BLOG, 17 Nëntor 2022, 20:09

Receta për arrogancën e Ramës

Receta për arrogancën e Ramës

Divjaka, Rinasi, Kukësi dhe studentët.

Çfarë i bashkon këto protesta?

Zmbrapsja e qeverisë përballë forcës.

Kur nisi vendosja e traut në Kukës, të gjithëve ju kujtohet arroganca me të cilën e nisi Rama nismën. Shpërfillës, arrogant, i vendosur. Kur dolën kukësianët me hunj në rrugën e Kombit dhe dogjën traun, ju sërish e mbani mend daljen e Ramës në konferencë shtypi, dyllë i verdhë, me zërin të dridhur.

E njëjta gjë ndodhi me banorët e Rinasit. E nisi, e bllokoi rrugën dhe filloi qarkullimi me një sens në rrugën e Rinasit duke shpërfillur kundërshtitë. Kur banorët dolën në protestë njëjtë si kuksianët. U tërhoqen, qarkullimi u rikthye siç ishte. Si pula që fshihen pas mullarit të bykut kur afrohet skifteri.

Protesta e studentëve dhe ajo për vrasjen e Klodian Rashës ishin gjithashtu dy nga protestat rinore më të forta që kanë ndodhur këto vite. Në fillim bënte indiferentin, më pas u detyrua të lëshojë cicërima si zog i trembur nga Twitteri: “kur do flasim, kur do ulemi…”. Ndërsa në rastin e Rashës u detyrua të largojë ministrin e brendshëm nga detyra.

E njëjta gjë u pa sot me banorët e Divjakës. Ata duket se janë të vendosur për një protestë të fortë, tonet e qeverisë tregojnë fillimin e zmbrapsjes.

Çfarë duhet të ndodhë në Durrës për Portin? E njëjta gjë. Pasi ky kryeministër dhe kjo qeveri ka dhënë prova se në fillim bëjnë arrogantin e të fortin, por kur përballen me ndonjë hundëlesh, tërhiqen me bisht ndër shalë.

Kur e pyet Ramën për protestën e fundit thotë, “nuk e di sa ishin, nuk më intereson sa ishin, le të dalin sa herë të duan etj”.

Por rastet e lartpërmendura tregojnë se si merr vesh ai dhe qeveria e tij.

Pra, me të mirë nuk merr vesh, kur bie në hundëlesh, bëhet si zog qyqeje.