BOTA, 27 Maj 2025, 18:00

Evropa e gatshme për dialog, Trump mirëpret ofertën për negociata tregtare

Evropa e gatshme për dialog, Trump mirëpret ofertën për

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përshëndetur sinjalin e Bashkimit Evropian për rifillimin e bisedimeve tregtare, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet transatlantike.

“Sapo jam informuar se BE-ja ka kërkuar caktimin e shpejtë të datave për takime. Kjo është një ngjarje pozitive”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi ai paralajmëroi vendosjen e tarifave ndëshkuese prej 50% ndaj mallrave evropiane duke filluar nga 1 qershori. Megjithatë, Trump vendosi të pezullojë aplikimin e këtyre tarifave deri më 9 korrik, duke i lënë kohë të dyja palëve për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.

Në të njëjtën linjë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin “X” se Evropa është e gatshme të ecë përpara me negociatat “shpejt dhe me vendosmëri”, siç u shpreh ajo pas një bisede telefonike me presidentin amerikan.

Afati i 9 korrikut shihet si moment kyç për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.