BOTA, 22 Qershor 2026, 16:15

E rëndë në Katar, shpërthim në impiantin e gazit në Ras Laffan, 13 të vdekur dhe 66 të plagosur! Sabotim apo aksident?

E rëndë në Katar, shpërthim në impiantin e gazit

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 66 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një impiant energjetik në zonën e Ras Laffan, në Katar, bëri të ditur Ministri i Energjisë i vendit.

Sipas të dhënave paraprake, incidenti dyshohet se është shkaktuar nga një aksident dhe nuk lidhet me ndonjë akt sabotimi apo sulm të qëllimshëm. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë menaxhimin e situatës.

Ministri i Energjisë i Katarit ka kërkuar të qetësojë tregjet ndërkombëtare dhe partnerët energjetikë, duke deklaruar se ngjarja nuk pritet të ndikojë në eksportet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) apo në furnizimin e brendshëm të vendit.

“Incidenti nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në eksportet apo kërkesat lokale”, u shpreh ministri, duke garantuar vijimësinë e prodhimit dhe furnizimit me energji.

Ras Laffan është një nga zonat më të rëndësishme energjetike të Katarit dhe një prej qendrave kryesore në botë për prodhimin dhe eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Për këtë arsye, çdo incident në këtë kompleks ka rëndësi të veçantë për tregjet globale të energjisë.