TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Memorie.al/ Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Gjyqet politike të regjimit komunist shqiptar-
(1945-1991)
Duhet theksuar se 90 % e të dënuarve nga Gjyqi Special i Tiranës, ishin diplomuar në Universitetet më të mira të Evropës Perëndimore. Shumica e tyre, vdiqën nëpër burgje, gjatë vuajtjes të dënimit dhe ata që mundën të dilnin gjallë nga ferri komunist, u rropatën në kampet e internimit, deri sa dhanë shpirt. Na duket e nevojshme të përmendim, një bisedë midis nënës së Enver Hoxhës, Gjylos, me Koçi Xoxën, një ditë para dhënies të vendimit nga Gjykata Speciale. Ja se ç’tregon, e veja e Koçi Xoxës, zonja Sofika Xoxe, në vitin 1992.
“Një ditë para se të jepej vendimi, na erdhi për vizitë teto Gjylua, nëna e Enverit. Pas pyetjeve të zakonshme për shëndetin, Gjylua iu drejtua Koçit: “Aman Koçi! Më shpëto Bahriun nga vdekja! (Bahri Omari kishte për grua Farijen, motrën e Enverit dhe e kish ndihmuar financiarisht për shumë vjet, familjen e prindërve të Enver Hoxhës – A.M.). Koçi mbeti i shtangur dhe iu drejtua Gjylos: “Përse nuk i thua Enverit për këtë, por më drejtohesh mua”?! “Enveri më tha, se këtë punë, e ka në dorë Koçi, prandaj erdha tek ti” – iu përgjigj Gjylua.
“Të ka gënjyer birbua”! – i tha Koçi me buzë në gaz. Dhe vazhdoi: “Dje në mbledhjen e Byrosë, Enveri nguli këmbë, që Bahriu, duhet të jetë nga të parët, që të dënohet me vdekje”. Gjylos, iu skuq fytyra dhe u largua si i trullosur pa na përshëndetur”!
Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje, u bë ditën, në periferi të Tiranës, në vendin e quajtur “Kodra e Priftit”. Të dënuarit i kishin hipur mbi një kamion ushtarak, të lidhur me litarë këmbë e duar. Ata i shoqëronte një repart i “Divizionit të Mbrojtjes së Popullit” (D.M.P.). Në krye të kolonës ishte një auto veturë “Fiat” ku qëndronte i krekosur, “korbi i zi”, prokurori, Bedri Spahiu.
Nga të dy anët e rrugës të “Varrit të Bamit”, ishin mbledhur turma laramane, që bërtisnin në kupë të qiellit “reaksionarët në litar”, “Plumbin ballit, armiqve të popullit”, “Rroftë Partia Komuniste Shqiptare”! e të tjera parulla, të porositura nga sekretarët e organizatave bazë, të Partisë Komuniste. Nuk munguan as gurët, as shishet të hedhura ndaj 17 fatkeqve, që i çonin në vdekje. Gjatë ekzekutimit, shpëtoi pa u goditur nga plumbat, ish-ministri 70-vjeçar, Fejzi Alizoti.
Ai u ngrit në këmbë dhe iu drejtua Bedri Spahiut: “Në bazë të ligjit ndërkombëtar, kërkoj të më falet jeta”! “Ne, nuk i njohim ligjet e borgjezisë” – i tha Bedri Spahiu dhe i shkrepi në kokë një karikatorë fishekësh. Pas 3 ditësh, një bandë hajdutësh varrezash, zbuloi gropën e përbashkët, ku i kishin groposur të 17 të ekzekutuarit, me shpresë se do të gjenin te kufomat, orë dhe unaza të florinjta. Më kot u munduan për disa orë, vjedhësit e kufomave, se ato që kërkonin ata i kishin rrëmbyer me kohë ekzekutorët e tyre. Të zemëruar, për mundimin që iu shkoj kot, i lanë kufomat pa i mbuluar. Era e qelbur e kufomave të dekompozuara, i shqetësoi banorët e afërt të “Kodrës së Priftit” dhe i detyroi ata, që të kryenin punën e varrmihësve.
Gjyqi kundër “Bashkimit Demokratik Shqiptar”
Më 17 qershor të vitit 1946, shtypi dhe Radio-Tirana e regjimit komunist, njoftonte për fillimin Gjyqit Special Ushtarak në sallën e Kinemasë “Nacional” të Tiranës (që më vonë do të quhej “17 Nëntori”) kundër “37 armiqve të popullit dhe sabotatorëve të Pushtetit Popullor”.
Po kush ishin ata “fajtorë” dhe përse grushti i hekurt i shtetit komunist, ra aq mizorisht mbi kryet e tyre?! Në vjeshtën e vitit 1945, pushteti komunist, përgatitej për t’u legalizuar me anën e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, për Asamblenë Kombëtare. Të gjithë të dhënat ishin se zgjedhjet për Kuvendin Popullor (Parlamenti), nuk do të ishin as të lira, as demokratike. Zgjedhjet do të ishin një farsë e regjimit komunist, të cilët erdhën në pushtet me grykën e pushkëve dhe e mbanin atë, me dhunë dhe terror. Shumë intelektualë nacionalistë, demokratë dhe tregtarë të grabitur nga pushteti i terrorit, filluan të shqetësohen seriozisht për fatet e atdheut dhe iu vunë punës për të mos u realizuar zgjedhjet e manipuluara të 2 dhjetorit 1945.
Po kush ishin ata atdhetarë, që pa përfillur rrezikun që iu kanosej, u bënë martirët e parë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri? Ata ishin 37 veta që u grupuan për të penguar farsën e 2 dhjetorit të vitit 1945, ku midis tyre kishte intelektual të lauruar në universitetet më të mira të Evropës dhe në shkollën amerikane të Harry Fultz-it. Ata ishin juristë, oficerë, akademistë, diplomatë, biznesmenë, që ndiqnin me shqetësim rrugët drejt humnerës, ku po e çonte Partia Komuniste Shqipërinë.
Ata kishin bërë përpjekje për krijimin e një grupimi opozitar dhe i kishin dorëzuar shefit të misionit ushtarak britanik, kolonelit Palmer, një memorandum për ndërhyrjen e misioneve anglo-amerikane, pranë kryeministrit Hoxha, për zgjedhje të lira dhe demokratike. Të gjitha përpjekjet e tyre dështuan dhe s’patën përkrahje në arenën ndërkombëtare.
Zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, u shndërruan në një tragji – komedi dhe Partia Komuniste Shqiptare, e maskuar pas Fronti Demokratik, pa asnjë farë opozite, “fitoi” mbi 90 % të votave.
Fill mbas mbarimit të votimeve, që u bënë me saçma llastiku, shpërtheu një terror i paparë, me arrestime dhe internime kundër atyre që nuk morën pjesë në votime ose dyshohej, se kishin hedhur saçmet në kutitë e zeza. Në Tiranë, u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave çnjerëzore, 37 persona, midis të cilëve: Shaban Balla, mbaruar shkollën amerikane të Fultzit, Musine Kokalari, laruar në universitetin Sapiensa të Romës dhe themeluesja e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, në tetor të vitit 1943, Gjergji Kokoshi, ish-ministër i parë i Arsimit pas Luftës, lauruar për filozofi në Torino, Xhahit Koka, diplomat, lauruar në Bukuresht, Sami Qeribashi, jurist dhe biznesmen i suksesshëm, lauruar në Stamboll, Qenan Dibra, diplomuar në Paris për Jurisprudence, Suad Asllani, jurist dhe diplomat i shquar, Mehmet Beshiri, lauruar në Vjenë për tregti, Hivzi Golja, kryer studime për administratë në Selanik dhe Stamboll, Ali Kavaja, mbaruar shkollën e Fultzit dhe mik i ngushtë i Shaban Ballës, Enver Hasa, oficer akademik, diplomuar në Modena të Italisë, Reiz Hasko, student universitar në Romë dhe një nga pasanikët më të mëdhenj të Shqipërisë, Profit Çoka, tregtar i suksesshëm tiranas dhe i tatuar padrejtësisht me shuma astronomike, Mahmut Mëniku, biznesmen tiranas, me idera perëndimore, Lluka Biba, jurist, lauruar në Francë, Semiraz Verlaci, ish-grua e kryeministrit Shefqet Vërlaci, 70-vjeçare, me një sjellje të përsosur e, të tjerë persona nga elita e shoqërisë shqiptare.
Kryetar i Gjyqit Special, që do të dënonte 37 fajtorët pa faj, ishte majori Frederik Nosi, që shpirtin dhe mendjen e tij, ia kishte shitur prej kohësh djallit të kuq, megjithëse ishte nip i patriotit të shquar elbasanas, Lef Nosit, që u ekzekutua po atë vit, nga regjimi mizor enverist. Prokurori i gjyqit, ishte sadisti i mirënjohur Nevzat Haznedari, kryemjeshtër i torturave, që shpesh i ekzekutonte viktimat, jo me plumb, por iu thyente kafkat me leva të hekurta, në oborret e burgjeve.
Kryehetuesit e grupit, ishin shefat e Sigurimit mizor, Nesti Kërenxhi dhe Kadri Hazbiu, që për zellin e treguar në kryerjen e krimeve monstruoze, brenda pak viteve, u graduan ministra e gjeneralë dhe arritën deri në anëtarë të Byrosë Politike.
Në gjyqin famëkeq në kinema “Nacional”, në ato ditë tragjike qershori të vitit 1946, aktakuza e prokurorit Haznedari, ishte plot, fraza stereotipike bolshevike, duke i quajtur të akuzuarit “armiq të betuar të pushtetit popullor, sabotatorë, terroristë”, e turli epitetesh djallëzore, që vetëm mendja perverse e sadisti Haznedari, mund t’i stiste.
Frederik Nosi, e fillon seancën gjyqësore me pyetjen e Shaban Ballës, që konsiderohej nga aktakuza, si; nyja kryesore e komplotistëve (në thonjëza). Kryetari e pyet Shaban Ballën, nëse ai pranon se ka bërë pjesë në një organizatë terroriste, që kishte për synim përmbysjen e pushtetit popullor? Shabani, megjithëse i torturuar mizorisht, gjatë një periudhe 6 mujore nga hetuesit shpirtkazmë, përgjigjet me dinjitet, se ai pranon se ka bërë pjesë në një grup antipushtet, por në asnjë mënyrë, në një grup terrorist.
Dhe pyetjet vazhdojnë, sipas skenarëve të gjyqeve bolshevike të viteve tridhjetë. Herë pas here, bëhen ndërhyrje brutale të prokurorit, që shoqërohen me britma, të turmës: “Vdekje armiqve të popullit”!, “Tradhtarët në litar”! Musine Kokalari, i thotë trupit gjykues, se ajo s’është fajtore. Ajo dhe shokët e saj, janë nxënës të Rilindësve Kombëtar dhe kanë vepruar sipas mësimeve të tyre. Dënimi i tyre, do të thotë të dënohet Rilindja Shqiptare. Por komunistët, nuk kanë as komb, as atdhe. Britmat e tyre në sallë, ua kalojnë ulërimave të ujqërve dhe të çakejve të shkretëtirave.
Duket açik, se të pandehurit të strukur në bankon e të akuzuarve, janë torturuar mizorisht nga hienat e Sigurimit. Ata mezi qëndrojnë në këmbë dhe shumë prej tyre kishin humbur dhe shqisën e dëgjimit. Nga deponimet e tyre kuptohej, se ata shpejtoheshin, që të vdisnin sa më parë, për të shpëtuar nga gjendja ku ndodheshin. Pikërisht, më 23 qershor, kur gjyqit po i afrohej fundi, Enver Hoxha, shkon ne Beograd, për t’i raportuar padronit, Josif Broz Titos, se kishte goditur me grusht të hekurt, një grup nacionalistësh demokratë, që kishin dashur zgjedhje të lira!
Për këtë shërbim, ustai Tito, e dekoroi lakeun e tij, me medaljen më të lartë: “Heroi i Popujve të Jugosllavisë”. Vendimi i Gjyqit, ishte i paapelueshëm dhe i formës së prerë. Nëntë martirë të demokracisë, u dënuan me vdekje. Ata ishin: Shaban Balla, Qenan Dibra, Xhahit Koka, Mahmut Mëniku, Telat Drini, Sami Qeribashi, Ali Kavaja, Mehmet Beshiri dhe Hivzi Golja. U ekzekutuan 70 vjet përpara, më 3 korrik të vitit 1946, në poligonin e vdekjes, buzë lumit të Tërkuzës, në një gropë të përbashkët. Diktatura komuniste, kujdesej që t’i zhdukte pa lënë asnjë gjurmë, kufomat e të ekzekutuarve.
Skeletet e tyre i merrnin ujërat në vërshim të lumenjve, ose shkriheshin nga gëlqerja e pa shuar, që iu hidheshin varreve pa emër. 28 pjesëtarë të tjerë, qenë bashkëvuajtës në burgun ferr të Burrelit si: Llukë Biba, Reis Hasho, Profit Coka, Enver Hasa e të tjerë. Asnjë prej tyre aktualisht nuk jeton më. Ata kanë vdekur me kohë, pas një kalvari plot vuajtje dhe sfilitje. Persekutimi ra edhe mbi familjet e tyre për gjysmë shekulli, derisa në vendin tonë, u përmbys regjimi gjakatar komunist dhe agoi dita e lirisë dhe e demokracisë shqiptare.
‘Gjyqi Special’, për dënimin e grupit inxhiniero-teknik, të Kënetës së Maliqit!
Në fillim të muajit nëntor të vitit 1946, pas largimit të misioneve anglo-amerikane nga Shqipëria, në Tiranë, filloi Gjyqi Special, kundër “sabotatorëve” të kënetës së Maliqit. Qëllimi i këtij gjyqi ishte, të demaskonte para opinionit publik, veprimtarinë “armiqësore” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj shtetit komunist shqiptar. Meqenëse, shumica e inxhinierëve dhe e teknikëve, që punonin për tharjen e kënetës së Maliqit, kishin qenë ish nxënës të Shkollës Teknike Amerikane të Harri Fultz-it dhe më vonë ishin diplomuar në Universitetet e Evropës Perëndimore, u zgjodhën si viktima, për “t’u prerë kokat” në “thertoren” e Partisë – shtet.
Skenari kobzi u sajua nga shefat e Sigurimit, në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me porosi të diktatorit Hoxha. Për ndërtimin e skenarit, kishin ndihmuar edhe ishin të interesuar për zhdukjen e elitës shqiptare. Gjyqi drejtohej nga major Gaqo Floqi, me prokuror kapitenin e I-rë, sadistin Nevzat Haznedarin. Gjyqi u zhvillua në Kinema “Nacional” në Tiranë. Në bankon e të akuzuarve ishin:
1) Abdyl Sharra, inxhinier, ish-nxënës i Fulzit, i diplomuar në Romë.
2) Kujtim Beqiri, inxhinier, i diplomuar në Vjenë, me ‘Medalje të Artë’. Ish-nxënës i Fultz-it.
3) Vasil Mano, inxhinier i diplomuar në Francë.
4) Zyraka Mano, teknike – dizenjatore, gruaja e Vasil Manos, me origjinë sllovene.
5) Euxhenio Skaturo, inxhinier Italian, i mbajtur peng në Shqipëri.
6) Mirush Përmeti, inxhinier, ish-nxënës i Harri Fultzit, diplomuar në Torino.
7) Pandeli Zografi, ish-nxënës i Fultz-it, teknik topograf.
Të pandehurit shoqëroheshin nga qelitë e Burgut të Ri të Tiranës, për në sallën e gjyqit, nga një togë sigurimi nën komandën e xhelatit, Skënder Kosova. Pamja e tyre e jashtme, ishte e lemerishme dhe të linte të kuptoje se mbi ata, ishin përdorur tortura mizore, për të pohuar gjithçka që kërkonin hetuesit xhelatë. Më 24 nëntor të vitit 1946, Gjyqi Special, vendosi në formë të pa apelueshme: Ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit.
Me vdekje me pushkatim, të: Vasil dhe Zyraka Manos, Euxhenio Skaturo, Hans Vela, Mario Guarnieri, Jani Vasili dhe Mirush Përmetit. Pandeli Zografi, u dënua me 10 vjet burgim. Ekzekutimet u bënë në Maliq, në praninë e mijëra qytetarëve të sjellur nga qyteti i Korçës dhe nga fshatrat për rreth, që bërtisnin si një lukuni ujqërish për vdekjen e fajtorëve pa faj. Këneta e Maliqit, ku humbën jetën edhe 62 të burgosur politikë, u shndërrua në simbol tmerri, jo vetëm për qarkun e Korçës, por për gjithë Shqipërinë.
Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar, u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Zgjedhjet u zhvilluan nën terrorin komunist dhe në shumë krahina u manipuluan krejtësisht. Pjesa dërmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të Partisë-shtet. Të gjithë deputetët pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare, gjatë periudhës 1942-1944. Duke konstatuar, se P.K. Shqiptare, po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial stalinist, disa prej deputetëve me prejardhje nga shtresat e pasura, si: Gjergi Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaundin Toto, filluan të përshpërisin vesh më vesh, pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë komuniste, të drejtuar nga Enver Hoxha.
Bisedat po amplifikoheshin midis deputetëve me pikëpamje liberale, por asnjëherë nuk organizonin një grup të rregullt opozitar. Pa dyshim që Sigurimi i Shtetit, ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis deputetëve të pakënaqur. Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës, Shefqet Beja, deputet i Durrësit, Enver Sazani, deputet i Durrësit, Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës, Irfan Majuni, deputet i Dibrës, Faik Shehu, deputet i Dibrës, Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergi Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Për t’i bërë hetuesinë grupit të deputetëve, u caktuan: Zv/ ministër i parë i M.P. Brendshme dhe Drejtor i Sigurimit, Nesti Kerënxhi, Zv/ Ministër i Brendshëm, Zihni Muço dhe hetuesit e zellshëm, për përdorimin e torturës, si: Siri Çarçani, Naum Bezhani, Mihallaq Ziçishti, Lefter Lakrori, etj. Deputetët iu nënshtruan torturave nga më të egrat, që ishin përdorur deri atëhere në qelitë e errëta të Sigurimit. Ata ishin tjetërsuar në kufoma të gjalla dhe mezi qëndronin në bankën e të akuzuarve. Gjergi Kokoshi, kishte humbur dëgjimin, Enver Sazanit i kishin djegur sytë me cigare, kurse Shefqet Bejën, e kishin bërë gjithë plagë, me hekur të skuqur.
Kryetari i gjyqit, ishte caktuar, ish-furrtari i Korçës, Niko Çeta. Gjatë periudhës 1943-1944, ai ishte me detyrën e komisarit të kuq, në batalionin terrorist “Hakmarrja”. Gjyqi u zhvillua në kinema “Nacional”. (Më vonë u quajt “17 nëntori” – A.M.) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special, të zhvilluar në Kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin, të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë.
Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri, një regjim kapitalist. Vendim u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i pa apelueshëm. Për qëndrimin e tij dinjitoz dhe shumë guximtar gjatë zhvillimit të gjyqit, Shefqet Beja, u dënua me vdekje, në varje në litar. U dënuan me vdekje, me pushkatim deputetët: Riza Dani, Irfan Majuni, Enver Sazani, Selaudin Toto dhe Faik Shehu, kurse Kosta Boshnjaku dhe Gjergj Kokoshi, u dënuan me burgim të përjetshëm. Vendimi u ekzekutua në datën 10 tetor të vitit 1947, në orën 3 të mëngjesit, në prani të prokurorit, Josif Pashko.
Krahas gjyqeve të bujshme, që zhvilloheshin në kinematë “Kosova” dhe “Nacional”, në kinemanë “Tomori” (që ndodhej, ku është sot selia e partisë socialiste – A.M.) një gjyq komunist, po bënte kërdinë, i kryesuar nga Bilbil Klosi dhe me prokuror, major Gjon Banushin, ish-rreshter i policisë fashiste në Gjirokastër. Në gjyqet e kinema “Tomorit”, janë dënuar disa qindra vetë me vdekje, që shërbenin në poste të ulta gjatë okupacionit italo-gjerman, ose ishin drejtues të njësive balliste-zogiste. Një pjesë tjetër ishin tregtarë dhe pasanikë të shpronësuar, që pasi u kishin marrë mallin dhe paratë, iu merrnin dhe jetën.