BOTA, 15 Tetor 2022, 19:52

E rëndë në Francë/ Nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, efektivi qëllon për vdekje shoferin e makinës! Nisin hetimet për vrasje me dashje

E rëndë në Francë/ Nuk iu bind urdhrit të policisë

Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në Paris të Francës, ku një efektiv policie qëlloi për vdekje një drejtues automjeti.

Ngjarja ndodhi në zonën e Vincennes në kryeqytetin francez, ku dy efektivë policie i bënë shenjë një automjeti për të ndaluar.

Por drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej. Në këtë moment, një prej efektivëve nxorri armën e shërbimit dhe qëlloi në drejtim të shoferit.

Sipas mediave franceze, në makinë ishin tre persona, por vetëm shoferi u qëllua. Pas të shtënave, makina devijoi dhe u përplas me një tjetër automjet.

Pavarësisht se i dhanë ndihmën e parë, shoferi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Policia e Parisit ka ndaluar dy efektivët, ndërsa ndaj autorit të ngjarjes kanë nisur hetimet për vrasje me dashje. Autoritetet ende nuk kanë zbuluar shkakun e ngjarjes si dhe nuk kanë publikuar arsyen pse efektivi kërkoi ndalimin e makinës.