BOTA, 24 Janar 2023, 13:35

Ekstremisti holandez gris Kuranin në qendër të Hagës

Ekstremisti holandez gris Kuranin në qendër të Hagës

Udhëheqësi i lëvizjes holandeze të krahut të djathtë, "Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit" (PEGIDA), Edwin Wagensveld, grisi një kopje të Kuranit në qendër të Hagës.

Ekstremisti holandez e kreu aktin dje rreth orës 14:00, dhe pamjet e grisjes së librit të shenjtë islamik i shpërndau në Twitterin e tij.

Wagensveld ishte vetëm gjatë incidentit dhe gjithçka ndodhi nën mbrojtjen e policisë. Atij iu lejua ta bënte këtë, me kusht që të mos digjte Kuranin sipas shembullit të incidentit të së shtunës në Suedi.

Ky është rasti i dytë pas protestës së mbajtur në Stokholm, Suedi, në fundjavë, ku u dogj edhe një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të islamit.

Veprimi nxiti reagimin e ashpër të Turqisë, përmes Presidentit Erdogan që dënoi djegien e Kuranit duke theksuar se asnjë individ nuk e ka lirinë të ofendojë besimin e myslimanëve ose feve të tjera.

Sipas tij ata që lejojnë akte të tilla të turpshme përpara ambasadës turke në Stokholm nuk mund të presin lajme të mira nga Ankaraja për anëtarësimin në NATO. “Nëse Suedia nuk do të tregojë respekt për Turqinë apo myslimanët, atëherë ata nuk do të shohin asnjë mbështetje nga ne për çështjen e NATO-s”, tha ai, ndërsa Turqia ka thënë se do të vendosë veton për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Ankaraja ka qenë nën presion në rritje nga zyrtarët suedezë dhe finlandezë, si dhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të miratuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës që kur të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh gjatë një samiti të NATO-s në Madrid, në qershor 2022.