TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sudani është kthyer prej dy ditësh lajm i parë në zhvillimet ndërkombëtare. Vendi me 45.7 milionë banorë në verilindje të Afrikës është përfshirë në një luftë civile që në këto 48 orë numëron të paktën 56 të vrarë dhe rreth 600 të plagosur. Mes viktimave ka ushtarë dhe civilë.
Kryeqyteti vendit, Khartoum është kthyer në arenë përleshjesh për shkak të një përplasjeje mes 2 gjeneralëve në krye të ushtrisë. Në qytet dëgjohen të shtëna armësh dhe zhurma të artilerisë së rëndë, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim. Hapësira ajrore e vendit është mbyllur pasi u sulmua edhe aeroporti i vendit. Ka raportime se është rrëzuar një avion.
Pse kjo luftë në Sudan?
Në tetor 2021 pati një grusht shteti në vend. Që nga ajo kohë Sudani është drejtuar nga një këshill gjeneralësh. Por mes 2 prej ushtarakëve në krye ka lindur një mosmarrëveshje. Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan është kreu i forcave të armatosura dhe në fakt presidenti i vendit.
Në krahun tjetër është zëvendësi i tij dhe udhëheqësi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe Hemedti. Ata nuk kanë rënë dakord për drejtimin në të cilin po shkon vendi.
Gjenerali Al-Buhran propozon një drejtim civil të vendit dhe jo ushtarak. Një tjetër pikë që Hemedti nuk bie dakord është plani për të kthyer RSF-në, një forcë paraushtarake me 100 mijë trupa në ushtri zyrtare, por edhe për atë se kush do të drejtojë më pas forcën e re.
Pse filloi gjithçka të shtunën?
Dhuna e fundit pason disa ditë tensioni pasi anëtarët e RSF-së u zhvendosën në të gjithë vendin në një lëvizje që ushtria e pa si një kërcënim. Kishte shpresa se bisedimet mund ta zgjidhnin situatën, por kjo nuk ndodhi kurrë. Nuk dihet se kush e nisi zjarrin mëngjesin e së shtunës, por ekziston frika se kjo situatë do të përkeqësojë edhe më shumë situatën. Diplomatët u kanë kërkuar të dyja palëve të pushojnë zjarrin.
Kush janë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë?
RSF u formua në vitin 2013 dhe e ka origjinën nga milicia famëkeqe Janjaweed që luftoi brutalisht kundër rebelëve në Darfur. Që atëherë, gjenerali Dagalo ka ndërtuar një forcë të fuqishme që ka ndërhyrë në konfliktet në Jemen dhe Libi dhe kontrollon disa nga minierat e arit të Sudanit.
Ajo është akuzuar shpesh për shkelje të të drejtave të njeriut duke përfshirë edhe masakrën e më shumë se 120 protestues të vrarë në qershor 2019. Kjo forcë ushtarake jashtë forcave zyrtare të armatosura është parë shpesh si burim jostabiliteti në vend.
Pse është ushtria në krye?
Në vitin 2019 pati një grusht shteti në vend që rrëzoi presidentin Omar al-Bashir. Në atë kohë pati protesta të mëdha në rrugë që bënin thirrje për t’i dhënë fund sundimit të tij prej gati 3 dekadash. Këtë situatë e shfrytëzoi ushtria që bëri një grusht shteti duke e hequr qafe presidentin. Por civilët vazhduan të kërkonin të kishin rol në planet për të ecur drejt një regjimi demokratik.
Më pas u krijua një qeveri e përbashkët ushtarako-civile, por ajo u rrëzua në një tjetër grusht shteti në tetor 2021. Që atëherë, rivaliteti midis Gjeneral Burhan dhe Gjeneral Dagalo është intensifikuar. Një marrëveshje kornizë për ta kthyer pushtetin në duart e civilëve u ra dakord dhjetorin e kaluar, por bisedimet për të finalizuar detajet kanë dështuar.
Çfarë mund të ndodhë tani?
Nëse luftimet vazhdojnë, atëherë ato mund të copëtojnë më tej vendin dhe të përkeqësojnë turbulencat politike. Diplomatët, të cilët kanë luajtur një rol vendimtar në përpjekjen për të nxitur një kthim në sundimin civil duken të pashpresë për të gjetur një mënyrë për t’i bërë dy gjeneralët të bisedojnë. Për fat të keq do të jenë sudanezët e thjeshtë ata që do të duhet të kalojnë një tjetër periudhë pasigurie.