BOTA, 4 Qershor 2025, 18:07

E zhdukur prej 11 vjetësh, 14-vjeçarja gjendet në Spanjë, arrestohet nëna dhe partneri i saj

E zhdukur prej 11 vjetësh, 14-vjeçarja gjendet në Spanjë,

Një vajzë 14-vjeçare është gjetur pas 11 vitesh që ishte zhdukur dhe mbajtur e fshehur në Spanjë me identitet të rremë. Për këtë ngjarje janë arrestuar katër persona, përfshirë nënën e saj dhe partnerin e saj.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Milanos, vajza ishte zhdukur në moshën trevjeçare, në periudhën 2013–2014, kur një vendim gjykate i kishte dhënë kujdestarinë e saj Komunës së Milanos. Nëna kishte shkelur vendimin duke u zhdukur së bashku me vajzën dhe kishte emigruar në Spanjë.

Pas një hetimi të përbashkët nga Njësia për Mbrojtjen e Grave dhe të Miturve në Milano dhe Karabinierët, nëna u lokalizua në qytetin e Valencias. Partneri i saj rezultoi të kishte ndihmuar aktivisht në fshehjen e vajzës. Po ashtu, edhe gjyshja dhe një familjar tjetër në Itali kishin ofruar mbështetje.

Me urdhër arresti europian, nëna dhe partneri i saj janë vënë në pranga dhe ndodhen tashmë në burg. Ndërsa gjyshja dhe familjari tjetër janë vendosur në arrest shtëpie.

Ata akuzohen për rrëmbim të mituri me rrethana rënduese dhe largim ndërkombëtar të fëmijës nga kujdestaria ligjore.