BOTA, 26 Korrik 2025, 13:54

Franca liron pas 41 vitesh burgim ekstremistin e majtë pro-palestinez. Kush është mësuesi libanez

Franca liron pas 41 vitesh burgim ekstremistin e majtë pro-palestinez. Kush

Lirohet pas 41 vitesh, Georges Abdallah, ish-mësuesi militant i krahut të majtë nga Libani.

Ai mbahej i burgosur në burgun francez të Lannemazanit.

74-vjeçari, i dënuar në vitin 1987 për përfshirje në vrasjen e një diplomati amerikan dhe një zyrtari izraelit në Paris, u riatdhesua menjëherë drejt Libanit, ku pritet të mbërrijë në Bejrut.

Abdallah, një figurë e kontestuar, është konsideruar prej kohësh si një simbol i rezistencës së majtë pro-palestineze. Ai ishte anëtar i grupit marksist-leninist Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, Komanda e Veçantë, që mori përgjegjësinë për disa sulme ndaj interesave amerikane dhe izraelite në Evropë në vitet ’80.

Franca liron pas 41 vitesh burgim ekstremistin e majtë pro-palestinez. Kush

Gjatë gjyqit, ai mohoi përfshirjen direkte në vrasje, por mbrojti legjitimitetin politik të veprimeve të grupit. Megjithëse atij iu dha e drejta për lirim me kusht, por që nga viti 1999, autoritetet franceze e kanë refuzuar lirimin e tij në mënyrë të përsëritur.

Avokati i Abdallah, Jean-Louis Chalanset, theksoi se “presioni politik i vazhdueshëm nga SHBA-ja dhe Izraeli” ndikoi në mbajtjen e tij në burg përtej afatit të dënimit.

“Është një fitore për drejtësinë, por edhe një skandal politik që ai nuk u lirua më herët,” deklaroi Chalanset.

Ndër mbështetësit e Abdallah gjatë viteve ka qenë edhe shkrimtarja dhe fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi 2022, Annie Ernaux, e cila e quajti atë “një viktimë të drejtësisë shtetërore, për të cilën Franca duhet të turpërohet.”

Në një intervistë të dhënë së fundmi për agjencinë franceze AFP nga qelia e burgut, Abdallah u shpreh se ka qëndruar i fortë duke u fokusuar te “lufta për Palestinën”.

Vendimi për lirimin e tij u mor nga Gjykata e Apelit, e cila e cilësoi paraburgimin e tij të mëtejshëm si “joproporcional”.