BLOG, 12 Mars 2023, 14:30

Z. Gurra kemi nderin t’ju propozojmë për kandidat

Z. Gurra kemi nderin t’ju propozojmë për kandidat
Fotomontazh: Jenisheri dhe Gurra

Z. Gurra kemi nderin t’ju propozojmë për kandidat.
Kush më mirë se ju do t’i shërbente këtij qyteti që ka humbur busullën në labirinthet e betonit e pisllëkut…
Mesazhi mbyllej: Ju presim në orën 07:59 pranë zyrave tona- Me nderime shefi i koalicionit ABEOK, z. Selami Jenishehri.
Shoh orën, 7:30. U vesha shpejt e shpejt, dola vrull për te selia e koalicionit.
Afër zyrave një turmë e harbuar brohoriste emrin tim. Dikush i drejtohej turmës me britma që të përqafonte kandidatin (mua). Unë s’kisha rrugë tjetër veç t’i dorëzohesha vullnetit të harbuar të turmës. Ishte hera e parë që përballesha me një harbim e admirim të tillë.
Aty për aty, mes një admirimi të harbuar, të cilin e zbulon krejt papritur, fillon sendërtohet një ambicie e përgjumur. Ndoshta kishte qenë aty gjithmonë, e kishin parë të gjithë, veç unë jo.
Simpatizantët bënin gjithë ato nderime, njerëz të famshëm që uronin krejt papritur, sidomos shefi i ABEOK.
Po shijoja ëndjen e të shkëlqyerit, m’u mbush mendja t’i shërbeja një gjinie të re, politikës, si kandidat, kandidat për i parë i qytetit.
Pa pritur më fringëlliu një mendim; a i kam vërtetë këto cilësi të cilat m’i evidentoi papritur shefi sqimëmadh i partisë, z. Selami(?).
U futa të shoh rrjetet sociale dhe mediat për të vërtetuar.
Fama ishte bërë virale; armik i despotizmit, i etur për liri, i djegur për t’i shërbyer popullit…i armatosur me dije politike, letrare, filozofike, orator hazërxhevap…ishin kryetituj të statuseve në rrjet e media.
U mallëngjeva, fillova të qaj, më kapi një inat i papërshkrueshëm- si është e mundur që nuk më kanë vlerësuar deri tani?!
Më erdhi inat, më kishin shfrytëzuar gjithë jetën talentin falas. Mu kujtua inati që pati përfshirë filozofin e njohur, Volter, të cilit ia shfrytëzonte kapacitetin e jashtëzakonshëm mbreti Frederik, nuk ia dinte as për nder, e tallte në sallonet aristokratike.
“Mos ia vini re, portokallin e shtrydhim, i pimë lëngun dhe e lëkurën e hedhim përtokë”, - tallej Frederiku me Volterin.
Idhnak siç ishte Volteri, fiks si unë tani, kur e patën pyetur se me ç’punë merrej, qe përgjigjur: “Po laj këmishët e palara të mbretit”. E kishte fjalën për prodhimtarinë intelektuale të Frederikut, të cilën ia sistemonte vetë Volteri.
E kisha dashur gjithë jetën lirinë, dëshirën për të kontribuar si i pari, nuk isha vlerësuar…erdhi dita- po vlerësohesha. Nuk më ndalonin lotët, e qara u bë ngashëryese dhe e zëshme…
Babi, babi…çohu se do ikim te lodrat, ora 10, çohu babi…më zgjoi vajza 5-vjeç.