuk e dimë se si do të zhvillohet kjo situatë,” deklaroi kryeministri izraelit.

Sipas pamjeve të agjencisë France-Presse nga terreni, shumë avionë të shpëtimit janë dislokuar në zonë për të ndihmuar në operacionet kundër zjarrit.

“Policia e Izraelit, policia kufitare, zjarrfikësit, shërbimet e shpëtimit, Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve, shërbimet lokale të sigurisë dhe agjenci të tjera të emergjencës po vazhdojnë të reagojnë ndaj përhapjes së zjarreve,” thuhet në një deklaratë të policisë.