BLOG, 12 Mars 2023, 13:48

Vrasja e Gjingjiq, njeriu që donte një Serbi normale

Vrasja e Gjingjiq, njeriu që donte një Serbi normale

Zoran Gjingjiq kishte virtyte që vështirë të gjenden në politikën botërore. Ai i kuptoi lojërat e pushtetit, por në fund edhe vet ishte viktimë e këtyre lojërave. Një vështrim për rolin e tij 20 vjet pas vrasjes.

Kur ai u vra pas gati dy vjetësh në postin e kryeministrit të Serbisë, shumë gazetarë e përshkruan kryeministrin serb Zoran Gjingjiq si një "politikan të jashtëzakonshëm" në nekrologjitë e tyre.

Por Gjingjiqi nuk donte të ishte i jashtëzakonshëm. Atributi i dyshimtë i një personi përjashtues dhe i jashtëzakonshëm i shkonte më shumë kundërshtarit të tij politik të asaj kohe, Slobodan Millosheviqit.

Gjingjiq, përkundrazi, donte të ishte një njeri normal, një njeri i Serbisë që nuk noton mbi valët e miteve nacionale, por merret me probleme ekonomike dhe sociale. Një njeri që kërkon modele që mund t'i zbatojë në jetën e përditshme, në vend që të nxisë trazira.

Por Gjingjiq mbeti një përjashtim, për fat të keq. Në vend që ta ndjekë atë në një rrugë të vendosur drejt Evropës, Serbia ishte një vend i rraskapitur në lëvizjet midis Lindjes dhe Perëndimit. Një kurs i tillë në kohë lufte kërkon më shumë shkathtësi sesa kishte edhe vetë Gjingjiqi.

Farkëtari i 5 tetorit

Si personalitet, kreu i atëhershëm i Partisë Demokratike ishte vërtet një fenomen i jashtëzakonshëm. Shumë i shkolluar, depërtues dhe i bekuar me një energji të madhe politike, si dhe një njeri me integritet, i sjellshëm, i pashëm dhe simpatik. Gjingjiqi kishte një sërë virtytesh që nuk janë të lehta për t'u gjetur në politikën botërore.

Kryevepra e tij ishte revolucioni që orkestroi ai kundër Millosheviqit, i cili kaloi pothuajse pa një pikë gjaku. Autokrati Millosheviq pa dyshim u dobësua pas luftës së fundit të humbur, luftës në Kosovë. Por ai ende kishte një aparat efektiv pushteti pas vete. Reputacioni i Millosheviqit tek populli ishte i lartë, por Gjingjiqi në qetësi krijoi një koalicion të gjërë.

Gjingjiq madje u takua me njeriun i cili më vonë u bë xhelati i tij (Milorad Ulemek), për të siguruar që njësia famëkeqe e Operacioneve Speciale të Millosheviqit ("Crvene Beretke" / Beretat e Kuqe) të mos shkaktonte gjakderdhje më 5 tetor.

Qeveria që ai formoi pas përmbysjes së Millosheviqit nuk kishte aparatin e duhur të forcës. Ushtria, policia dhe pjesë të burokracisë nuk ishin besnike ndaj shtetit por ndaj ish-presidentit Millosheviq, e kur ai u largua nga skena, këto struktura iu përkushtuan vetëm interesave të tyre personale.

Opozita demokratike e Serbisë ishte një tufë e polarizuar disidentësh, nga e djathta ekstreme deri tek e majta ekstreme, e cila kurrë më parë nuk ishte paraqitur para votuesve në atë përbërje. Vetëm Gjingjiqi me karizmën e tij arriti të farkëtojë një unazë rreth këtij grupi.

Ai diktonte parullat. Gjithçka investoi në kartën evropiane. Vendimi i tij më i vështirë ishte ekstradimi i Millosheviqit në Tribunalin e Hagës. Për Gjingjiqin ishte ky thjesht një çmim që Serbia duhej të paguante për afrim me Bashkimin Evropian.

Lufta për pushtet

Politikisht Gjingjiqi u rrit si një pesëmbëdhjetëvjeçar në protestat e studentëve në vitin 1968. Si student në Beograd, ai përvetësoi veprat e anarkistëve rusë dhe kundërshtoi brezin e thinjur të partizanëve të udhëhequr nga Tito, i cili e ka drejtuar ish-Jugosllavinë për dekada të tëra.

Me një bursë, ai mori doktoraturën në filozofi në vitin 1978 në Konstanz të Gjermanisë dhe më pas shkoi të punonte me Jürgen Habermas, një ikonë e Shkollës së Frankfurtit. Në qarqet intelektuale, ai merrte pjesë me lehtësi në debatet teorike në gjermanisht.

Kur u kthye në Beograd në fund të viteve tetëdhjetë, ai nuk ishte më një utopist social, por një pragmatist liberal. Por Gjingjiqi kurrë nuk e fshehu se sa shumë ishte i përcaktuar nga skena universitare gjermane e viteve shtatëdhjetë.

Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2000, Gjingjiqi insistoi se çështja e pushtetit duhet të jetë mbi të gjitha – përfshirë edhe Kushtetutën, e cila për të ishte vetëm një mbetje e epokës së Millosheviqit. Gjingjiq besonte se në Serbi kishte ndodhur një revolucion i vërtetë.

Por për presidentin e ri Vojislav Koshtunica, një legalist anglofil, protestat në rrugë nuk ishin asgjë tjetër veçse një korrigjim i zgjedhjeve të vjedhura më parë. Në pak javë, dy liderët e Serbisë së re u bënë rivalë të ashpër. As pas vrasjes, Koshtunica nuk ka ka shkuar të nderojë Gjingjiqin.

Viktima e politikës së vetë të denjë

Në Serbi nuk kanë munguar kurrë ofendimet ndaj tij duke e quajtur si "Shvaba” - gjermani), duke e karakterizuar ate si gjoja të manipuluar nga Gjermania dhe si të padenjë. Kur ai solli një fabrikë amerikane duhani në një vend të deindustrializuar si Serbia, kontrabandistët e cigareve e akuzuan atë për - kontrabandë cigaresh.

Menjëherë u shtruan dilemat, a thua nuk iku ai në kohën e bombardimeve të NATO-s në vatrën e krimit - në Mal të Zi? Në prag të 5 tetorit, a nuk bëri një "marrëveshje” të ndyrë me liderin e skuadrës së vdekjeve si Beretat e Kuqe dhe a thua nuk iu afrua Radovan Karaxhiqit gjatë luftës, vetëm për të dëmtuar Millosheviqin?

Gjingjiqi si opozitar, realisht nuk hezitonte të mbante kontakte edhe me kriminelët e luftës dhe bosët e krimit. Por, kur mori pushtetin, Gjingjiqi nuk u tërhoq asnjë milimetër në luftën kundër këtyre strukturave. Kjo qëndrueshmëri i kushtoi atij edhe me jetë. Plumbi i snajperit erdhi pikërisht nga pjesëtarët e njësisë "Beretat e Kuqe"

Pas vdekjes së "politikanit të jashtëzakonshëm”, në Serbi u rikthye dalëngadalë një normalitet paralizues, që vazhdon edhe sot e kësaj dite./Deutsche Welle