BLOG, 13 Mars 2023, 11:25

Rreth-Rrumbullaku i policisë brenda krimit

Rreth-Rrumbullaku i policisë brenda krimit
Fotomontazh: Dyrnjaja dhe Rrumbullaku

Palermo e Italisë në vitet 1970 '80 '90-ës ku mbizotëronte dhuna dhe atentatet mafioze nuk ka asnjë dallim nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Vlora apo Fieri i sotëm në Shqipëri
Mbrëmë u vra një grua që punonte si banakiere në një lokal në kryeqytet dhe u plagosën edhe 5 persona të tjerë. Thuhet se objekt i atentatit ishte xhaxhai i pronarit të lokalit, që mbeti i plagosur bashkë me 4 persona të tjerë. Në fakt edhe ata të plagosur duhen konsideruar si të vrarë, se kanë shpëtuar rastësisht, pasi praktikisht në atë mënyrë sesi atentatori i paidentifikuar ka qëlluar, duke shkarkuar automatikun me breshëri, sot nuk do të ishin në spital, por në varreza.

Duket se atentati është më shumë një mesazh hakmarrjeje sepse vetë i zoti i lokalit ku ndodhi ngjarja, në lagjen e njohur si Don Bosko, nuk ka qenë aty prezent. Ai është kontingjent krimi dhe dyshohet si i implikuar në ngjarje të rënda kriminale. Dhe mesa duket rivalët kanë gjetur këtë mënyrë shpagimi. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është ligji dhe shteti që duhet të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Dhe këtë rol e ka policia e shtetit. Aktualisht ajo duket jashtë loje dhe rolit të saj.

Drejtuesit e policisë sa herë vjen rasti mbrohen me statistika. Por jeta e gruas që u vra mbrëmë dhe e djalit të saj që humbi nënën në mënyrë krejtësisht të pafajshme, nuk janë dhe nuk mund të jenë një statistikë. Në vend të rezultateve konkrete të 3 mujorit në goditje të krimit dhe elementëve kriminalë, vijnë njoftime për lëvizje të drejtorëve të policisë në të gjithë vendin, emërime, shkarkime të po të njëjtëve njerëz që qarkullojnë sa në një post në një tjetër e sa në një qark në një tjetër, duke mbajtur të njëjtën panoramë pasigurie.

Sa 100 ditësha premtues kanë kaluar për rivendosje kontrolli të rendit dhe sigurisë nga policia. Afati i fundit i lënë me shumë pompozitet, ishte ai i Kryeministrit Rama, që shoqëroi emërimin e Muhamet Rrumbullakut si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Të zbardhet fati i Ervis Martinajt brenda 100 ditësh kërkoi kryeministri para trupës kryesore që drejton policinë. Kaluan 6 muaj e do të kalojnë edhe shumë të tjerë dhe zor se ka për t'u mësuar gjë.

Është kthyer në rutinë që pas procedurave formale nga policia, ngjarjet kriminale të pasohen nga heshtja deri në harresë totale. Kjo tregon se policia në më të paktën e së keqes, është e atrofizuar, e paralizuar dhe e dorëzuar, ndërsa në më të keqen e implikuar dhe vetë me krimin dhe kriminelët. Zbulueshmëria dhe parandalimi i krimeve, veçanërisht vrasjeve është e papërfillshme. Kushdo që do të kryejë një atentat e kryen, si në qendër të Tiranës si në periferi, si në kryeqytet e në çdo qytet. Kjo ndodh pasi autorët e krimeve nuk ndjejnë frikën e ligjit, kapjes apo dënimit. Kjo ndodh sepse në jo pak raste ata kanë mbështetjen e policisë dhe strukturave të saj specifike.

Krimi po sponsorizon dhe mban me paga në bordero të zeza edhe policinë. Të gjithë flasin për listëpagesa të shefave të komisariateve apo shefave të policisë kriminale, deri te agjentët e thjeshtë. Rastet e implikimit të punonjësve të policisë në mbështetjen e grupeve kriminale me informacion për rivalët apo edhe me mbrojtjen apo shoqërimin e personave të inkriminuar tanimë nuk është lajm.

Ku është goditja energjike e policisë ndaj këtyre grupeve apo individëve të cilët nuk fshihen?! Kush do ta bëjë atë? Këta persona i gjen kudo, njerëzit madje i dinë, i njohim dhe i shohim, pasi ata bëjnë një jetë të dukshme dhe pa asnjë problem. Në një restorant mund të gjesh ndoshta të drekojë ose darkojë si ministrin e brendshëm ashtu edhe kontigjente të botës së krimit. Ky quhet faliment i shtetit dhe i ligjit.