TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit (RSF) njoftuan sot se kanë nën kontroll pallatin presidencial, rezidencën e shefit të ushtrisë, gjeneral Abdel Fattah al-Burhan dhe aeroportin ndërkombëtar në Khartoum. Përplasjet shpërthyen duke çuar në një përshkallëzim të luftës për pushtet të vendit, ndërkohë që bisedimet po zhvilloheshin sipas një plani tranzicioni që mund të çonte në zgjedhje.
Partitë politike të Sudanit që kishin nënshkruar një marrëveshje fillestare për ndarjen e pushtetit me ushtrinë e vendit dhe forcat e fuqishme paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) bënë thirrje sot për një fund të menjëhershëm të armiqësive mes tyre.
Partitë politike u kërkuan ndërkombëtarëve që të ndihmojnë menjëherë për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqësi i vendit dhe kreu i ushtrisë, ka mohuar pretendimet e grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë se kontrollonte pallatin presidencial, selinë ushtarake dhe aeroportin.
Për situatën ka reaguar dhe sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, duke thënë se është “e brishtë”. Në të njëjtën kohë u la të kuptohet se ekziston ende mundësia e një tranzicioni të përgjithshëm në një qeveri të udhëhequr nga partitë politike.
Ndërkohë, shteti i Afrikës Qendrore i Çadit ka mbyllur kufirin e tij lindor 872 milje (1,403 km) me Sudanin "deri në njoftimin e mëtejshëm", raporton agjencia e lajmeve Reuters.
"Çadi i bën thirrje komunitetit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe të gjitha vendeve mike që të kenë përparësi kthimin në paqe" tha qeveria në një deklaratë për mediat. Sakaq, për situatën ka reaguar dhe ish-kryeministri sudanez Abdallah Hamdok, i cili bëri thirrje për qetësim të situatës.
Ai shprehet përmes rrjeteve sociale që "shkëmbimi i zjarrit duhet të ndalet menjëherë" dhe i bën thirrje popullit sudanez që "të qëndrojnë të fortë".