TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Lufta në Ukrainë është shumë më tepër se liria e këtij vendi të madh fqinj me Rusinë. Kjo është arsyeja pse Ukraina duhet të mbështetet vazhdimisht nga Perëndimi, thotë Miodrag Soric.
Bota siç ishte para luftës në Ukrainë - kjo është ajo që dëshirojnë shumë vende në Evropë, në Ukrainë por edhe në Rusi.
Kur politikanët e Kremlinit veprojnë sikur janë gati të negociojnë për paqen dhe thuhet se kjo dështon vetëm për shkak të mosgatishmërisë së ukrainasve dhe Perëndimit, atëherë ata po luajnë me këtë dëshirë të popullit - të jetojnë përsëri në një botë si para luftës, pa vdekje dhe shkatërrime, pa sanksione, pa gaz dhe naftë të shtrenjtë.
Por nuk do të jetë kurrë më njësoj si para luftës. Madje edhe nëse armët heshtin menjëherë. Sepse lufta në Ukrainë nuk është shkaku i debatit të vazhdueshëm për rendin e ardhshëm botëror. Lufta është vetëm pasojë e këtij konflikti. Rusia dëshiron të shkatërrojë rendin botëror të bazuar në të drejta dhe vlera - me çdo mjet. Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe disa shtete të tjera po e ndihmojnë Moskën.
Po sikur Rusia të fitonte luftën...
Pasi gjërat janë kështu, kjo luftë globale do të zgjasë. Është një lloj lufte e pashpallur e tretë botërore që Putini dhe diktatorët e tjerë po ia imponojnë njerëzimit, duke përfshirë edhe bashkatdhetarët e tyre. Demokracitë nuk mund të injorojnë konfliktin, ato nuk mund të ikin.
Nëse ikin, do të riktheheshim në barbarizëm; në një botë ku vetëm fuqia e më të fortit ka rëndësi, ndërsa të drejtat individuale të njeriut nuk kanë asnjë kuptim.
Po të fitonte Rusia luftën kundër Ukrainës,ajo do të vazhdonte agresionin e saj kundër vendeve të tjera - në Moldavi, në Kazakistan apo në Bjellorusi. Kina gjithashtu do të inkurajohej të përdorte edhe më shumë dhunë kundër atyre që mendojnë ndryshe si dhe kundër minoriteteve - në Hong Kong, në Tajvan, në ishujt në Detin e Kinës Jugore.
Regjimi i mullahëve në Iran po ashtu nuk do të hezitonte të përdorte dhunë kundër popullit të vet, kundër shteteve të tjera në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Ndërsa nëse Rusia e humbë këtë luftë do të ndodhte e kundërta: Kina, Irani, Koreja e Veriut dhe shtetet e tjera do të mund të ishin shumë më të kujdesshme.
Nuk është rastësi që Irani po furnizon Putinin me drone luftarake. Mullahët e dinë se ditët e regjimit të tyre do të jenë të numëruara nëse Putini humbet luftën e tij agresore. Në fund të fundit, Irani shet më së shumti naftë në Moskë dhe Pekin. Pa këta "klientë", baza ekonomike e regjimit terrorist në Teheran do të rrënohet. Përveç kësaj, një fitore e Ukrainës do të nxiste edhe demonstruesit në Iran.
Bota e qytetëruar nuk duhet të dorëzohet
Pasi që gjërat janë kështu, sepse gjithçka është e lidhur mes vete, Putini nuk guxon të fitojë. Shtetet demokratike, bota e qytetëruar, nuk duhet të dorëzohen para diktatorëve. NATO duhet të forcohet masivisht – pavarësisht se si përfundon lufta në Ukrainë. BE-ja, SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Japonia dhe aleatët e tyre nuk mund të jenë më naivë në bashkëpunimin ekonomik, nuk mund të jenë të varur nga zinxhirët e furnizimit, nga lëndët e para dhe tregjet e eksportit - edhe nëse ato janë aq të mëdha sa tregu në Kinë.
Sigurisht: Ukrainasit po luftojnë në radhë të parë për lirinë e tyre, për vendin e tyre, për familjet e tyre. Por shikuar nga sfondi i konfliktit global midis koalicionit të të këqijve nga njëra anë dhe botës së lirë nga ana tjetër, ata po luftojnë edhe për këdo që vlerëson demokracinë dhe respekton të drejtat e njeriut.
Kjo është arsyeja pse Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën - financiarisht, ushtarakisht, moralisht dhe politikisht. Ukrainasit po luftojnë edhe për shumë njerëz të tjerë në mbarë botën që dinë pak për luftën.
Sepse a beson dikush seriozisht se Putini apo Xi kujdesen vërtet për klimën globale? Nga ana tjetër, arritja e synimeve të OKB-së për klimën është e pamundur pa Moskën dhe Pekinin. Kjo është një arsye tjetër pse Putini duhet të ndalet. Për sa kohë ai është në pushtet nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë paqe./Deutsche Welle