BOTA, 22 Qershor 2026, 10:40

Kryeministri britanik Keir Starmer jep dorëheqjen pas dy vitesh në pushtet

Kryeministri britanik Keir Starmer jep dorëheqjen pas dy vitesh në

Keir Starmer ka njoftuar se do të largohet nga posti i kryeministrit pas disa ditësh presioni të fortë nga deputetët laburistë, përfshirë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar. 

Ai ka lënë postin si kryetar i Partisë Laburiste çka nënkupton edhe largimin nga detyra e kryeministrit, sapo të zgjidhet kryetari i ri i partisë. 

Më pak se dy vjet pas fitores historike në zgjedhje, Starmer ishte përballur me thirrje nga deputetët e tij që të përcaktonte një afat për largimin, ndërsa shumë prej tyre ishin të shqetësuar nga rritja e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë të Nigel Farage, përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Përpara se të njoftonte dorëheqjen, Starmer tha se kishte trashëguar një Parti Laburiste që ishte “politikisht, financiarisht dhe moralisht e falimentuar”.

Starmer deklaroi se tashmë kolegët e tij në Partinë Laburiste po ngrenë pyetjen nëse është ai personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr partinë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Pyetja që partia ime po shtron tani është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për të na udhëhequr drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Unë e kam dëgjuar përgjigjen e grupit tonë parlamentar ndaj kësaj pyetje dhe e pranoj atë me dinjitet dhe respekt.

Çdo vendim që kam marrë ka qenë i udhëhequr nga qëllimi për të vendosur në radhë të parë vendin që dua. Për këtë arsye, do të jap dorëheqjen si lider i Partisë Laburiste.

Këtë mëngjes kam biseduar me Madhërinë e Tij, Mbretin, për ta informuar mbi vendimin tim", deklaroi ai. 

Vendimi i Starmer për të shpallur vetë largimin, do të hapë garën për pasardhësin në krye të Partisë Laburiste dhe qeverisë britanike, duke i dhënë Mbretërisë së Bashkuar kryeministrin e saj të shtatë në vetëm dhjetë vjet.

Në pozicionin më të favorshëm për ta fituar këtë garë shihet Andy Burnham, i cili së fundmi mposhti kandidatin e Reform UK në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield.