BLOG, 13 Nëntor 2022, 12:48

A kanë arritur tashmë kulmin Rusia dhe Kina?

A kanë arritur tashmë kulmin Rusia dhe Kina?

Titulli tingëllon si një pyetje e çuditshme, në një kohë kur këto dy vende duken kaq të fuqishme dhe agresive, i pari ka sulmuar Ukrainën, i dyti po kërcënon se do të marrë Tajvanin.

Megjithatë, ashtu siç vumë re kulmin e Japonisë rreth viteve 1990, po shtohen provat se Rusia dhe Kina po shkojnë në një rrugë të ngjashme, për arsye të ndryshme.

Së pari do të trajtoj Rusinë, pastaj Kinën.

Rusia ka marrë nisma që shkojnë përtej peshës së saj politike dhe ushtarake, falë arsenalit më të madh të armëve bërthamore në botë, një mbetje nga epoka sovjetike. Por PBB-ja e saj është e një madhësie të ngjashme me atë të Spanjës, ose Kanadasë.

Përpjekja e Rusisë për të aneksuar Ukrainën, ka ekspozuar kufijtë e fuqisë ushtarake konvencionale ruse. Megjithëse kërcënimi bërthamor i Rusisë vazhdon, ndoshta kufizimi kryesor në përdorimin e tij, është vështirësia për të krijuar një skenar fitues.

Në thelb, rënia e Rusisë është nxitur nga demografia e saj. Për shkak të alkoolizmit të përhapur dhe një sistemi të dobët shëndetësor, sipas Rand Corporation, Rusia ka jetëgjatësinë më të ulët të meshkujve se çdo vend i zhvilluar (58 vjeç) dhe një normë të ulët lindjeje.

Zyra e Regjistrimit e SHBA-së parashikon se popullsia ruse, që po plaket me shpejtësi, do të ulet nga afërsisht 140 milionë sot, në rreth 110 milionë deri në vitin 2050. Këto parashikime janë bërë përpara luftës në Ukrainë, e cila shkaktoi emigrimin e qindra mijë të rinjve dhe vdekjen e dhjetëra mijë në fushën e betejës.

Shumë nga njerëzit që emigrojnë janë sipërmarrës të talentuar dhe punonjës të IT-së, gjë që tregon “largimin e trurit” nga vendi. Kriza demografike e Rusisë do të ndikojë në fuqinë ekonomike dhe aftësinë për të shpalosur fuqinë politike dhe ushtarake. Dhe për ta kthyer mbrapsht këtë prirje, do të duheshin 30 vjet.

Sipas analistit gjeopolitik, Peter Zeihan, pikërisht kjo situatë, e cila po e dobësonte vendin me shpejtësi, e tundoi Putinin të pushtonte Ukrainën, përpara se Rusia të përjetonte rënie të mëtejshme.

Në Kinë ka një model të ngjashëm të rënies demografike, por për arsye të ndryshme. Politika “vetëm një fëmijë” (1980-2015), e detyroi shumicën e familjeve që të kishin vetëm nga një fëmijë, duke e bërë të pashmangshme rënien e popullsisë.

Një tepricë prej 30 milionë meshkujsh më shumë se femra, kufizoi edhe më tej formimin e familjeve të reja. Sipas South China Morning Post, popullsia e Kinës pritet të përgjysmohet (nga niveli aktual prej rreth 1.4 miliardë banorë) deri në vitin 2050. Pa dyshim kjo do të ndikojë në PBB-në e vendit dhe ambiciet si superfuqi.

Normat e rritjes ekonomike prej 6%+ gjatë dekadave të fundit, janë nxitur nga disa faktorë:

Asnjë nga këto dukuri nuk është më e qëndrueshme. Rritja ekonomike e Kinës në gjysmën e parë të vitit 2022, ishte vetëm 2.5%.

Centralizimi dhe autokracia e Kinës (përfshirë politikën “zero-Covid”) ndikon negativisht në investime, sipërmarrje, flukset e kapitalit dhe emigracion.

Nxitja e presidentit Xi për “prosperitet të përbashkët”, për të ngushtuar hendekun e të ardhurave dhe pasurisë, si dhe thirrja e tij në Kongresin e fundit të partisë, për “rregullimin e mekanizmit të akumulimit të pasurisë”, do të zbehë edhe më shumë sipërmarrjen dhe do të nxisë largimin e kapitalit.

Tregjet financiare po përjetojnë ndryshim të madh në marrëdhëniet me Kinën: indekset e bursës kineze pas Kongresit dhe kurset e këmbimit të juanit po bien. Nëse qeveria nuk ndryshon drejtim, prirja do të jetë e vështirë të ndryshohet.

Ekonomia e Kinës është më e madhe se ajo e SHBA-së për nga barazia e fuqisë blerëse (Purchasing Power Parity), dhe Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi parashikon se në vitin 2028, Kina do ta tejkalojë SHBA-në në terma absolutë. Për mendimin tim, kjo nuk është aspak e pashmangshme.

Kina mund të tundohet të pushtojë Tajvanin për arsye të ngjashme me ato të Rusisë, përpara se fuqia e saj në raport me SHBA-në, të fillojë të zbehet.

Nuk dua të nënvlerësoj aspak problemet me të cilat po përballet SHBA-ja, si polarizimi i skajshëm politik, nivelet e larta të borxhit, etj., por SHBA-ja ka një bazë teknologjike dhe sipërmarrëse më të fuqishme dhe një gjendje demografike shumë më të mirë se Rusia dhe Kina.

SHBA-ja përfiton nga shumë më tepër emigracion dhe amerikanët e brezit baby boomer kanë pasur më shumë fëmijë sesa rusët apo kinezët.

Sistemi demokratik lejon ripërtëritje dhe ide të reja çdo katër vjet, në krahasim me mbylljen prej disa dekadash që shkakton një udhëheqës autokrat. Putin dhe Xi janë duke i ndryshuar vendet e tyre në gjerontokraci.

Natyrisht që shoqëritë ku informacioni rrjedh lirisht, janë më inovative dhe produktive. E mbani mend tezën e “shoqërisë së hapur” për të arritur fitoren e SHBA-së në Luftën e Ftohtë? Për 30 vitet e fundit, si Kina ashtu edhe Rusia, kaluan një periudhë të hapjes relative, çka i lejoi ato të sfidonin SHBA-në.

Përqafimi i papritur i sistemeve të mbyllura, mund të mbjellë farat e rënies së tyre. Rusia dhe Kina janë armiqtë më të këqij të vetvetes.

*Les Nemethy, CEO, Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., ish-bankier në Bankën Botërore/Përktheu Monitor