AKTUALITET, 3 Qershor 2018, 18:35

Bogdani fajëson ish-kolegët: E kam me lojtarët, justifikoj deri diku trajnerin

Bogdani fajëson ish-kolegët: E kam me lojtarët, justifikoj deri

Ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Erjon Bogdani, mendon se fajin kryesor në këtë ndeshje të humbur me Ukrainën e kanë ato të cilët deri pak vite më parë ishin kolegët e tij, futbollistët. I ftuar në TVSH, ai ka justifikuar disi trajnerin Panuçi për humbjen e sotme.

 

“E vërtetë, ishte një ndeshje e dobët ku u çalua në të gjitha repartet, mbrojtja e mesfusha apo sulmi. Kanë qenë shumë veprime individuale në reparte, nuk jemi skuadër, pritja diçka më shumë se ndeshja me Kosovën, po ishte pothuajse si ajo, sidomos pjesa e parë. Lojtarët faktikisht duhet të zgjohen se ka ndeshje me Skocinë e po nuk luajtëm mirë, do të kemi shumë vështirësi.

Më shumë jemi munduar të dalim me individuale. Edhe mbrojtja, te goli i dytë u tërhoq vetëm Hysaj, nuk lexonim lojën mirë dhe luajtëm me veprime individuale, jo si skuadër. Kur mungon edhe kualiteti, kur je poshtë skuadrës tjetër, atëherë çdo gjë bëhet e vështirë.

Unë e kam me lojtarët se lojtarët duhet të japin më shumë. Nuk është gjendja reale e lojtarëve që kemi parë më parë. Në këto dy ndeshje, pavarësisht gabimeve, ne duhet të japim më shumë. Nuk është e mundur që lojtarët që jemi mësuar t’i shohim ndryshe, që kemi shkuar në Europian me ta, të shkojë kaq keq. Nëse do të paraqiten në këtë mënyrë, e kemi të vështirë të bëjmë diçka në shtator.

Me dy ndeshje të tilla është problem. Pas humbjes 3-0 me Kosovën, me Ukrainën duhej të reagoje nga ana e zemrës, e luftës sportive. Por këtë grinë nuk e pashë. E justifikoj edhe trajnerin, se pavarësisht lojtarëve me apo pa eksperiencë, duhej të tregonin grintë që nuk e pashë sot”, deklaroi Bogdani.