BLOG, 10 Maj 2023, 10:26

Kur Belo ta lyp me dhunë

Kur Belo ta lyp me dhunë

Telefonoi një vajzë me mbiemrin Duka. Tha se ishte e pjesë e shtabit elektoral të kandidatit të “Bashkë Fitojmë”. Hyri direkt në temë.

-A jeni gati për të bërë ndryshimin?- pyeti ajo me ton hetues.

-Po, po-thashë qejfprishur nga bezdia që të jep telefonuesja e 1000-të që të thotë se je përzgjedhur në short dhe se ke përfituar 30 për qind ulje në ofertën e dyshekut.

Pra do të votoni koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatin e saj Belind Këlliçi?- ngulmon telefonuesja.

-Vota është e fshehtë, nuk tregohet- i them prerë.

-Jo, po unë dua ta di tani, këmbëngul vajza që duhej të ishte në moshë të re- Do ta votoni koalicionin tonë dhe Belind Këlliçin?

-Po ku e ke marrë këtë numër- pyes i nervozuar, si qindra raste të tjera kur të ngrihen kacabujtë me dhunuesit e privacisë e të të dhënave personale.

Heshtje.

Mbylla telefonin me ndjenjën e hidhur në gojë. Më kishin marrë edhe më parë nga call-center-i elektoral i selisë blu, por paska vajtur shumë më lart harbutëria, se sa në kohën e PD-së së Lul Bashës.

Të paktën atëherë nuk ta kërkonte deklarimin e votës përmes telefonit, vetëm të vinte në dijeni dhe të sugjeronte që të votoje për opozitën.

Dhe për më keq. “Koha për ndryshim”, kësisoj, nuk ka asnjë dallim nga patronazhistët e PS-së që i anatemon në Kuvend dhe në çdo komunikim publik, para, gjatë dhe pas fushatës dhe më pas operojnë njëlloj si ata. Madje ata janë "shalqinj me provë", siç thotë Rama, më të ndyrë dhe më spiunë nuk i bën nëna. Ndërsa çdo fushatë marrin të njëjtët defterë elektronikë dhe telefonojnë duke të lypur votën, me dhunë. Kësaj radhe në emër të Belos.

E kundërta duhet të ndodhë. Ta bindë çdokënd me zemër në dorë që ditën e votimeve ta ketë të qartë zgjedhjen, lirshëm dhe me vullnet të plotë, duke besuar se voton për ndryshimin.