BOTA, 10 Qershor 2024, 10:35

Von der Leyen drejt mandatit të dytë si presidente e KE? Meloni: Shumë herët për të vendosur! Rezultati i partisë së Le Pen në Francë, i rëndësishëm

Von der Leyen drejt mandatit të dytë si presidente e KE? Meloni:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka thënë se është shumë herët për të dhënë një përgjigje në lidhje me mundësinë e një mandati të dytë për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Duke folur për një Radio italiane për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare evropiane, Meloni shtoi se treguan se Evropa duhet të zbatojë politika më pragmatike në të ardhmen dhe se Italia do të ketë një rol themelor në këtë.

“Është herët për të dhënë një përgjigje, ende jemi duke mbledhur të dhënat për të kuptuar mazhorancën e mundshme. Nga njëra anë, disa nga partitë që e kanë mbështetur po mbahen mirë, por edhe partitë që nuk e kanë mbështetur po rriten”, tha ajo.

Me 96% të votave të numëruara, partia e Melonit, Fratelli d’Italia, fituan 28.8% të votave, më shumë se katër herë nga sa mori në zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019 dhe duke tejkaluar 26% që siguroi në votën kombëtare të vitit 2022, kur u rrit në pushtet.

Italia, e cila do të mbajë 76 nga 720 vendet në parlamentin e ri, mund të luajë një rol vendimtar në vendosjen e ekuilibrit të pushtetit në bllok.

Kjo do të thotë se kryeministrja italiane mund të vendosë për fatin politik të von der Leyen dhe nëse ajo merr mbështetje të mjaftueshme për të siguruar një mandat të dytë.

Sa i përket rezultateve në Francë, Meloni u shpreh se rezultati i partisë së Marine Le Pen, kundërshtares së Macron, ishte shumë i rëndësishëm.

“Unë besoj se rezultati i partisë së Marine Le Pen ishte shumë i rëndësishëm dhe kam thënë prej disa kohësh se rruga që po ndjek Marine Le Pen është sigurisht shumë interesante dhe tregon atë që po ndodh, që ka të bëjë me Francën, Gjermaninë dhe vende të ndryshme, Belgjikën. Me pak fjalë, partitë qeveritare kanë pësuar pothuajse kudo, ndaj mendoj se ky rezultat është edhe më i rëndësishëm”, shtoi Meloni.