BOTA, 22 Qershor 2026, 14:59

Vala e të nxehtit përfshin Evropën, tre të vdekur në Francë, alarm i kuq në Spanjë dhe Itali

Vala e të nxehtit përfshin Evropën, tre të vdekur në

Tre persona vdiqën në Francë nga sëmundje të lidhura me nxehtësinë dhe gati 2,700 shkolla u përgatitën të mbyllnin ose të ndryshonin oraret e tyre, pasi autoritetet në të gjithë Evropën lëshuan paralajmërime për një valë të nxehti.

Temperaturat në Bordeaux, në Francën jugperëndimore, parashikohej të kalonin 42 gradë Celsius të hënën dhe Meteo France tha se 49 rajone ishin në alarm të kuq për valë të nxehti për sot.

“Po shkojmë drejt të paktën disa ditëve me mot shumë, shumë të nxehtë. Nuk e dimë se kur do të fillojnë të bien temperaturat”, tha ministrja Franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, për stacionin televiziv TF1.

Në Spanjë, agjencia shtetërore meteorologjike Aemet ka shpallur alarm të kuq për Vendin Bask, me zhivën në San Sebastian që pritet të arrijë 40 gradë Celsius, pothuajse dyfishi i mesatares historike për këtë kohë të vitit, sipas Reuters Climate Monitor.

“Po shohim temperatura 5 deri në 10 gradë mbi normalen për këtë kohë të vitit dhe në disa zona veriore edhe më shumë se 10 gradë mbi mesataren”, tha Ruben del Campo, një zëdhënës i Aemet.

Italia po përballet gjithashtu me një valë të nxehti. Sipas meteorologëve, nxehtësia intensive do të vazhdojë të godasë vendin të paktën deri në ditët e para të korrikut.

Deri në mesin e javës, termometri pritet të arrijë 40 gradë në zona të tilla si ishulli i Sardenjës, Lombardia dhe Emilia Romagna, si dhe në brendësi të Italisë qendrore.

Në Gjermani, organizatorët pezulluan finalen e turneut të tenisit Berlin Open dhe nxorën të gjithë pjesëmarrësit nga vendi i ngjarjes, ndërsa temperaturat në kryeqytetin gjerman arritën në 30 gradë Celsius gjatë fundjavës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimi kombëtar i motit i Meteorologjisë ka lëshuar një paralajmërim për “nxehtësi ekstreme” për pjesën më të madhe të Anglisë jugore dhe pjesë të Uellsit nga e hëna deri të enjten, duke parashikuar temperatura prej 38 gradë Celsius.