TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Memorie.al/ Me 24 maj 1914, u mbajt një simpozium nga organizata “SHTËPIA E LIRISË SHQIPTARO-AMERIKANE”, organizate e krijuar para ca vitesh ne Washington D.C., nga intelektual shqiptar të mirënjohur. Kjo organizate është tipike antikomuniste dhe drejtohet nga anëtarët e bordit, pa emrim të kryetarit. Për herë të parë, pata rastin të marr pjesë si mysafir në këtë simpozium, që me të vërtetë më la përshtypje për formën e këtij organizimi mjaft të qëlluar. Kjo organizatë udhëhiqet nga anëtarët e bordit të drejtorëve sipas rregullit që do të vendosin në rastet e caktuara.
Kësaj radhe sipas rregullit të programit që kishin caktuar anëtaret e bordit do të udhëhiqej nga ish diplomati i qeverisë së parë demokratike shqiptare në Washington-Mustafa Xhepa. Zoti Mustafa Xhepa, së pari na njoftoj për programin dhe në pika të shkurtra, paraqiti historikun e kësaj organizate e pastaj ftoi një nga një anëtarët e bordit, që të paraqiten në skenë me ngjarjet dhe përvojat që kishin të bënin gjatë komunizmit famëkeq në Shqipëri.
“SHTËPIA E LIRISË SHQIPTARO-AMERIKANE” nderoi dy motrat intelektuale Isabela Islami (Çocoli) dhe Zamira Islami (Edwards) me dekoratën “SHQIPONJA E LIRISË”. Zef Balaj, njeri nga anëtarët e bordit të drejtorëve te AAFH-se ishte caktuar që dekoratën “Shqiponja e Lirisë”, të ja dorëzonte dy motrave, Isabeles dhe Zamirës. Zef Balaj me pak fjalë, falenderoi dy motrat heroina për kontributin e tyre shumë të madh, që janë burim inspirimi për të gjithë shqiptaret kudo qe janë.
Duke marr pjesë për herë të parë në këtë organizatë, krijova një përshtypje, sikurse të isha pjesë e saj që nga krijimi i kësaj organizate.
Me paraqitjen e anëtarëve të bordit në skenë, me prezantimin e ngjarjeve të shkurta gjatë komunizmit në Shqipëri, ishte një përjetim që nuk duhet të harrohet kurrë, gjeneratë pas gjenerate.
I jam shumë mirënjohës dhe dua ta falenderoj zotrin Zef Balaj, që më ftoi të marr pjesë në këtë simpozium. Fjalët e Zefit për ftesë ishin: “Besoj se ty të takon të marrësh pjesë dhe nuk do të pendohesh”! Zoti Zef Balaj më prezantoi shkurtimisht duke treguar për marramendjet tona familjare nga Kosova, me familjet antikomuniste shqiptare, ku axha im, Ndue Përlleshi, ishte vra në luftë kundër komunizmit, së bashku me Ndoc Kolë Mirakaj, në bjeshkët e Iballës së Shqipërisë.
Andaj shoqëria me Zotin Zef Balaj, nuk na lidhe vetëm me aktivitetin kombëtar që bëjmë në Amerikë por familjarisht dhe në mënyrë historike, kemi qenë të lidhur për idenë e përbashkët kundra komunizmit të egër që kemi pësuar, sikurse edhe shumë familje tjera që kanë pasur të njëjtin fat. Sikurse një pjesë e kombit që vuajti nën diktaturën enveriane, ashtu edhe ne, asgjë më pakë nën okupimin serbo-jugosllav.
Faleminderit perëndisë dhe gjakut të heronjve që sot përjetojmë lirinë dhe demokracinë në tokën Dardane. Gëzohemi që dy motrat heroina, patën fatin të jetojnë dhe veprojnë në botën e lirë.
Një përshkrim i shkurtër i dy motrave heroina, Isabela dhe Zamira. Ajo çka i bën këto dy motra heroina të dallohen nga të tjerët, është heroizmi dhe puna vetëmohuese. Ato janë simbole të rilindjes nga kampi i internimit-ÇERMA-kamp i komunizmit shqiptar.
Visar Zhiti, shkrimtari i madh antikomunist, thotë për dy motrat: “Duke punuar dy motrat në ‘Zërin e Amerikës’ në Zërin e Lirisë dhe të luftës për liri, ndjenim një lloj triumfi të brendshëm, një lloj drame shqiptare, me aktin e fundit në SHBA-ës, moderne ndër kohë, një lloj subjekti i Kontit të Monte Kristos, por me ‘tragjizëm të kuq’ midis…”!
Heroizmi i motrave Islami, i përcaktuar mirë nga situata antinjerëzore, bën një akt trimërie dhe rezultat heroik. Notimi i tyre nëpër detin e hapur drejt lirisë, mund të ishte i njëjtë me vetëvrasje. Ato e dinin mirë se notimi i tyre, ishte notimi drejt vdekjes, por këto heroina, së bashku me vëllanë e tyre, kishin vendosur të qëndrojnë lartë për lirin e tyre e, mos t’i dorëzohen frikës. Vllau i dy motrave, notonte pas tyre si praparojë, që t’i kishte në vështrim, por fatkeqësisht rojet bregdetare shqiptare të kufirit, e hetojnë dhe i vihen pas me motor-skaf.
Vllau i motrave, Klementi, e ndërron drejtimin, në mënyrë që të mos vihen re motrat, kështu që rojet kufitare bregdetare, me shpejtësi e godasin me motor-skaf, duke e lënë të vdekur në vend, e ashtu të vdekur, e tërhjekin nëpër ujë dhe e dërgojnë në Sarande, pranë plazhit ku pushonin fëmijët e udhëheqësve. Dëshmitar i kësaj ngjarje, ishte i nipi i Hysni Kapos, që sot jeton në New York.
Historia familjare e tyre ishte tmerruese, sepse kurrë nuk ishin pajtuar me komunizmin e egër antinjerëzor. Gjyshi i tyre, Maksut Selenica, ishte i arrestuar në tetor 1944, nga bandat komuniste dhe ishte ekzekutuar me 1945-ën, në moshën 58 vjeçare.
Ndërsa anëtarët e familjes, nëna e tyre, Nadire Selenica Islami dhe gjyshja Ismihan Selenica, vajza e patriotit Zalo Prodanit dhe motra, ishin arrestuar pas ekzekutimit të Maksutit. Babai i tyre, Hajdar Islami, vdes në Berishë të Vogël të Pukës, ku ishte i internuar, pas ngjarjes së arratisjes së fëmijëve të tij. Isabela dhe Zamira kanë lindur në Tiranë. Pas arratisjes nga Shqipëria më 2 gusht 1984, qëndruan deri në dhjetor të atij viti në Athinë të Greqisë, me strehim politik.
Më 19 dhjetor 1984, mbërritën në Detroit Miçigan, ku u pritën si heroina nga komuniteti shqiptar i atjeshëm, një pjesë e madhe e të cilit, e njihte familjen e tyre, si nga babai ashtu edhe nëna. Më 1 korrik 1985, Isabela filloi punë tek “Zëri i Amerikës” dhe në tetor të po atij viti, po aty filloi punë edhe Zamira. Të dy motrat ende vazhdojnë të punojnë tek “Zëri i Amerikës”.
Isabela, është diplomuar në Studime Amerikane dhe Sociologji nga Universiteti George Mason në Faifax të Virgnia-s, pas studimeve për anglisht në Universitetin Wayne të Miçiganit. Zamira ka studiuar po ashtu për anglisht, në të njëjtin universitet, në Miçigan dhe për anglisht dhe histori amerikane, në Nothern Virginia Community College.
Isabela është e martuar me Z. Skënder Çoçoli dhe kanë dy djem; njëri student në degën e Inxhinierisë Mekanike dhe tjetri në Matematikë të Aplikuar. Zamira është e martuar me Z. George Edwards dhe kanë një vajzë e një djalë. Vajza është diplomuar në maj 2014, në Marrëdhënie me Publikun, Komunikim dhe Administrim Biznesi dhe punon në fushën e medias. Djali është student i muzikës dhe administrimit të biznesit.
Dalip Greca: “Si e gjeta te koleksioni i ‘Dielli’-t, shkrimin për ngjarjen e arratisjes së motrave Islami, në gusht 1984”?
Duke përgatitur lidhjen e koleksionit të Gazetës “Dielli” për vitin 1984, më ra në sy titulli hapës i faqes së parë të numrit 14 (Viti i 75-të i botimit), tetor 1984, i edituar atëherë nga ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, mjeshtri i penës që shkruante me frymën e rilindësve, Xhevat Kallajxhiu, ish- kryeredaktor i gazetës “Demokratia” e Gjirokastrës në vitet ’30-‘40 të shekullit të shkuar. Ishte viti i tetë që Kallajxhiu editonte “Dielli”-n; e kishte pranuar thirrjen e “Vatrës” më 1 tetor 1976.
Gazeta e tetorit ’84, hapej me aktin e dy motrave Zamira Islami dhe Isabela Islami, të cilat nga Saranda, kishin kapërcyer detin me not dhe kishin kaluar në Korfuz, ku ishin dorëzuar tek autoritetet greke. Motrat kishin shpëtuar vetë nga vuajtjet e ferrit komunist, por vëllai i tyre, Klement Islami, kishte humbur jetën. “Dielli”, e përshkruan aventurën e dy motrave nëpër dallgët e detit, aventurë që kishte zgjatur 12 orë. Pena e Xhevat Kallajxhiut, e përshkruan aktin e tyre heroik dhe i cilëson ato, si; “dy heroina.”
Humbjen e vëllait, Kelmendit, “Dielli” e përshkruan kështu: “Që të tre notuan pranë njëri tjetrit, gjer në afërsi të Korfuzit, por atje nga korrentet e detit, e humbën njëri-tjetrin. Zamira dhe Isabela, u gjetën dhe u muarën nga një jaht Italian, i cili i çoi në Korfuz. I vëllai, mjerisht nuk u gjet dhe nuk dihet se si përfundoi fati i tij”.
Duke u përpjekur të sjellë detaje të tjera rreth asaj ngjarje tragjike, “Dielli” shkruan: “Të dy motrat dhe i vëllai, e kishin bërë me kohë planin për t’u arratisur nga Shqipëria dhe kur u erdhi rasti i volitshëm, kur shkuan në Sarandë për pushime, e vunë në zbatim. Arratisja e guximshme e Zamirës dhe Isabelës, u lajmëruan nga Agjencitë e lajmeve dhe gazetat e Greqisë e të shumë vendeve të tjera të Botës”, njoftonte Dielli.
Gazetat botuan me tituj të mëdhenj hollësirat e arratisjes dhe intervistat si dhe fotografitë e këtyre dy heroinave shqiptare.
Kur “Dielli” botonte këtë koment, për “Dy heroinat” njoftonte se ato ndodheshin përkohësisht në Athinë dhe pritej që të vinin shpejt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu “Dielli”, paralajmëronte se ato do të vendoseshin për ca kohë në Detroit, ku ndodhej daiu i tyre (në fakt, i priti djali i xhaxhait të nënës), zoti Isuf Selenica bashkë me familjen e tij. Në fakt motrat mbërritën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 19 dhjetor 1984 dhe u vendosën për gjashtë muaj në Detroit, për të kaluar më pas në Washington. “Dielli” shfaqte shpresën se për zonjushat Zamira dhe Isabela, do të shkruante sërish dhe shtonte: “Për tani kufizohemi, vetëm duke i uruar që t’i marrë fati për mbarë”!
Motrat Zamira dhe Isabela, i përkisnin një familje atdhetare që kishte dhënë shumë për Kombin, kishin dhënë kontribut për krijimin e shtetit shqiptar, si nga nëna ashtu edhe nga babai, por regjimi komunist, i masakroi, pushkatoi, burgosi, internoi. Edhe gjyshja 90 vjeçare, ishte internuar, edhe prindërit dy herë. Vetë motrat, kishin kaluar 10 vite internimi para arratisjes, ndërsa vëllai, para arratisjes, kishte qenë në burg politik për “agjitacion e propagandë”. Pikërisht kur ishte arrestuar i vëllai, ato ishin internuar në Çermë të Lushnjës.