BLOG, 2 Gusht 2023, 13:35

“I bënë pritë dhe e vranë, trupin ia dërguan në thes Misionit Katolik”- Kujtimet e mjekut italian për masakrat e ‘45-s, britmat e policëve pas ekzekutimit të klerikëve

“I bënë pritë dhe e vranë, trupin ia dërguan

Memorie.al/ “Kur mbaroi lufta me pushtuesin, nisi lufta tjetër, po kaq e tmerrshme, sa dhe ajo. Hartat e operacioneve ushtarake, u zëvendësuan me Kushtetutën komuniste, që u hartua nga emisarët e Titos”.

Teksa përshkruan kronikën e ditëve të para pas çlirimit të vendit, doktor Franco Benanti, sjell në kujtimet e tij një panoramë rrëqethëse, nga përjetimet nën terrorin komunist pas triumfit mbi ushtritë nazifashiste.

Për të, gjithçka në këtë klimë tronditëse mbante autorësinë e emisarëve të Titos, të cilët ishin bërë faktor përcaktues i zhvillimeve në Shqipëri.

Profili komunist i udhëheqësve të Tiranës, dhe filozofia e luftës së klasave, sipas Benantit, do ta çonin vendin në një gjendje kaotike, ku gjithkush do të ndjehej i kërcënuar dhe përpara të papriturave. Në objektivin e goditjeve, shënon mjeku italian, i cili e ka jetuar nga afër atë situatë, do të viheshin krerët e partive të tjera politike dhe qytetarët e huaj, që i zuri kjo periudhë në Shqipëri. Me ta do të pagëzoheshin gjyqet e para komuniste, burgjet e para, por edhe skuadrat e para të ekzekutorëve.

Ndërkaq, në rrëfimet e mysafirit nga Apeninet, zënë vend të rëndësishëm përshkrimet nga farsa e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, reprezaljet e policisë politike ndaj klerit katolik, kryengritja e parë antikomuniste në Shkodër, pushkatimet e shumta pa gjyq etj. Gjithçka në këtë retrospektivë të dhimbshme, rrjedh natyrshëm dhe e pashkëputur nga fati i keq i kronikanit të veçantë, që u gjend në vendin tonë si pushtues dhe u bashkua me partizanët. Franco Benanti, edhe vet një ditë të bukur, do ta shikonte veten të pandehur..

JUGOSLLAVËT NGRITËN INSTITUCIONET E TIRANËS

Jugosllavët ndikonin në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë, planet e tij operative taktike dhe sillnin manualët ushtarakë. Një ekip i qeverisjes politike të ushtrisë jugosllave organizoi strukturat partiake në ushtrinë shqiptare. Nëpërmjet Vojo Srzentic, jugosllavët organizuan administratën shtetërore, ministritë e ndryshme, financat, ekonominë dhe gjithë shërbimet shtetërore sipas modelit jugosllav.

Një ndihmë ata dhanë edhe në ngritjen e gjyqeve ushtarakë dhe civilë. Majori Tominsek, u mor me këtë çështje, duke sjellë eksperiencën e vet të marrë në gjyqet sovjetike, burgun e Ljubjankës dhe të tjerë moskovitë. Së fundi, jugosllavët ndihmuan në hartimin e kushtetutës dhe përgatitjen e zgjedhjeve. Si rrjedhojë, qeveria e Hoxhës, merrte çdo direktivë, instruksion, plan, program dhe manual nga qeveria jugosllave.

Isha dëshmitar, kur në Korçë kaloi një kolonë prej katërqind “armiqsh të popullit” që shkonte të punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Ishin midis tyre ish anëtarë të partive nacionaliste si Balli Kombëtar, Legaliteti etj., si dhe një grup ushtarësh gjermanë, që nuk mundën të largoheshin dot nga Korça. Gjashtëqind vetë të tjerë, ishin dërguar për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, në veri të vendit. Përveç të dënuarve politikë në këto lloj punësh qeveria dërgonte dhe mijëra të rinj si aksionistë.

LUFTA KA MBARUAR, NE MBETËM NË LUFTË

Natën e 9 majit 1945, dëgjuam për përfundimin e luftës me Gjermaninë. Nga gëzimi u mblodha me disa miq italianë, Bellodin, Costën dhe Fischionin në shtëpinë e këtij të fundit. Shpresa për riatdhesim tani po na dukej më e realizueshme. Por kaloi një muaj, dhe asgjë e re. Unë shkoja punoja në spital pa pushim. Një ditë shkova në zyrën e dr. Lubonjës dhe iu luta të më jepte një ditë leje të shkoja në Tiranë, për t’u interesuar pse nuk shkonin letrat e mia në familje. E pashë se nuk i pëlqeu të më jepte leje. Unë këmbëngula, dhe ai më në fund më dha leje, duke më paralajmëruar se mund të mos shihesha me sy të mirë. Nga kush? Këtë do ta mësoja shumë shpejt. Në kryeqytet takova miq të tjerë italianë, profesor Lozzin, majorin Augi, Riçard Masnatën, Eugenio Condorellin, Italo Vitin, Armenio Calirin, Domenico Caruson etj.

Biseduam për hallin tonë të përbashkët, rikthimin në atdhe. Takova disa autoritete, midis të cilëve edhe drejtorin e Shëndetësisë dr. Sherif Klosin, që e pata njohur në mars 1944 pranë komandës së Sheperit dhe kolonel Beqir Ballukun, komandantin e brigadës së dytë. Ky ishte bërë zëvendës shef shtabi i përgjithshëm dhe qe mbuluar me yje e dekorata. Me veshjen që mbante më dukej si portier i një hoteli luksoz në perëndim.

Pyetjeve të mia të gjithë iu përgjigjeshin në mënyrë të përgjithshme. U ktheva në Korçë zemër thyer. Për çudi, drejtori më thirri shpejt në zyrë dhe më komunikoi transferimin tim pranë spitalit të Beratit. Të nesërmen shkova në Berat, ku takova kolegë të tjerë italianë. Me 20 korrik më kërkuan urgjent në Delvinë, ku kishte rënë një epidemi malarie me shumë raste vdekjeje.

Shpresonim që misioni konsullor italian me Turcatin në krye, që erdhi me 28 korrik do bënte diçka për ne. Marrëveshja e Hoxhës me Palermon na kishte lënë ne** specialistëve në Shqipëri me punë të detyruar. Të paguar keq, pa mundësi lidhjeje me familjet, me të cilat ishim ndarë shumë vite më parë, pa mundësi për t’u dërguar ndonjë ndihmë financiare. Sapo erdhi ai, u nisën për Itali 800 ushtarë italianë, që i patën pezulluar në Vlorë dhe i kishin vënë në punë të detyruar. Ishte tani radha e civilëve për t’u riatdhesuar.

Por autoritetet nxorën qindra pengesa, siç ishin intervistat e shumta me përfaqësues të ministrive të ndryshme, me prokurorinë, drejtorinë e financës, policinë, shtabin madhor të ushtrisë. Ndonëse afatet ligjore ishin dhjetë, ose 15 ditë, mjaftonte një gabim në njërën hallkë, që çdo gjë të përsëritej nga e para. Doli edhe një yçkël tjetër. Për specialistët e nevojshëm duhet të sillnin nga Italia një specialist me të njëjtin kualifikim për zëvendësim. Por, duke dëgjuar se çfarë po ndodhte në Shqipëri, cili italian vinte të punonte në Shqipëri? Kështu rreth një mijë italianë duhet të qëndronin ende në Shqipëri.

Sa për italianët që ishin në burg, ose në hetuesi, ishte e vështirë, gati e pamundur për ti shpëtuar. Avokatët, që kërkonin të respektonin afatet e gjykimit dhe paraburgimit, kërcënoheshin nga kryetarët e gjykatave me pasoja të pakëndshme për ta. Shumë syresh për këtë arsye u arrestuan dhe u dënuan. Ndërkohë vijuan arrestimet e italianëve të tjerë.

ZGJEDHJET PËR ASAMBLENË KUSHTETUESE

Ditët në Delvinë, në brigadën e 15, ishin shumë të vështira. Ishte një gjendje e mjerueshme për shkak të malaries. Pranë Delvinës, është Saranda, një qytet piktoresk përballë ishullit të Korfuzit. Kur je atje ke përshtypjen e lirisë, për shkak të afërsisë së tokës greke. Më 1945 mijëra shqiptarë e kanë kaluar detin me not për të ikur në Greqi. Por, kur policia kufitare arrinte t’i kapte ata, gjykata i dënonte jo si shkelës të kufirit, por si agjentë monarko-fashistë grekë. Kjo ishte një mënyrë për të fshehur motivin e vërtetë të arratisjes.

Në jug të Sarandës, apo në rrafshinën e Palit ishte një kamp i punës së detyruar, të cilin e pashë me sytë e mi në fund të tetorit 1945. Duhet të ishin aty rreth tre mijë vetë. Kampi rrethohej me roje me mitraloza. Pas 12 orë pune, njerëzit shtriheshin të flinin mbi ca dërrasa, pa asnjë mbulojë. Shumë të burgosur vuanin nga skorbuti, uria, dizenteria dhe ezaurimenti i përgjithshëm. Dua të nënvizoj se, që nga viti 1945 kampet e punës do bëheshin një institucion shumë i rëndësishëm i regjimit të Hoxhës. Zbatimi i planeve pesëvjeçare do realizohej me punë prej skllavi të kundërshtarëve politikë të vërtetë, ose të shpikur nga regjimi. Me sakrificat e qytetarëve të panumërt u thanë këneta dhe u bonifikuan toka, u hapën miniera dhe u ndërtuan shumë vepra industriale dhe banimi. Ky regjim para syve tanë po kryente po ato krime, sikurse dikur në Auswitz, Buchenvald dhe Mauthausen. E pra, këtë regjim e lavdëronin disa qarqe politike në botë.

KRYENGRITJA ANTIKOMUNISTE NË SHKODËR

Me 12 nëntor, më urdhëruan të transferohesha në Gjirokastër. Po atë ditë policia sekuestroi të gjitha mjetet e transportit, dhe u vu re një lëvizje e pazakontë. Komisari na mblodhi dhe na njoftoi se “në Shkodër reaksionarët dhe banditët, armiq të popullit, kanë ngritur armët kundër qeverisë, por revolta e tyre është likuiduar brenda pak orësh”. Ai vazhdoi se “likuidimi i krejt reaksionarëve është problemi ynë sot më i rëndësishëm”. Sikurse morëm vesh më vonë, njerëzit në Shkodër nuk e kishin duruar dot më shtypjen e komunistëve dhe kishin parapëlqyer më mirë një fund të tmerrshëm, se sa një tmerr të pafund.

Në Gjirokastër takova miqtë e mi, priftërinjtë brazilianë. Drejtori i spitalit dr. Vasil Laboviti, gjysmë mjek dhe gjysmë politikan kishte një urrejtje për italianët. Ai denoncoi dy mjekë italianë, Varanon dhe Vitin, të cilët u arrestuan dhe u mbyllën në kështjellën e qytetit. Në regjiment u njoha me komandantin Ferik Hado, dhe instruktorët jugosllavë, që kishin ardhur për të përgatitur kuadrot ushtarakë këtu. Qeveria jugosllave kishte sjellë furnizimet me armë, municione, veshmbathje dhe materiale të tjera të nevojshme.

Shtypi vendas, i tëri në anën e komunistëve, çdo ditë bënte propagandë për zgjedhjet që po afronin. Ato konsideroheshin shumë të rëndësishme. Por, vetëm sovjetikët dhe satelitët e tyre e njohën qeverinë e Hoxhës. Jugosllavët dërguan në prill ambasadorin Velimir Stojniç, ish-shefin e Misionit Ushtarak Jugosllav. Vetëm në fund të 1945, katër fuqitë e mëdha e njohën qeverinë shqiptare, por me një rezervë: marrëdhëniet diplomatike do vendoseshin pasi të sqarohej gjendja në këtë vend. Zgjedhjet u mbajtën me 2 dhjetor dhe qenë një farsë e vërtetë.

Mori pjesë vetëm partia komuniste. Morën pjesë 542 000 votues. Për çdo 10 000 syresh do zgjidhej një deputet. Pothuaj, të gjithë votuan për kandidatët komunistë. Madje kishte raste që ata votuan pro 110 për qind. Pse kështu? Sepse quheshin të pavlefshme vetëm skedat e bardha, të pambushura, kurse ato që mbusheshin “gabim” shkonin në favor të kandidatit. Kështu ndodhi në një qendër në Gjirokastër, ku dolën dhjetë skeda të mbushura gabim. Si rezultat 99.99 për qind e votuesve ishin pro kandidatëve komunistë. Kjo nuk mund të mos sillte zhgënjim te aleatët perëndimorë, të cilët nuk e ftuan Shqipërinë në konferencën për reparacionet gjermane. Jugosllavët dhe çekosllovakët ndanë nga pjesa e tyre diçka për Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve u liruan dy mjekë italianë Varano dhe Viti, që ishin arrestuar më parë. Ata më treguan se çfarë u kishte ndodhur. Një ditë prilli dy oficerë të policisë politike (Sigurimi) kishin shkuar në spital dhe kishin kërkuar dy mjekët. Kur këta ishin paraqitur oficerët ishin sjellë njerëzishëm, por i kishin ftuar ata në kështjellë, ku ishin zyrat e policisë. Aty i kishin kontrolluar dhe u kishin marrë gjithçka (para, orë etj.). Pastaj i kishin mbyllur në një qeli, dy javë para se t’i pyesnin. Hetuesi i kishte pyetur veç e veç: emri, mbiemri, atësia etj. Jeta e mëparshme me imtësi, njerëzit që njihnin etj. Në hetuesi ishin thirrur shumë herë, ditën e natën, duke u akuzuar për veprimtari subversive dhe spiunazh. U akuzuan se kishin bashkëpunuar me kolaboracionistët etj. Gjithçka me sa duket bëhej për të krijuar kudo një frymë paniku dhe terrori. Po afroheshin krishtlindjet. Shkova e i takova priftërinjtë natën e 24 dhjetorit.

Atje gjeta një farë Nesti Papajorgji, një i ri minoritar grek. Pas Krishtlindjeve ndjeva se një hije dyshimi po hidhej rreth meje në regjiment. Megjithatë shefi i financës më thirri në zyrë dhe më dorëzoi 250 000 lek, pagën e dy viteve punë. Kjo shumë i shtohej disa napolonave ar dhe parave të fituara në Korçë dhe Delvinë. Po mendoja t’i dërgoja te familja ime në Itali. Prandaj i shkrova konsullit Turcato. Por, ai s’pati kohë të më përgjigjej, sepse me 21 janar atë e përzunë nga Shqipëria. Atë kohë arrestuan edhe Nesti Papajorgjin, të cilin e mbyllën në kështjellë.

Pasi u bë Kryeministër në Itali De Gasperi, qeveria shqiptare urdhëroi dëbimin e gjithë klerikëve italianë. Këta klerikë vepronin në Shqipëri prej shumë vitesh. Vetë krishterimi ka hyrë këtu që në fillimet e tij. Të krishterët shqiptarë kundërshtuan të gjithë pushtuesit e huaj, përfshi këtu ata të fundit, otomanët. Në krye të tyre, në shekullin e XV, ishte i famshmi Skënderbe, që në momentet e fundit të jetë së tij, i porositi të afërmit të shkonin në Itali. Por shumica e atyre që nuk e lanë atdheun u konvertuan në myslimanë.

Vetëm më 1815, kur Austria vuri në zotërim rajonin LombardiVenecie, në Shqipëri erdhi grupi i parë i misionarëve katolikë, që i përkiste Shoqërisë së Jezuit venetolombarde. Pas jezuitëve, në Shqipëri erdhën edhe urdhra të tjerë. Klerikë të shquar vendas kanë qenë Patër Anton Arapi, Patër Gjergj Fishta, Patër Bernardin Palaj, Vincens Prenushi, Pjetër Gjura etj Në atë kohë katolikët në Shqipëri numëronin 124 000 vetë, duke përfaqësuar 11.27% të gjithë popullsisë. Kisha katolike dispononte dy arkidioqeza të Durrësit dhe Shkodrës, tre dioqeza të Pulatit, Sapës dhe Lezhës, administratën apostolike për Shqipërinë e Jugut, 131 kisha.

Tre muajt e parë të çlirimit vijoi një paqe e heshtur ndërmjet qeverisë dhe klerit. Qeveria e hiqte veten si mbrojtëse e të varfërve, sikurse edhe kleri. Ajo donte të fitonte një farë mbështetje dhe nga kleri, sa kohë e ndjente veten ende të pa forcuar. Por ideologjikisht feja ishte një kundërshtare e komunistëve. Madje, komunistët ndeshën te feja një rezistencë më të madhe se sa e prisnin. Prandaj e konsideruan atë armikun numër një. Nisi një fushatë e pashembullt kundër klerit katolik. Në prill 1945 u arrestuan katër priftërinj, që u dënuan me vdekje për “veprimtari kundërrevolucionare”. Shumë të tjerë pësuan dhunë fizike.

Me 24 maj, komunistët i vunë zjarrin selisë apostolike. U mbyllën azilet e fëmijëve që mbaheshin nga motrat dhe shkollat fetare, ose mësuesit e tyre u zëvendësuan me mësues shtetërorë, ndërsa programet u ndryshuan në frymën marksiste-leniniste. Ofensiva komuniste vijoi me dënimin me vdekje të 11 priftërinjve të seminarit të Shkodrës, që u tha se mbahej me “pare të huaja”. Ata u shkuan në plumb me 4 mars 1946. Kufomat e tyre qëndruan gjithë ditën ndanë një përroi, në periferi të Shkodrës. Anëtarët e tjerë të seminarit u dënuan me nga 15-30 vjet. Me 18 janar 1946 u dëbuan nga Shqipëria 82 priftërinj italianë. Policia u mori atyre gjithçka që kishin, i hipën në kamionë dhe i shoqëruan me roje për në Durrës deri në ndërtesën e arkidioqezës, nga ku kishin marrë të arrestuar Vinçenso Prenushin. Policia i trajtonte klerikët njësoj si të ishin kriminelë ordinerë. Vinçensio Prenushi u dënua me 30 vjet burg, vdiq në gusht 1952. Viktima të tjera qenë Françesk Gjini, Gjergj Volaj dhe Kisi.

Tregojnë për Gjergj Volan se kur e ëma shkoi ta shohë para se ta pushkatonin, e luti atë që “të qajë jo për të birin, vuajtjet e tij, por për vuajtjet e kishës”. Egërsia e komunistëve shqiptarë i kaloi edhe ato që pësuan martirët e parë të krishterë. Kryeprifti i katedrales së Tiranës dom Kurti dhe ai i Durrësit Jozef Bonati, u pushkatuan pa asnjë proces. Një prift ortodoks papa Pando, nga Fieri, u pushkatua si spiun e tradhtar, sepse kishte kaluar në katolicizëm në vitin 1943. Papa Petro Isaku i misionit katolik të Korçës, qe emëruar prift në kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Dënime dhe përndjekje pësuan Agostin Spanu, Benardin Shllaku, Laka, Gurakuqi, papa Josifi. Papa Pandelejmonin e Misionit Katolik në Pogradec e masakruan në një pritë. E thirrën nga Fieri me një telegram false dhe e qëlluan kur po udhëtonte. Pastaj e copëtuan trupin e tij, e futën në një thes dhe ia dërguan Misionit.

Copa më e madhe ishte koka. Në gojë komunistët i futën një biletë ku shkruhej “Në djall partizan i Papës”. Këtë e bënin edhe kur i ekzekutonin. Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë e kanë paguar me kokë besnikërinë e tyre ndaj Kishës. Në vitin 1948 komunistët nxorën një dekret për krijimin e kishës skismatike shqiptare, me qëllim që ta shkëpusin atë nga ndikimi i Vatikanit dhe ta venë në shërbim të regjimit. Shllaku e disa priftërinj të tjerë u lanë të lirë, me kusht që ta pranonin projektin e statutit të ri të kishës.