BLOG, 26 Maj 2023, 09:09

“Është në gradën e fundit, na mbetet në dorë nëse e bëjmë operacion”- Shtrimi në spitalin “Foche” dhe diagnostikimi me kancer i Mbretit Zog në ’61: Madhëria e tij ndonjëherë humbiste veten

“Është në gradën e fundit, na mbetet në dorë

Memorie.al/ Të gjitha bagazhet e amballazhuara ndërkohë, kishin mbetur në shoqërinë “Farose”. Në këtë kohë, ai e la hotelin “Mediterranea” dhe zuri një shtëpi të madhe, në Ramleh Marash-Pasha. Aty ai u instalua në pritjen e pagesës, që të nisej. Dhe, kur më në fund e pa se pagesa, nuk po i bëhej shpejt, vendosi për të dalë, por të gjitha të hollat, ishin në bankën “Miser.” Për të tërhequr të hollat, lipsej të pagonim plot 76.000 lira egjiptiane. Mbreti këtë dëshironte, që me të hollat e shitjes së shtëpisë, të dërgonin paratë në bankën “Miser” dhe të tërhiqnin të gjithë arin, që ishte në dollarë, ar, amerikan.

Gjendja në gjithë viset egjiptiane, përditë vjen duke u keqësuar. Qeveria, e ka humbur krejtësisht autoritetin para popullit e, sidomos pas rënies së Qeverisë të Nehas Pashës, erdhën qeveri me radhë, muaj më muaj, por asnjë dobi. Është një gjendje jo vetëm e keqe, por edhe një anarki komplet. Pritej në çdo ditë, ndonjë kryengritje, nuk kuptojmë as Qeverinë, as Mbretin Faruk, se çfarë mendojnë, e përse nuk marrin masa, kjo situate, ka vënë në frikë edhe të huajt. Çdokush po largohet dhe të gjithë pasanikët, marrin masa për largimin e pasurisë. Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ishte shumë i mërzitur pas kësaj dhe mendoi se: “Do të dal, sepse dy shtëpitë në Kanë, janë të zëna dhe të paguara për 6 muaj”. Por, ç’të bënte, kur ende Princi Telat. nuk i përgjigjej?

Mbreti Zog, më datën 10 Maj 1952, kishte shumë audiencë. Ai ishte në sallon poshtë dhe gjithmonë kishte dhimbje të një ulçere. Por, këtë ditë, i kishte peshuar më tepër dhe nuk e ndiente veten mirë. Si mbaroi të gjitha pritjet, në orën 12 të ditës, u ngrit dhe filloi të hipte shkallët. Kishte dy oficerë me vete, që e shoqëronin. Kapiten, Muharrem Gjoka, ishte më pranë.

Ndërkohë e sheh se është mjaft i zbehtë dhe e urdhëron që ta mbajnë e, t’i rrinë afër. Papritmas, kur ishte në mesin e shkallëve, Mbretit i vjen një krizë aq e rëndë, sa po të mos e mbante oficeri, ai do të ishte rrëzuar. Aty e merr për krahu oficeri, Muharrem Gjoka dhe e çon direkt në dhomën e fjetjes. Mbreti, ishte si i fikur se po i shkonte shumë gjak. Menjëherë thirri dy doktorët e shtëpisë: Doktor Omer Shaukinë dhe Doktor Qemal Jusufatin. Ata menjëherë e trajtuan me akull dhe injeksione.

Mezi mundën që pas një ore, ta sjellin pak në vete, se ishte i dobësuar krejt dhe kishte humbur shumë gjak. Pas dy orëve, erdhi në vete. Ishte shumë i lodhur dhe aq i këputur, saqë nuk mund të ngrihej në këmbë. Kishte humbur shumë gjak e, u lodh shumë. Po në atë mbrëmje, morëm edhe tre profesorë specialistë të ulçerës dhe ata i bënë të gjitha kurat. Por, u dobësua shumë dhe kështu vazhdoi 4 ditë. Pas katër ditëve, gjendja u përmirësua disi, sa për të ndenjur në karrige. Por, vetëm dhe gjithmonë në dhomën e gjumit e, asnjëherë jashtë dhomës. Profesorët që erdhën, i thanë se, nuk mund të udhëtojë para 2 muajsh.

Na vjen Exelenxa e tij, Shyqyri Kuantly. Ai duke qeshur, menjëherë hyri te Mbreti Zog i I-rë dhe i tha: “Madhëri, çdo gjë u mbarua. Tani, qeveria egjiptiane, ka dhënë të gjitha urdhrat që; Madhëria Juaj; të jeni të lirë, kur të dëshironi për të dalë. Dërgoni e merrni pasaportat, se i keni gati. Po ashtu, edhe bankës “Misir”, i është dhënë urdhër, për të tërhequr të gjitha të hollat që keni depozituar, etj. Kur po bisedonte Kuatly me Mbretin Zog, aty vjen edhe avokati Hasan Saoud, i cili kërkoi të paraqitej te Mbreti Zog. I thamë të presë se, ishte Presidenti Kuatly, por megjithatë e thirrën brenda edhe avokatin, i cili parashtroi, se e kishin lajmëruar se, ende gjyqi nuk kishte marrë fund, për sa i përket Sezisë.

Duhej të linin një garanci në bankë për gjyqin, prej 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lira egjiptiane, derisa të merrte fund gjyqi. “Në rast se fitoni gjyqin, këto të holla, ju dërgohen në Francë lirisht prej bankës”. Presidentit Kuatly, i erdhi shumë keq se, Presidenti i Egjiptit, Gemal Abdyl Naser, i ka thënë se; asnjë pengim nuk ka, e u skuq, por tha: “Madhëri, me këta njerëz, nuk di njeriu se ku mbahet. Nuk kanë as më të voglën burrëri. Ku na nxjerrin tani se, Sezija, nuk ka përfunduar!

Do t’i shkoj përsëri Naserit”, – tha, por Mbreti Zog, e zuri për dore, e i tha: “Jo, jo, miku im, nuk ka problem. I lemë ato garanci që kërkon gjyqi. Më mirë mos të hyjmë më thellë, se kjo shumë nuk do të pengojë. Vetëm shumën e arit që kam në bankën “Miser”, të ma lenë të lirë, se dua të shes prej tyre, për të paguar 75.000 lira. Për tre vjet, kam hyrë borxh këtu brenda në Egjipt e, ndër banka, e pastaj më duhet për të tërhequr arin, që kam në bankën “Miser”.

Mbreti, pas kësaj, e urdhëroi avokatin Hasam Saoud: “Më mirë rregulloje sipas ligjit këtë garanci dhe mos të kemi më pengesa”. Madhëria e Tij, Mbreti Zog, u mërzit që e pa Presidentin Kuatly, shumë të mërzitur. Ky i fundit, nuk dëshironte që, t’i linte këtë garanci. Por, Mbreti Zog i tha: “Miku im, jam tepër mirënjohës kundrejt teje. Sikur mos të kishit qenë ju, edhe dy vjet të tjera, nuk do të më lejonin. Tani jemi te qetë. I lini 12.000 lirat, le t’i mbajnë”. Me këto fjalë, avokati shkoi që të rregullonte akt-garancinë. Kur shkuam në bankën “Miser”, për të tërhequr arin, aty na nxorën shumë ngatërresa. I gjithë qëllimi ishte, për të mos lejuar të marrim arin, por këto t’i merrnim në lira egjiptiane. Ne aty kishim ar, në dollar amerikan.

“Një 5 napolon ari amerikan, kushtonte 28 lira egjiptiane, kurse ata, duan ta zënë 5 napolonin ar amerikan, në 11 lira egjiptiane. Kështu u bë një ngatërresë, saqë patëm një humbje prej 147.000 stërlinash, vetëm me arin. Kjo na shkaktoi më tepër probleme, se çdo gjë tjetër. U detyruam që t’ i pranojmë se, vetëm duhet të rrije dhe të shpenzoje edhe më tepër. Mbreti Zog, pranoi se, nuk kishte se çfarë të bënte.

Ndërsa, presidenti Kuatly u përpoq, por ata e gënjenin, duke zenë shkaqe, turli-turli. Mbreti, dha urdhër që të likuidojmë të gjithë pagesat e sa më pare, të niseshim për në Europë. Kështu, pasi u la garancia e gjyqit në bankën “Miser,” u pagua edhe Kompania “Farose” për bagazhet. Nuk na mbeti gjë, as të pagonim biletat e udhëtimit, por u rregulluam. Kështu, morën fund të gjitha, me pagesat e hotelet e të tjera dhe bashkë me këtë, edhe kompania.

Madhëria e Saj, Mbretëresha Geraldinë, përsëri e thirri profesorin Leneger dhe dy specialistë të Spitalit “Foche” të ulçerës. Në konsultë, profesor Leneger, tha se: “Këtu nuk është më zemra, por është ulçera dhe lipset për disa ditë, të shtrohet në spitalin “Foche”. Kurse Mbreti Zog, dëshironte të shtrohej në spitalin amerikan, ku punonte profesori Leneger. Por, aty nuk ishin ato mjete që, i kishte spitali “Foche”. Nuk kishte as specialistët e kështu, u vendos të shtrohej për nja 10 ditë. Kjo bëhej, sa për t’i bërë gjilpërat dhe siç e vendosën në konsultë.

Më’ 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Ishte jo dhe aq i lodhur. Gjithmonë, ishte me ato shaka. Por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament, ku Mbretëresha Geraldinë, ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma, për dy oficerë, të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Kolonel Hysen Selmani, ishte me Princin Trashëgimtar, Lekën, por tri herë ne ditë, shkonin dhe e shihnin, ku javën e pare, ishte fare mirë. Edhe në spital, pranonte vizita. E kishte bërë, pothuaj si në shtëpi. Përditë i vinin të huajt e shqiptarët. Ishin me qindra. Atij nuk i vinte zor, por kënaqej, kur bisedonte me ta.

Asnjëherë, duhanin nuk e linte dhe as kafen. Kur i vinin vizita, ai i priste në një sallon, jashtë apartamentit. Nuk mbante kurrë rrobdishambër në takim. Dhe, nuk ka pritur njeri, pa u veshur me rrobe. Ishte i qeshur dhe i palodhur. Kur përnjëherë filloi të ndjejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë, u thirr profesori, Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche”. Ata na këshilluan, të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu, do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Ata menjëherë u thirrën dhe erdhën e, u vendosën në spitalin “Foche”. Më datë’ 28 Mars 1961, u bë’ konsulta në prezencën e 6 profesorëve, më kompetentë të Europës.

Kë’ta, pasi panë gjithë analizat dhe i bënë shumë fotografi, e shikime, pas gjithë këtyre provave, konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe mushkërinë e zezë, në të cilën ishte kancer. Dhe kjo dhimbje e madhe, nuk ishte prej ulçerës, po prej mushkërisë së zezë. Pas shumë ekzaminimesh, e vërtetuan se është kancer. Profesorët, u këshilluan njëri me tjetrin dhe me shumë prova, shikonin se a mund t’i bëhej një operacion. E panë si të pamundur, pse kishte arritur në gradën e fundit. Në këtë mënyrë, ata dhanë vendimin. Profesorët, pas gjithë analizave e fotografive dhe shikimeve, e panë se sëmundja e Mbretit Zog i I-rë, nuk kishte asnjë shërim. Çdo gjë tjetër ishte e kotë.

Thirrën Madhërinë e Saj, Mbretëreshën Geraldinë, Princin Trashëgimtar, Lekën, Princeshën Sanije, e kolonel Hysen Selmanin, dhe ju komunikuan se, në konsultën e bërë, u konstatua dhe u vërtetua se: “Pas gjithë mjekimeve, që i kemi bërë Mbretit Zog, ai nuk ka vetëm ulçerën, por ka shumë sëmurë edhe mushkërinë e zezë dhe të gjitha dhimbjet, i vijnë prej kësaj. Ky është kancer. Bëmë çmos për t’i bërë një operacion, por është krejt e kotë, se mbetet në dorë. Që sot, ka për të vazhduar të bëjë këto kura. Nëse fillon një përmirësim, ka mundësi t’i bëjmë një operacion”. Pastaj ata dolën.

Profesorët, deri diku na këshilluan se: “Me këto kura që po i japim, e në rast se, diktohet një përmirësim i vogël, profesori i spitalit “Foche”, do të na vërë në dijeni dhe ne do të vijmë menjëherë. Mund t’i bëjmë një operacion, por ka shumë pak shpresë”. Këto ishin fjalët e fundit të konsultës së 6 profesorëve. Në këtë kohë, Princi Leka u mërzit aq shumë, saqë nuk përshkruhet. Nga dhimbja e madhe që i erdhi, ai menjëherë, mori specialistët e spitalit “Foche” dhe bashkë me kolonel Hysen Selmanin, shkoi direkt në një apartament privat. Ai mori në telefon të gjithë institutet, përsa i përkiste kancerit, në të gjitha vendet e Amerikës.

Foli më parë në Boston dhe pastaj me radhë në vendet e tjera. Sapo specialistët e konstatuan këtë kancer, hynë në kontakt me gjithë profesorët për 7 orë me radhë. Ndërsa pamë se nuk mund t’i bëhej një dobi, tani mbetëm në shpresën që na thanë profesorët: Po të përmirësohet pak, mund t’i bënim një operacion. Pas këtij komunikimi të profesorëve, Oborri Mbretëror Shqiptar, lëshoi një komunikatë urgjente, duke i njohur të gjithë shqiptarët, në botën e lirë, si edhe miqtë e shumë personalitete, mbi sëmundjen e Mbretit Zog. Këtu poshtë, ne po shënojmë komunikimin e lëshuar, në bazë të konsultës së fundit, prej 6 profesorëve më të mirë të Evropës.

Për dijeni, ju komunikojë se: për të mjekuar sa më mirë e që të jetë nën shikimin e vazhdueshëm të doktorëve specialistë, Lartmadhëria e Tij, Mbreti Zog i I-rë, Mbret i Shqiptarëve, u shtrua në spitalin “Foche”. Mbreti ynë i dashur, përveç ulçerës së vjetër, që e ka patur prej shumë viteve, vuan edhe nga mëlçia e zezë. Gjendja e përgjithshme shëndetësore, vazhdon të jetë në rregull, por Mbreti, është i dobësuar nga shkaku i mosmarrjes së mjaftueshme të ushqimit.

Njëkohësisht, edhe profesorët më të famshëm, si në; Francë, Gjermani, Zvicër, e gjetkë, janë në konsultime gjithmonë. Kemi për t’ju vënë vazhdimisht në dijeni, mbi shëndetin e Madhërisë së Tij, Mbretit tonë të dashur”. (Kjo komunikatë, ju dha edhe gazetarëve). Tani ndodhemi me një dhimbje e tronditje, e shohim se Mbreti i dashur, ka filluar nganjëherë ta humbasë veten. Por, ai shpejt vinte në vete dhe hapte sytë e na shikonte, po jo me dhimbje. Na shikonte me një fytyrë të qeshur e, përdridhte mustaqet e bukura. Pastaj na jepte të shikonim, se është mirë.