BOTA, 25 Korrik 2025, 18:41

Finlanda thyen rekordin 50-vjeçar të nxehtësisë, 14 ditë radhazi me temperatura mbi 30 gradë Celsius. "Digjet" edhe fshati i Santa Klaus

Finlanda thyen rekordin 50-vjeçar të nxehtësisë, 14

Finlanda ka përjetuar periudhën më të gjatë të temperaturave mbi 30 gradë Celsius, duke thyer një rekord 50-vjeçar të temperaturës, tha të martën Instituti Meteorologjik i vendit.

Merkuri arriti 30.3 gradë Celsius para mesditës në komunën e Parikala, në Finlandën lindore, duke shënuar 14 ditë radhazi me temperatura mbi 30 gradë Celsius në disa pjesë të vendit, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 13 ditësh radhazi të vendosur në qershor dhe korrik 1972.

“Kjo është periudha më e gjatë e temperaturave që tejkalojnë 30 gradë Celsius që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961”, shkroi instituti finlandez në X.

Vendi skandinav aktualisht po përjeton një valë të nxehti “me kohëzgjatje jashtëzakonisht të gjatë”, sipas të njëjtit burim.

Ngrohja globale do të çojë në valë më të shpeshta të të nxehtit në përgjithësi, tha për AFP meteorologu Vil Siiskonen, por nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar shkaqet e sakta të kësaj vale të veçantë të të nxehtit.

“Valët e të nxehtit do të zgjasin më shumë dhe do të jenë më të shpeshta”, tha ai.

Rekordi vjen një vit pasi Lapland, e cila përfshin Finlandën veriore, Norvegjinë dhe Suedinë, përjetoi verën e saj më të ngrohtë në 2,000 vjet në vitin 2024, me ndryshimet klimatike që rrisin gjasat e verave të tilla të nxehta me rreth 100 herë.

Finlanda thyen rekordin 50-vjeçar të nxehtësisë, 14

Laplanda po përballet me një valë të nxehti historike, me temperatura që kanë kaluar 30°C për 14 ditë rresht, për herë të parë që nga fillimi i matjeve në vitin 1961. Në Rovaniemi, brenda Rrethit Arktik, ku ndodhet fshati turistik i Santa Claus, vala e të nxehtit ka zgjatur tashmë 15 ditë.

Në Laplandë, ku temperatura të tilla janë jashtëzakonisht të rralla, kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme.

Temperaturat më të larta deri tani, 31.7°C, janë matur në Ylitornio dhe Sodankylä – rreth 10°C mbi mesataren sezonale për Laplandën.

Shqetësime për ndryshimet klimatike
Shkencëtarët paralajmërojnë se kjo ngjarje tregon ndikimin e ngrohjes globale në Arktik, që po ngrohet 4 deri në 5 herë më shpejt se pjesa tjetër e botës. Edhe pse kjo valë e veçantë e të nxehtit nuk shkaktohet drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike, pa to temperaturat nuk do të kishin qenë kaq të larta, thonë ekspertët.

Prof. Jeff Welker nga Universiteti i Arktikut thotë:
“Ngjarje të tilla ekstreme, si të nxehti apo reshjet intensive, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Shenja e ndryshimeve klimatike është kudo.”

Edhe drerët e Santa-s në vështirësi
Vala e të nxehtit ka prekur edhe drerët e famshëm të Laplandës. Temperaturat e larta dhe mushkonjat që shumohen në këto kushte i kanë detyruar kafshët të zbresin pranë rrugëve dhe fshatrave për të gjetur freski.

“Me valë të nxehti më të gjata në Arktik, blegtorët mund të detyrohen të ndërtojnë stalla të mëdha për t’u dhënë hije renëve,” paralajmëron Prof. Welker.

Turistët të habitur: Erdhëm të ftohemi, po na përvëlon
Laplanda njihet si destinacion i ftohtë turistik, por këtë vit vizitorët janë të befasuar.
“Është super-nxehtë, 30°C po më vret. Erdha të ikja nga i nxehti,” thotë Silvia, një turiste nga Praga që viziton fshatin e Santa-s. “Prisja mot shumë më të ftohtë dhe kam marrë me vete vetëm një bluzë me mëngë të shkurtra – po e vesh çdo ditë.”

Santa, ndërkohë, pranon me humor sfidën:
“Një verë e nxehtë mund të jetë e bukur për disa, por unë e preferoj të ftohtin dhe dëborën. Dimri është më i mirë.”