BLOG, 11 Maj 2023, 09:01

“Pas shkrepjes së parë, automatiku i pa pastruar u bllokua”- Dëshmia e ish-ministrit që vuajti 15 vite në Burrel: Si majori gjerman që na e solli Hysni Kapo tentoi të vriste Enverin

“Pas shkrepjes së parë, automatiku i pa pastruar u

Memorie.al/ Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”.

Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

Zoti Kristo, ç´mund të na thoni për rastin më të veçantë që ka ndodhur në pranverën e vitit 1944, në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇL, dislokuar në Helmës të Skraparit, kur Hysni Kapo dërgoi të shoqëruar me partizanët besnikë, dy zbulues gjermanë tepër të kualifikuar, dorëzuar në Ujin e Ftohtë në Vlorë?

Ishte pranverë e vitit 1944. Ndërkohë, isha transferuar pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe kryeja një detyrë të posaçme, që nuk u popullarizua kurrë, por që më vonë, do të merrte formë të caktuar institucionale. Shtabi dhe të gjithë organet e tjerë, po përgatisnin intensivisht materialet e rëndësishme, për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Përmetit, që ishte një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Lufta, kishte marrë përmasa të gjera dhe ishte njohur si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Në Shtabin e Përgjithshëm, tashmë kishin mbërritur: Omer Nishani, Nako Spiru, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica, Medar Shtylla, Baba Faj Martaneshi, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Gjinishi, Manol Konomi, Spiro Koleka, përveç personaliteteve të përhershëm, si: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Ramadan Çitaku, Liri Gega, doemos Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha etj.

Helmësi i vogël, një fshat strategjik e malor, i zgjedhur me mençuri, ndodhej në zemër të Skraparit. Fare pranë tij, ishte baza e furnizimit të përhershëm të Shtabit të Përgjithshëm, bazë e përhershme e Luftës, e pasur me produkte ushqimore. Pak më tutje, 5 kilometra në jug të Helmësit, në një fushë të vogël, ndodhej baza e furnizimit nga ajri, e forcave aleate angleze, në funksion edhe kjo të plotësimit të nevojave të Shtabit të Përgjithshëm. Ky fshat simpatik, ishte shndërruar në një qendër të rëndësishme, që gumëzhinte nga puna. Korrierët, venin e vinin pa pushim dhe mbanin lidhje të qëndrueshme me shtabet e qarqeve dhe të brigadave partizane.

Ishte formuar qendra e radio-telendërlidhjes, me në krye ndërlidhësit veteranë dhe të pasionuar, Kadri Brahimi, Isak Lila dhe Servet Xama. Kjo qendër radio-telendërlidhjeje, realizonte ndërlidhje të qëndrueshme me shtabet e qarqeve dhe të brigadave si dhe me jashtë, kryesisht me fqinjët jugosllavë dhe Shtabin Aleat të Mesdheut. Ishte formuar kompania e ruajtjes së Shtabit me komandant Axhem Abazin dhe komisar Maqo Zoton. Në përbërje të kësaj kompanie, ishin partizanë trima e me përvojë të madhe si: Niko Dulaku, Qazim Malaj, Kiço Negovani, Kadri Kiçaj, Ilia Kerenxhi, Ilo Nepsi, Rrapo Halili, Shaqo Gjini, Moisi Elezi, Gaqo Pojani, Haredin Meçe, Halim Zano, Minella Trebicka, e të tjerë, të cilët nuk më kujtohen, për arsye të kohës së gjatë që ka kaluar.

Ndërkohë, në Shtabin e Përgjithshëm, përveç punës së madhe që bënte Enveri, Nakua, Bedriu, Liria, Çitaku, që përpunonin materialet e Kongresit të ardhshëm të Përmetit; udhëzimet, qarkoret, informacionet, urdhrat e ndryshme luftarakë, për brigadat, komitetet e partisë së qarqeve, ndihmonin edhe shumë të tjerë. Në këtë kohë, ishte krijuar sekretaria e posaçme e përpunimit të dokumenteve të Kongresit, me në krye Nikolla Shurbanin, që sapo ishte kthyer nga Italia, ku vazhdonte studimet për Mjekësi.

Kush e solli majorin gjerman dhe “përkthyesin” e tij në Helmës?

Korrierët e Qarkut të Vlorës, Karafil Kapo, (vëllai i Hysniut), partizan trim dhe me përvojë, (që pas Luftës, në rrethana mjaft enigmatike, është vetëvrarë në Moskë dhe për këtë më ka ardhur shumë keq), dhe partizani tjetër nga Tërbaçi, Shaqo Gjini, një djalë korrekt, që nuk linte detyrë pa kryer, shoqëruan për në Shtabin e Përgjithshëm, Zaho Kokën, pas ngjarjes së dhembshme të pushkatimit të Ramize Gjebresë, ish-të fejuarës simpatike dhe shumë të mençur të udhëheqësit të Rinisë Shqiptare, Nako Spiru. Ato ditë, mbasi u analizua me qetësi edhe njëherë ky akt, Zaho Koka, u transferua në Brigadën e IV-të Sulmuese të Korçës, por rrethanat e krijuara, bënë që ai të shkonte përsëri në qarkun e tij, shoqëruar po nga këta korrierë, të cilët i dorëzuan Hysniut edhe postën e Shtabit të Përgjithshëm.

Në këtë kohë, në Vlorë ndodhi diçka shumë e rëndësishme dhe e veçantë. Ishin dorëzuar në Ujin e Ftohtë, dy zbulues shumë të rëndësishëm të Shërbimit Sekret Gjerman, një major me trup atleti, me nënshtetësi gjermane dhe një civil, i cili luante edhe rolin e përkthyesit, me nënshtetësi çeke, që kishte qenë drejtuesi i bandës frymore të Vlorës. Deklaratat e majorit, ishin se gjoja kishte njoftime shumë të rëndësishme për Shtabin e Përgjithshëm dhe kërkoi që forcat partizane, të cilave i’u dorëzua ta shpinin atje.

Hysni Kapo, pasi kishte biseduar me ta për çështje të përgjithshme, mendoi t’i dërgonte të shoqëruar në Shtabin e Përgjithshëm dhe ashtu u bë. Hysniu, e nisi majorin gjerman e, civilin, për në Helmës, duke e shoqëruar me të njëjtët korrierë, që i kishin dorëzuar postën e Shtabit të Përgjithshëm. Ai i urdhëroi vartësit, që të udhëtonin natën, jashtë qendrave të banuara dhe të ruanin sekretin ushtarak, kur të bisedonin të dy. Majori gjerman dhe përkthyesi i tij civil, mbërritën të shoqëruar nga korrierët në Helmës, një mbas dite vonë, sipas udhëzimeve që ju kishte dhënë Hysniu.

Ju thatë se majori ishte zbulues i kualifikuar. Kush e mori në pyetje atë dhe kolegun e tij?

Menjëherë filloi takimi me ta, pasi u përshëndetëm njerëzisht dhe u nxorëm nga një kafe, unë e Bedriu, të asistuar nga korrieri i Enverit, Niko Dulaku, filluam hetimet, të cilat zgjatën deri vonë, pas mesit të natës. Së pari, i ndamë nga njëri-tjetri dy zbuluesit dhe i pyetëm veç e veç. Të parin pyetëm majorin. Nga bashkëbisedimi me të, i cili nuk kishte formën e një hetimi të ashpër zbulimi, nxorëm se ai në fakt interesohej nëse Shtabi i Përgjithshëm do të kishte interes për këmbimin e mjaft robërve gjermanë me disa personalitete të luftës, që ndodheshin të arrestuar në Tepelenë, Tiranë e kampin e shfarosjes në Prishtinë.

Përveç kësaj, ai konfirmonte se, pasi bisedimet të merrnin formën më të kristalizuar, do të bënte edhe propozime të tjera, që për mua dhe Bedriun, ky ishte një bllof agjenturor. I’a raportuam Enverit, Koçit, Spiros e Miladinit, rezultatet e para të hetimit. Ata, pasi dëgjuan konkluzionet tona, na udhëzuan të vazhdonim të hetonin me kujdes, kështu siç e kishim nisur. Veç kësaj, ne u sugjeruam shokëve të mësipërm që, majori dhe “përkthyesi” i tij civil, duhej të mbaheshin këtej e tutje, të lidhur dhe në arrest. Pasi u aprovua ky propozim, vazhdoi hetimi me personin e dytë. Ai u zbërthye plotësisht dhe tregoi gjithçka dinte. Vërtetoi se, majori gjerman, ishte zbulues i specializuar dhe, nga sa dinte, kishte marrë si detyrë zbulimin e vendndodhjes të Shtabit të Përgjithshëm, dhe mundësisht asgjësimin e tij.

Pas këtij denoncimi, të dy zbuluesit, nuk u takuan më me njëri-tjetrin dhe dirigjenti i bandës së Vlorës, pra zbuluesi civil, u pushkatua në fshehtësi, në mënyrë që bashkëpunëtori i tij, majori gjerman, të mos e kuptonte. Ky fakt, e nervozoi së tepërmi majorin gjerman, i cili për naivitet të kohës, vazhdonte të mbahej i arrestuar, në katin e parë në katua, ndërsa në katin e dytë, banonte një pjesë e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe kishin në përdorim të njëjtin tualet, që ndodhej në katin e dytë. Tualeti, ishte thuajse përballë me derën e dhomës, ku flinte momentalisht Enveri, Spiro Moisiu, Myslim Peza, Sejfulla Maleshova, Miladini, e ndonjë tjetër.

Dhoma kishte vetëm dy mindere fshati, dhe secili prej banorëve të saj, kishte nga një dyshek-jorgan, shumë praktik, që mbyllej me zinxhir, dërguar nga ndihmat ushtarake angleze. Në korridorin para këtyre ambienteve ndodheshin dy tavolina pune, një shtamë uji prej balte dhe përbri njërës prej tavolinave, ishte varur në mur automatiku i Sejfulla Maleshovës. Me sa duket, majori gjerman, zbulues i regjur, i kishte varur shpresat tek imtësia fizike dhe mosha e re e korrierëve partizanë, që luanin rolin e shoqëruesve të tij dhe te ky automatik, të cilin e kishte parë dy-tre ditë rresht, në të njëjtin vend.

Cili ishte plani i zbuluesit gjerman?

Një paradite, me sa duket, pasi e kishte përpunuar mirë në kokën e tij planin e veprimit, gjermani, kërkoi të shkonte në banjë me pretekstin se ndjente dhembje barku. Shoqëruesi i tij, në atë moment, ishte partizani me përvojë luftarake, trim dhe besnik, Qazim Malaj, nga Tërbaçi i Vlorës, mjaft i pjekur si luftëtar, pasi kishte kryer edhe shërbimin ushtarak. Qazimi, pasi e nxori majorin nga vendi ku qëndronte i arrestuar, e shoqëroi nëpërmjet shkallëve, deri në katin e dytë, ku ndodhej tualeti. Gjermani, pasi doli nga atje, iu afrua qetësisht drejt shtambës së ujit, që ndodhej pikërisht nën automatikun e Sejfullait.

Ai i kërkoi Qazimit të pinte ujë, pasi kështu kishte bërë edhe herë të tjera. Partizani Malaj, i bëri shenjë që ta merrte vetë enën e ujit. Ndërkohë, ai mbante fort në duar armën e tij, një maliher të shkurtër grek. Pa vonuar, gjermani u ankua se nuk e ngrinte dot enën e ujit, në mënyrë që Qazimi të gënjehej, e ta mbështeste maliherin e tij në mur. Por, tërbaçioti, partizan me përvojë, nuk e bëri këtë gabim. Ai qëndronte i gatshëm, për çdo të papritur dhe i bëri përsëri shenjë majorit, ta merrte vetë shtambën. Në këtë kohë, gjermani rrëmbeu enën e ujit dhe pasi e goditi rojën, rrëmbeu automatikun e varur në mur, duke qëlluar mbi të.

Pas shkrepjes së parë, automatiku i pa pastruar prej javësh i Sejfullait, u bllokua. Për fat të mire, partizani trim, arriti të shtjerë kundër majorit, i pari. Atëherë, gjermani shkoi te dera, ku banonte grupi i Enverit dhe filloi të kërkonte dorezën e derës, që nuk ishte një dorezë e zakonshme, por një “rreze” e zakonshme fshati. Banorët e dhomës, ishin ngritur në alarm, kishin nxjerrë armët dhe prisnin të gatshëm, banorin e pazakontë. Kushdo që do të hynte brenda do të eliminohej. Roja vigjilent, e qëlloi për të tretën here, në trup majorin, i cili, e ndërpreu përpjekjen për të hapur dhomën dhe u kthye përsëri andej nga i erdhi plumbi.

Çuditërisht, pas tre-katër goditjeve, zbuluesi armik, qëndronte ende në këmbë, por tashmë i parrezikshëm. Mbas pak, në korridorin ku vazhdonte përleshja, vërshoi Niko Dulaku, roja personale e Enverit, por majori tashmë ishte rrëzuar. Qazimi, nga korridori, njoftoi Enverin e të tjerët, se rreziku kishte kaluar. Enveri dhe të tjerët dolën nga dhoma dhe e falenderuan partizanin, por nuk ngurruan që me takt, t´i bënin edhe vërejtje. Faktikisht, ai e kishte shoqëruar i vetëm majorin, kur kishte një urdhër që atë, ta shoqëronin gjithnjë 2 vetë. Ky ishte rasti më i komplikuar, që mund të shpinte në asgjësimin e grupit kryesor, të Shtabit të Përgjithshëm.

Pas disa ditësh, një avion gjerman dykrahësh, fluturoi ulët mbi Helmës, duke qëlluar me granata dore, por mitralozat kundërajrorë të grupit të ushtarakëve anglezë, që ndodheshin në sheshin e hedhjes së furnizimeve ushtarake në Staraveckë, hapën zjarr të përpiktë dhe bënë të mundur, që aeroplani të largohej me shpejtësi. Pas kësaj ngjarjeje shumë të rrezikshme, në ndërtesat e fshatit, u vendosën roje të dyfishta, u përforcua kompania e Shtabit, me forca të tjera, derisa u zgjerua në rang batalioni, me komandant Hajdar Aranitasin dhe komisar Rita Markon.

Ju thatë pak më sipër, që po përgatiteshin intensivisht punimet e Kongresit të Përmetit. A mund të na thoni përshtypjet tuaja rreth tij?

Kolona e gjatë e marshuesve të Shtabit të Përgjithshëm, nga Helmësi i Skraparit, për në fshatin Odriçan të Përmetit, ku do të vendosej udhëheqja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte mjaft e gjatë, së bashku me ne marshonte edhe grupi i anglezëve, atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm. Përpara se të hynim në fshatin Staraveckë, ku ndodheshin ushtarakët anglezë, të bazës së furnizimit, mbaj mend, se, Mustafa Gjinishin, e takoi një ushtarak anglez, për gradën ushtarake të të cilit nuk jam i sigurt. Anglezi, i dha Mustafait një zarf, që pasi e firmosi, ia ktheu zarfin, ndërsa dokumentin, e futi në xhep.

Me këtë rast, midis Miladimit, Enverit dhe Mustafait, u zhvillua një debat i ashpër. Miladini, ngulte këmbë që, Mustafai t’i bënte të njohur përmbajtjen e dokumentit, kurse ky i fundit, i tha prerazi se, ai nuk do t’ia jepte kurrsesi përmbajtjen e asaj letre. Acarimi i bisedës, shkoi deri në atë nivel sa, Miladini e akuzoi Mustafa Gjinishin, si agjent të anglezëve. Kurse, Mustafai, e quajti Popoviçin, si njeriun që ndërhynte vend e pa vend, në punët e brendshme të Partisë sonë. Kjo bisedë, mua më bëri shumë përshtypje, por po e përmend sepse, në Plenumin e Dytë të Beratit, Enveri ka shpjeguar një variant të butë, për këtë çështje, kurse në veprat e tij, shpjegon një variant më të ashpër. Kur në Berat thotë, se; nuk dinte gjë për këtë problem, pasi përplasja kishte ndodhur mes Mustafait dhe Miladinit, në variantin e dytë, shpjegon se çështjen e “tradhtisë” së Gjinishit, na e paska zbuluar ai vetë.

Madje, atë bisedë, që në Berat e shpjegon se ishte zhvilluar mes atyre të dyve, tashmë së fundmi, thotë se kishte qenë dëshmitar edhe vetë, por arrin deri aty, sa të thotë se, e ka kritikuar dhe akuzuar Gjinishin, si tradhtar. Për Kongresin e Përmetit, nuk po zgjatem, sepse materialet për të, tashmë janë të njohura nga të gjithë, por mund të deklaroj, se ato ditë, kam takuar me qindra shokë të luftës, nga të katër anët e vendit. Kongresi tregoi pjekurinë dhe seriozitetin e Luftës, që po bënte Shqipëria, e cila tashmë ishte njohur edhe nga koalicioni i madh antifashist.

Vendimet e këtij Kongresi, ishin tepër të rëndësishme, sepse sanksionuan dhe ligjëruan, të gjithë luftën e madhe që kishte bërë populli ynë, deri atëherë, por të mos harrojmë se, përveç anës festive të Kongresit, po përgatitej Operacioni armik i Qershorit, por pikërisht në Përmet, më 28 maj 1944, u mor vendimi për krijimin e Divizionit të Parë Sulmues, që mori urdhrin me rëndësi operative-strategjike, për fillimin e thyerjes së mësymjes së përgjithshme armike të qershorit dhe për të kaluar në Veri të lumit Shkumbin dhe fillimin e mësymjes, për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Disa muaj më vonë, do të krijoheshin edhe shtatë divizione të tjerë, të inkuadruara në tre Korparmata, çka për kushtet e vendit tonë, ishte një ndihmesë e madhe, që dha populli shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Mbaj mend që, në Përmet, oficerët e misionit anglez, rrinin jashtë sallës, ku zhvillonte punimet Kongresi. Nuk e kuptoj se, ku ishte arsyeja e këtij qëndrimi kaq i ulët dhe grindavec, fëmijëror, ndaj aleatëve të luftës sonë, kur ne, Shqipëria e vogël, kishim interesa të jashtëzakonshme nga aleatët tanë antifashistë. Dhe kur po përpiqeshim me të gjitha forcat, të shpëtonim tërësinë territoriale të atdheut. Unë, u zgjodha anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar dhe pikërisht ky Kongres, i dha Komitetit Antifashist, atributet e një qeverie të përkohshme popullore, pra, abrogoi përfundimisht formën e regjimit monarkik. Këtu u dhanë gradat e para ushtarake, duke u njësuar komanda e lartë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe Enver Hoxhës, iu dha grada më e lartë, gjeneral-kolonel dhe u emërua Komandant i Përgjithshëm, kurse Koçi Xoxe, mori gradën gjeneral-lejtnant, e po ashtu u emëruan gjeneralët e pare, të njësive tona të armatosura.

Pikërisht ato ditë, mbaj mend që, erdhi urdhri për Miladinin, për t’u larguar nga Shqipëria. Enveri e përcolli Miladinin në këmbë, nga Përmeti deri në Këlcyrë. Prej andej, Miladini vazhdoi rrugën, i shoqëruar nga një grup partizanësh, drejt Himarës nga ku, do të udhëtonte me vapor, për në Itali, për t’u kuruar. Unë e di se, Miladini, ka qenë i sëmurë nga mushkrit, qysh nga viti 1937-‘38 dhe është kuruar në një spital në qytetin e Golnikut. Gjatë rrugës, ata biseduan rreth dy orë dhe u ndanë përfundimisht me njëri-tjetrin. Këto fakte, mua më janë bërë të njohura edhe në sajë të detyrës së re, që kisha marrë, si shef i Shërbimit të Informacionit.

Enveri dhe ne të tjerët, nuk e pamë më Miladinin, me përjashtim të ndonjë shoku apo shoqe të rrallë, që ia desh puna të shkonte në Jugosllavi, apo Kosovë. Ndërkohë, ne na priste faza përfundimtare e luftës, që ishte çlirimi i plotë i vendit, por për këtë, do të duheshin beteja të reja dhe sakrifica të mëdha. Në Beratin e çliruar, ne do të formonin qeverinë e re dhe do të bënim bilancin politiko-luftarak, në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të PKSH-së, të të gjithë luftës sonë të madhe dhe heroike…!