TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Punonjësit e shpëtimit në Bangkok kanë gjetur shenja jete nën rrënojat e një ndërtese të lartë në Bangkok që u shemb për shkak të një tërmeti shkatërrimtar, njoftuan sot mediet tajlandeze.
”Rreth 15 persona janë bllokuar nën rrënojat në grupe prej tre deri në shtatë”, raportuan disa medie duke cituar autoritetet.
”Ekipet e shpëtimit po përpiqen t’u sjellin ujë dhe ushqim”, tha Suriyachai Rawiwan, drejtor i organizatës kombëtare të ndihmës ndaj fatkeqësive, sipas radiostacionit Thai PBS.
Por, disa nga të mbijetuarit janë bllokuar disa metra nën sipërfaqe.
“Ne kemi rreth 72 orë për t’i ndihmuar ata, sepse kjo është koha e përafërt që një person mund të mbijetojë pa ujë dhe ushqim”, tha Rawiwan.
Është ende e paqartë saktësisht se sa njerëz kanë mbetur nën mbetjet e blloqeve të kullës 30-katëshe, e cila ishte në ndërtim e sipër kur u shemb të premten, pas tërmeteve të forta që goditën rajonin.
Njerëzit janë duke pritur jashtë vendit për lajme për të afërmit e tyre, por policia i ka kërkuar publikut që të shmangë grumbullimin në ndërtesë për të mos penguar punën e shpëtimit që përfshin pajisje të rënda.
Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7,7 ballë Rihter ishte në Mianmar, ku më shumë se 1 000 persona kanë vdekur.
Në Tajlandën fqinje, zyrtarët kanë konfirmuar deri më tani një pjesë të vogël të vdekjeve, ndërsa më shumë se 100 persona janë të zhdukur.