BOTA, 15 Tetor 2022, 08:54

“Atë e urrenin, por ishte i lidhur me…”/ Ish-vartësi zbulon të pathënat mbi komandantin e ri të përgjithshëm të Rusisë për luftën në Ukrainë

“Atë e urrenin, por ishte i lidhur me…”/

Lufta shkatërruese e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës tani, ka një gjeneral të ri në krye, me reputacion të njohur për brutalitet. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të shtunën e kaluar emëroi Sergey Surovikin si komandantin e saj të ri të përgjithshëm për operacionet luftarake.

Veçanërisht, ai ka luajtur më parë një rol të rëndësishëm në operacionet e Rusisë në Siri – gjatë të cilave avionët luftarakë rusë shkaktuan shkatërrim të gjerë në zonat e kontrolluara nga rebelët. Asokohe ai ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Forcave Ajrore Ruse.

CNN foli me një ish-toger të forcave ajrore ruse, Gleb Irisov, i cili shërbeu nën drejtimin e forcave ruse në Siri.

Ai tha se komandanti i ri Surovikin ishte “shumë afër me regjimin e Putinit” dhe “kurrë nuk kishte pasur ndonjë ambicie politike, kështu që gjithmonë ekzekutonte një plan pikërisht ashtu siç dëshironte qeveria”.

Analistët thonë se emërimi i Surovikin ka shumë pak gjasa të ndryshojë mënyrën se si forcat ruse po kryejnë luftën, por se ai flet për pakënaqësinë e Putinit me komandantët e operacioneve të mëparshme.

Gjithashtu, ka të ngjarë të ketë për qëllim “zbutjen” e bazës nacionaliste dhe pro-luftës brenda vetë Rusisë, sipas Mason Clark, Drejtues i Rusisë në Institutin për Studimin e Luftës (ISW).

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, i cili i ka bërë thirrje Rusisë që të “marr masa më drastike” duke përfshirë përdorimin e “armëve bërthamore me rendiment të ulët” në Ukrainë pas pengesave të fundit, përshëndeti emërimin e Surovikin.

Lavdërimi publik që bëri Kadyrov, i cili është një aleat kyç i Putinit, është i rëndësishëm, ndoshta, pasi ai vetë është i njohur për shtypjen e të gjitha formave të mospajtimit.

“Unë personalisht e njoh shumë mirë Sergein për gati 15 vjet. Mund të them patjetër se ai është një gjeneral dhe luftëtar i vërtetë, komandant me përvojë, kokëfortë dhe largpamës, i cili gjithmonë vë të parin mbi të gjitha patriotizmin, nderin dhe respektin”, postoi Kadyrov në rrjetet sociale, pas lajmit për emërimin e Surovikin të shtunën e kaluar.

“Grupi i ushtrisë së bashkuar është tani në duar të sigurta,” shtoi ai.

“Ata e urrenin atë”

Irisov, ish-vartësi i Surovikin, la karrierën e tij pesëvjeçare në forcat e armatosura pas qëndrimit në Siri, sepse pikëpamjet e tij politike bien ndesh me atë që ai përjetoi.

“Sigurisht, ju e kuptoni, kush ka të drejtë dhe kush ka gabuar,” tha Irisov. “Unë kam qenë dëshmitar i shumë gjërave, duke qenë brenda sistemit.”

Irisov më pas filloi atë që ai shpresonte se do të ishte fillimi i një karriere si gazetar ndërkombëtar, si reporter ushtarak me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Gruaja e tij punonte atje dhe ai ndjeu në atë kohë se ishte “e vetmja agjenci kryesore informacioni” që u përpoq të mbulonte lajmet në një mënyrë “të paanshme”, me “disa mundësi për lirinë e fjalës”, tha ai.

“Gjithçka ndryshoi” më 24 shkurt 2022, kur filloi pushtimi i Putinit në Ukrainë dhe TASS mori urdhra nga shërbimi i sigurisë FSB dhe ministria e mbrojtjes “që të gjithë do të ndiqen penalisht nëse nuk e zbatojnë skemën e propagandës”, tha Irisov.

Ai kishte një familje në Kiev, të fshehur në strehimoret e bombave dhe i tha CNN se e dinte se “asgjë nuk mund ta justifikonte këtë luftë”. Ai e dinte gjithashtu nga kontaktet e tij ushtarake se tashmë kishte shumë viktima në ditët e para të luftës.

“Për mua ishte e qartë që në fillim,” kujtoi Irisov. “Unë u përpoqa t’u shpjegoj njerëzve se kjo luftë do të çojë në kolapsin e Rusisë … do të jetë një tragjedi e madhe jo vetëm për ukrainasit, por edhe për Rusinë.”

Irisov u largua nga Moska me gruan e tij shtatzënë dhe fëmijën e vogël më 8 mars 2022, pasi qëndroi kundër pushtimit.

Ai kishte lënë punën e tij në TASS dhe kishte nënshkruar peticionet dhe një letër të hapur kundër luftës, tha ai për CNN.

Pasi udhëtuan në Armeni, Gjeorgji, Turqi dhe në fund Meksikë, ku kontaktuan ambasadën amerikane për të kërkuar ndihmë, tani ata po punojnë për të nisur një jetë të re në Virxhinia Perëndimore.

Ndërsa shërbente në bazën ajrore të Latakias në Siri në 2019 dhe 2020, 31-vjeçari thotë se ka punuar në sigurinë e aviacionit dhe kontrollin e trafikut ajror, duke koordinuar fluturimet me linjat ajrore civile të Damaskut.

Ai thotë se e pa Surovikin disa herë gjatë disa misioneve dhe foli me oficerët e rangut të lartë nën të.

“Ai i zemëroi shumë njerëz – ata e urrenin atë,” tha Irisov, duke përshkruar se si gjenerali nuk ishte i pëlqyer në seli për shkak të mënyrës se si ai u përpoq të zbatonte përvojën e tij të këmbësorisë në forcat ajrore.

Irisov thotë se ai e kupton se Surovikin kishte lidhje të forta me kompaninë ushtarake private të miratuar nga Kremlini, grupin Wagner, e cila ka operuar në Siri.

Kremlini mohon çdo lidhje me Wagnerin dhe këmbëngul se kompanitë private ushtarake janë të paligjshme në Rusi.